Opinion

Kafka, kukulla dhe vajza e vogël: një rrëfim i vogël për mrekullitë e përditshmërisë

Kafka, kukulla dhe vajza e vogël: një rrëfim i vogël

Nga Enver Robelli/ Një ditë në moshën 40-vjeçare Franz Kafka po kalonte nëpër një park në Berlin. Me atë rast takoi një vajzë e cila po qante sepse kishte humbur kukullën e saj më të dashur. Ajo dhe Kafka e kërkuan kukullën, por nuk e gjetën. Kafka i tha vajzës se do takoheshin të nesërmen në vendin e njëjtë në park për të vazhduar kërkimin e kukullës. Ditën tjetër, pasi nuk e gjetën kukullën, Kafka ia dorëzoi vajzës një letër “të shkruar” nga kukulla. Në letër thuhej: “Të lutem, mos qaj. Jam nisur në një udhëtim për të parë botën. Do të shkruaj mbi aventurat e mia”.

Kështu filloi një histori që zgjati deri në fund të jetës së Kafkës (ai vdiq në moshën 40-vjeçare). Gjatë takimeve Kafka ia lexonte vajzës letrat e kukullës të cilat ishin shkruar me kujdes mbi aventurat dhe bisedat e saj. Vajza magjepsej. Dikur Kafka e solli kukullën dhe tha se ajo ishte kthyer në Berlin. (Në të vërtetë Kafka e kishte blerë një kukull tjetër).

“Kjo kukull fare nuk i përngjan kukullës sime”, tha vajza.

Kafka ia dha vajzës një letër tjetër në të cilën kukulla shkruante: “Udhëtimet më kanë ndryshuar”. Vajza e vogël përqafoi kukullën e re dhe e lumtur e mori me vete në shtëpi.

Kafka vdiq po atë vit.

Shumë vite më vonë vajza tashmë e rritur gjeti një letër brenda kukullës. Në atë copëz letre, të nënshkruar nga Kafka, thuhej: “Gjithçka që don, me gjasë do të humbë, por në fund dashuria do të kthehet në një mënyrë tjetër. Pranoje ndryshimin. Është i pashmangshëm që të rritesh. Së bashku dhimbjen mund ta shndërrojmë në mrekulli e dashuri, por është në dorën tonë që këtë ndërlidhje ta krijojmë me vetëdije dhe me qëllim”.

Rrëfimi mbi letrat e kukullës të shkruara nga Kafka gjendet në vëllimin “Als Kafka mir entgegenkam… Erinnerungen an Franz Kafka” të Hans-Gerd Koch.