Opinion

Koha për një “Zeitenwende” të zgjerimit europian në Ballkanin Perëndimor

Koha për një “Zeitenwende” të zgjerimit europian

Nga Valbona Zeneli dhe Ilva Tare/Pushtimi i dhunshëm i Ukrainës, i përshkruar nga Kancelari gjerman, Olaf Scholz, si një “Zeitenwende”, si një vijë ndarëse, shënon pikën e kthesës për politikën e jashtme dhe të sigurisë së Europës. Në mënyrë të ngjashme, pas disa vitesh bllokim, ky mund të jetë momenti i duhur për një “Zeitenwende” për procesin e Zgjerimit të Bashkimit Europian.

Bashkimi Europian dhe komuniteti transatlantik kanë dëshmuar një unitet të pashoq dhe zgjodhën të dënonin luftën brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës. Mbështetja për Ukrainën ka qenë e fuqishme, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë rolin kryesor në koordinimin e përgjigjes transatlantike, Gjermania njoftoi planin për të çuar në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto shpenzimet për mbrojtjen dhe caktoi 100 miliardë Euro shtesë për një fond special mbrojtjeje dhe Finlanda e Suedia kanë aplikuar për t’u anëtarësuar në NATO.

Bashkimi Europian ka treguar një unitet mbresëlënës në zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë, duke rënë dakord që të hedhë hapa të rëndësishëm për të promovuar pavarësinë energjetike nga Rusia, duke ofruar ndihmë ushtarake për një vend të tretë për herë të parë, ka hapur dyert dhe strehuar refugjatët ukrainas dhe ka mirëpritur aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë.

Krerët e qeverive dhe shteteve të Këshillit Europian do të takohen në 23-24 qershor për të vendosur nëse tri vendeve të Partneritetit Lindor, pra, Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, do t’u ofrohet statusi i vendit kandidat. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë gjithashtu duke pritur me ankth vendimet e rëndësishme të këtij samiti.

Lufta në Ukrainë nuk duhet të shpërqendrojë fokusin nga Ballkani Perëndimor. Përkundrazi, duhet të përforcojë nevojën për ta përfshirë rajonin në familjen europiane. “Lodhja” nga zgjerimi me Ballkanin Perëndimor nuk duhet të përdoret si argument për të bllokuar Ukrainën, por lufta në Ukrainë duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi dhe si mundësi për të ringjallur zgjerimin si një projekt politik për të promovuar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Europë.

NJË PROJEKT SIGURIE DHE PROSPERITETI

Bashkimi Europian u krijua për të integruar Europën pas Luftës së Dytë Botërore duke i afruar vendet perëndimore europiane me lidhje më të ngushta ekonomike, politike dhe sociale. Prej atëherë, zgjerimi ka qenë një ndër politikat më të suksesshme dhe largpamëse të Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian. Kështu ka ndodhur në 1970-ën, kur dallga e konsolidimit demokratik u shtri nëpër Europë duke rrëzuar diktaturat në Greqi, Portugali dhe Spanjë, ndërsa institucionet e Bashkimit Europian transferuan shuma të mëdha parash në zonat e varfra të Europës për të fuqizuar zhvillimin, hapjen e vendeve të reja të punës dhe për të përmirësuar infrastrukturën. Në vitin 1990, strategji të ngjashme u ndoqën në vendet e Europës Lindore pas rënies së murit të Berlinit, duke injektuar investime të mëdha në ekonomitë e tyre, promovuar bashkëpunimin rajonal, fuqizimin e shtetit ligjor, dhe forcuan konkurrueshmërinë e tregut Europian.

Prej vitit 2013, kur Kroacia u bë anëtare e Bashkimit Europian, procesi i zgjerimit ka lënguar nëpër teknikalitete, ndërkohë që besimi i publikut në Ballkanin Perëndimor është thyer dhe vullneti politik ia la vendin “lodhjes” nga zgjerimi.

ZGJERIMI ËSHTË JETIK PËR TË ARDHMEN E EUROPËS

Ringjallja e procesit të zgjerimit është në interesin e BE-së dhe të vendeve anëtare, pasi do të sillte një transformim pozitiv, reforma të reja dhe energji të re në Bashkimin Europian. BE-ja nuk do ta ketë të mundur të mbetet një aktor i fuqishëm gjeopolitik në botë, në rast se nuk kthehet në një lojtar të besueshëm në Ballkanin Perëndimor. Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit për rajonin duhet parë si “një mjet për t’iu kundërpërgjigjur aktorëve të jashtëm me qëllime malinje” dhe për të nxjerrë “mësime nga lufta në Ukrainë”, siç është shprehur Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.

Çdo vonesë në integrimin e shpejtë të rajonit në komunitetin Euro-Atlantik do të zgjeronte vakumin e fuqisë dhe do të lejonte aktorët malinj të rrisnin influencën duke krijuar çorientim dhe pasiguri në oborrin e shtëpisë së BE-së. Rusia nuk është një lojtare e re në rajon, ajo operon si një “planprishëse” që përfiton nga çështjet e brendshme socioekonomike dhe etike, si dhe angazhohet në fushata dezinformuese për të promovuar teoritë dhe interesat e saj ekonomike dhe diplomatike. Çdo skenar që e mban rajonin jashtë Bashkimit Europian, do të ishte i rrezikshëm për sigurinë europiane dhe do të dëmtonte besueshmërinë e BE-së në skenën botërore.

Nisur nga pozicioni gjeostrategjik, Ballkani Perëndimor duhet të konsiderohet si shumë i rëndësishëm nga BE-ja dhe komuniteti ndëratlantik. Angazhimi i vendeve të NATO-s në rajon është kritik për sigurinë e komunitetit transatlantik, siç e dëshmoi edhe stërvitja ushtarake “Defender Europe 21”. NATO ka qenë një shtyllë stabiliteti dhe transformimi në një rajon të brishtë. Sidoqoftë, siguria shkon përtej fushës ushtarake dhe kërkon bashkëpunim të fortë civiloushtarak, zhvillim ekonomik dhe qëndrueshmëri shoqërore. Në këtë pikë, roli i BEsë është vendimtar.

Ballkani Perëndimor duhet parë si pjesë e zgjidhjeve europiane për situatën energjetike, tregtare dhe të krizës ushqimore. Rëndësia strategjike e porteve të detit Adriatik është thelbësore për bllokadën ruse të rrugëve tregtare në Detin e Zi, por gjithashtu është edhe për potencialin që mund të krijojë transporti i gazit natyror të lëngshëm për diversifikimin e energjisë në BE. Është jetike që BEja të investojë në projekte strategjike të infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor për të rritur ndërlidhjen duke adresuar dhe ndikimin e detyrueshëm ekonomik kinez dhe në diversifikimin e energjisë për të rritur qëndrueshmërinë nga monopolet ruse të gazit. Kjo është një mundësi unike për BE-në të transformojë vendet e Ballkanit Perëndimor në pjesëmarrës me të drejta të plota në çështjet e sigurisë së Bashkimit Europian. Rruga drejt sovranitetit energjetik europian kalon nga stabiliteti rajonal dhe nga partneritetet të besueshme të bazuara në vlera dhe standarde të përbashkëta demokratike.

Gjatë dekadës së fundit, argumenti i “lodhjes” nga zgjerimi është përdorur si justifikim, por pushtimi brutal i Ukrainës shërbeu si një zile alarmi për qytetarët dhe udhëheqësit për t’u ndërgjegjësuar se sulmet nga diktatorët mund të bëhen në çdo kohë dhe pa asnjë arsye. Ishte një kujtesë e papritur e vlerave të lirisë dhe demokracisë, të marra si të mirëqena nga integrimi europian, NATO dhe partnerët transatlantik me SHBAtë. Udhëheqësit europianë dhe të Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë këtë moment të mbështetjes publike dhe politike për të orientuar procesin e anëtarësimit në themelet e vlerave të sigurisë e demokracisë.

Ky është gjithashtu momenti i duhur për të sinkronizuar strategjinë transatlantike për Ballkanin Perëndimor, teksa administrata amerikane është duke rigjallëruar përpjekjet e përbashkëta për të promovuar integrimin Euro-Atlantik në rajon. Një strategji e përbashkët transatlantike, me marrëdhëniet SHBA-Gjermani si shtyllë kurrizore të aleancës, duhet të përqendrohen në fushat kryesore siç është integrimi Euro-Atlantik i rajonit, zgjidhja e çështjeve dypalëshe, qëndrueshmëria, konkurrentët strategjikë, zhvillimi ekonomik dhe siguria energjetike.

ZGJERIMI I BE-SË, SI NJË MJET PËR TRANSFORMIM REAL

Për BE-në është me rëndësi rifokusimi në çështjet thelbësore siç është shteti ligjor, demokracia dhe qeverisja e mirë, si dhe rritja e llogaridhënies për reformat. Secili vend i rajonit që aspiron t’i bashkohet BE-së, duhet të marrë vendime të qarta për të ndjekur parimet europiane dhe për t’iu bashkuar vendimeve të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian. BE-ja nuk duhet të mbështesë në mënyrë të pakushtëzuar vende aspirante që përdorin terma dhe gjeste simbolike, por duhet të shndërrohet në një forcë që prodhon transformim të matshëm dhe që i mban anëtarët dhe kandidatët të përgjegjshëm për veprimet e tyre.

Është e domosdoshme nisja e bisedimeve të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhënia e statusit kandidat Ukrainës dhe për kandidatët potencialë në Ballkanin Perëndimor (Bosnje-Hercegovina dhe Kosova) dhe përshpejtimi i procesit për vendet në negocim. Çelja e bisedimeve nuk do të mjaftojë në rast se nuk do të ketë mbështetje me programe ekonomike zhvillimi dhe pa investime të fuqishme, të cilat do të transformojnë infrastrukturën dhe do të përmirësojnë kushtet e jetesës për qytetarët e Ballkanit Perëndimor si dhe rrisin qëndrueshmërinë dhe cilësinë e ndërlidhjes me vendet e Bashkimit Europian.

Çdo alternativë përtej anëtarësimit të plotë në BE, siç mund të jetë propozimi për komunitetet politike dhe ekonomike, duhet parë si plotësues dhe jo opsion ndryshe në rrugën e anëtarësimit. Opsionet e tjera mund të konsiderohen si gabime të përsëritura nga e kaluara (rasti i moratoriumit të zgjerimit në 2014) që do të dëmtonin procesin, ulnin pritshmëritë ndaj politikës së dyerve të hapura të BE-së dhe përfundimisht do të ishte një fitore e madhe për Putin në konkurrencën strategjike midis demokracive dhe autokracive.

*Dr. Valbona Zeneli, Drejtuese e Departamentit për Iniciativat Strategjike të Qendrës Europiane George C. Marshall për Studimet e Sigurisë. Ajo është gjithashtu eksperte e Europe’s Future në Institutin për Shkencat Humane në Vjenë.

*Ilva Tare është eksperte jorezidente e Qendrës Europiane të Këshillit të Atlantikut, në Uashington DC dhe drejtuese e emisionit #BalkansDebrief Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorëve dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Qendrës Marshall, Departamentit te Mbrojtjes apo të qeverisë së SHBA.