Opinion

Kosova duhet t'i ruajë përkrahësit

Sulmet paushalle kundër deputetëve të Parlamentit Europian apo kundër gazetarëve perëndimorë i bëjnë dëm Kosovës.

Kosova duhet t'i ruajë përkrahësit

Ka disa javë që zyrtarë shtetërorë, zëdhënës të hapur e të fshehur të PDK-së dhe përfaqësues të estradës parapolitike që defilojnë në media sociale, sidomos në Twitter, iu kanë vërsulur deputetes së Parlamentit Europian dhe Raportueses për Kosovën, Viola von Cramon. Akuzat kulmuan këto ditë: Von Cramon u etiketua si "raciste". Përse? Sepse ajo me ngulm dhe me një gjuhë të qartë po kërkon që në Kosovë të sundojë ligji, që politikanët të mos merren me korrupsion, që të hiqet dorë nga nepotizmi, që të ketë gjykata të pavarura. Kërkesa këto aspak skandaloze, kërkesa që mund t'i lexosh orë e çast në mediat e Kosovës, madje në biseda "of the record" edhe anëtarë të kryesisë së PDK-së për shokët e tyre të luftës dhe pasluftës thonë: "E kanë tepruar, nuk ua dinë fundin milionave".

Sulmet kundër europarlamentares gjermane Von Cramon morën hov këto ditë pasi ajo bëri të ditur se ka qëndruar në Hagë, ku është takuar me drejtues të Dhomave të Specializuara, të njohura si Gjykatë Speciale, që është themeluar - notabene - nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Vizita e Von Cramon u mbiinterpretua për hesape politike lokale dhe u quajt jo më pak se ndërhyrje në punën e gjykatës. Çudi që si interferim nuk u pa një vizitë e parlamentarëve gjermanë te Gjykata Speciale në dhjetor 2019. Si interferim nuk u pa as takimi i kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, me zyrtarë të shtetit të Kosovës, mes tyre ministra, me përfaqësues të shoqërisë civile dhe me gazetarë, disa prej të cilëve nga Prishtina u dërguan në Hagë për të mësuar nga afër për punën e gjykatës. Ç'të bëhet me këta njerëz? Të shpallen tradhtarë me një ferman twitterian? Von Cramon të etiketohet si raciste është një marrëzi epokale.

Nuk kanë mbetur shumë përkrahēs të vendosur të Kosovës në Parlamentin Europian, andaj sulmet e tilla mund t'i kthehen Kosovës si bumerang. Nuk ka shumë politikanë brenda BE-së që hapur kritikojnë qeveritë europiane për shkak të bllokimit të liberalizimit të vizave për kosovarët. Von Cramon është ndër të rrallat dhe më të zëshmet. Sulmet nga taborri i PDK-së kundër politikanes gjermane po ashpërsohen për shkak se ajo kundërshtoi rrëzimin e qeverisë së përbërë nga VV dhe LDK. Kjo, sipas eksponentëve të PDK-së dhe surlaxhinjve të saj medialë, është ndërhyrje "në punët e brendshme të Kosovës", ndërsa nuk qenka as ndërhyrje, as kurrfarë problemi nëse për para të majme në tubime elektorale të PDK-së mban fjalime "njeriu i Donald Trumpit", i cili në të vërtetë kur foli kotësira në tubimin e PDK-së vjeshtën që shkoi nuk ishte më anëtar i kabinetit të Trumpit. A ka qenë ndërhyrje në drejtësi përpjekja e PDK-së dhe aleatëve të saj për zhbërjen e Gjykatës Speciale në dhjetor 2017?

Ka një tendencë nga taborri i PDK-së që të ndërtohet një rrëfim surrealist, sipas të cilit pas njoftimit të Gjykatës Speciale lidhur me H. Thaçin dhe K. Veselin qëndron kryekëput Gjermania. Fakte për këtë nuk ka, por kur janë shquar propagandistët për fakte? Koncentrimi i artilerisë kundër Gjermanisë u "ndihmon" eksponentëve të PDK-së për t'i ikur ballafaqimit me faktin se procesi i hetimeve nga Dhomat e Specializuara qe gati një dekadë gjendet pothuaj krejtësisht në duar të amerikanëve. Kryehetuesi Clint Williamsoni është amerikan, po ashtu edhe prokurori i parë dhe i dyti i Gjykatës Speciale (David Schwendiman, Jack Smith). Një deputete gjermane është cak më i lehtë se Williamsoni, Schwendiman, Smith apo Mike Pompeo, i cili ia ka bërë të qartë edhe presidentit të Kosovës se SHBA-të nuk e kanë ndërmend t'ia turbullojnë ujin Gjykatës Speciale.

Eksponentët e PDK-së dhe lahutarët e saj në Ministrinë e Jashtme para se të akuzojnë pa fakte një europarlamentare për kinse interferim në drejtësi apo për racizëm, do të bënin mirë të lexonin Raportin e Këshillit të Europës mbi frikësimin e dëshmitarëve në Kosovë dhe mungesën e pavarësisë së prokurorëve dhe gjykatësve lokalë. Këtë raport para gati një dekade e ka shkruar Jaen Charles Gardetto nga Principata e Monakos. SHBA-të dhe Bashkimi Europian kanë ndarë miliona para të taksapaguesve për të garantuar një mbarëvajtje të punëve të Gjykatës Speciale. Është më se e logjikshme që edhe politikanët dhe diplomatët e këtyre vendeve të interesohen mbi punën e Gjykatës Speciale. Në Bruksel, për shembull, tani diplomatët presin që të sqarohet sa më shpejt çështja e paralajmërimit të pazakonshëm të Dhomave të Specializuara se mund të ketë ndonjë aktakuzë kundër Thaçit apo Veselit. Deputetëve të Kosovës askush nuk ua ka ndaluar që të interesohen për punën e Gjykatës Speciale dhe të kërkojnë edhe takime me përgjegjësit e saj.

Sulmet për racizëm ndaj një politikaneje gjermane të Partisë së Gjelbër janë cinizëm i paparë sidomos kur vijnë nga Kosova. Si asnjë parti tjetër gjermane Të Gjelbrit kanë përkrahur Kosovën edhe atëherë kur për shumë politikanë gjermanë Kosova ishte "një krahinë e panjohur jugosllave". Politikanë si Joschka Fischer, Rezo Schlauch, Mariluiese Beck etj. kanë rrezikuar ndarjen e partisë në mbrojtje të intervenimit të NATO-s në Kosovë. Mariluiese Beck nga foltorja e Bundestagut e ka përshëndetur ministrin (e dikurshëm) të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhajn, të cilit i ishte siguruar vend në tribunën e mysafirëve të parlamentit gjerman. U harruan këto të gjitha përnjëherë? Përfshirë ndihmat e Gjermanisë në shumë fusha në Kosovë.

Paralelisht me sulmet e pabaza kundër Viola von Cramon këto ditë në Twitter eskaloi një debat pas disa postimeve të korrespondentit të "Frankfurter Allgemeine Zeitung" për Ballkan, Michael Martens. Ndonëse me të drejtë mund të diskutohet nëse Twitteri është platformë e përshtatshme për të debatuar mbi nacionalizmat dhe shovinizmat ballkanikë, sulmet paushalle e diskualifikuese kundër gazetarit pasi ai shkroi se, për fat të keq, nuk e njeh shqipen dhe pyeti (nuk konstatoi) nëse edhe në botën shqiptare ka britma shoviniste, janë krejtësisht joproduktive. Mosnjohja e shqipes nuk e bën një gazetar të padenjë për të raportuar. Po, njohja e shqipes gjithsesi është përparësi, por jo e vetmja. Por, në hapësirën shqiptare në dy dekadat e fundit anglishtja është bërë pothuaj lingua franca dhe kjo gjithsesi është mirë, sepse lehtëson komunikimin me botën perëndimore. Sulmuesit e shumtë, disa prej të cilëve njerëz të ditur, që meritojnë e gëzojnë respekt edhe nga ana ime, nuk qenë në gjendje të sjellin ndonjë shembull nga puna e gazetarit, ku ai paskësh shkruar të pavërtetën apo - zoti mos e bëftë - paskësh dezinformuar.

Meqë këso shembujsh nuk ka, është e udhës të kujtojmë se ky korrespondent prej vitesh kritikon BE-në dhe sidomos qeverinë gjermane për padrejtësi ndaj Kosovës në çështjen e vizave. Po ky gazetar në shkurt të vitit 2015 në një tekst të përbashkët me humanistin gjerman Rupert Neudeck në "Frankfurter Allgeneine Zeitung" kërkonte që qeveria gjermane të investojë në hapjen e shkollave gjermane në Kosovë dhe të hapë tregun e punës për qytetarët e Kosovës. "Është mirë që kaq shumë kosovarë po vijnë te ne. Ata janë shans për neve. Ka ardhur koha për shkolla gjermane në Kosovë", thuhej në hyrje të tekstit. Në vitin 2015 imazhi i Kosovës në Perëndim ishte njollosur nga fanatikët fetarë që e zbuluan "parajsën në Siri". Martens (dhe Neudeck) e korrigjonin këtë imazh duke informuar opinionin gjerman se nuk ka shtet tjetër në botë me shumicë myslimane ku islami luan një rol aq minor sa në Kosovë. Kaq mund të bëj një gazetar: të informojë. Vendimet i merr qeveria. I njëjti gazetar para disa muajsh në një koment ka kërkuar që BE dhe Gjermania të heqin dorë nga integrimi i Serbisë, sepse ky shtet nuk e ka vendin në Europë në këtë gjendje siç është.

Gazetarët e huaj nuk janë të pagabueshëm, por kush është i pagabueshëm? A janë të pagabueshëm kolegët lokalë? A është "joserioz" një gazetar që pandërprerë e quan shtypin e Beogradit "Krawallpresse" (shtyp rrëmujaxhi) dhe "Kohën ditore" e lartëson si medium ndër të vetmit në Ballkan që seriozisht i përkushtohet gazetarisë së pavarur dhe objektive? Pritjet që gazetarët e huaj të shkruajnë përherë pozitivisht për njërën palë dhe gjithmonë negativisht për palën tjetër, janë jorealiste, naive. Vetëm viteve të fundit në "Frankfurter Allgemeine Zeitung" kanë botuar editoriale (dhe kanë dhënë intervista) Hashim Thaçi, Albin Kurti, Vjosa Osmani, por edhe zëra të tjerë nga jeta publike kosovare. "Frankfurter Allgemeine Zeitung" e ka vënë në dispozicion edhe zemrën e gazetës, faqen e tretë, për një portret të përkthyesit gjerman të veprave të Ismail Kadaresë. Një gazetar i kulturës i kësaj gazete e ka shoqëruar në Kosovë Ramush Haradinajn, duke treguar simpati për luftën e tij për liri.

Por historia nuk mbaron me kaq. "Frankfurter Allgemeine Zeitung" ka përkrahur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës qe së paku 50 vjet. Korrespondenti i dikurshëm i kësaj gazete, zvicerani Viktor Meier, ka bërë aq shumë pēr çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe, saqë një rrugë në Prishtinë bart emrin e tij. Meier po ashtu është dekoruar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, për punën e tij të vyeshme. (Dekoratën në shtëpi afër Zürichut ia ka sjellë autori i këtij teksti bashkë me dr. Bujar Bukoshin, këshilltar i të cilit Meier qe bërë menjëherë pas pensionimit nga mesi i viteve 90-të. Kështu, fatmirësisht, pak para vdekjes së Meierit u mbyll ky kapitull pas një përpjekjeje personale disavjeçare që kisha bërë që Kosova të nderojë me një gjest modest Viktor Meierin. Politikanë të tjerë të Kosovës, të cilëve ua pata hapur këtë temë, e mbyllnin muhabetin me deklarata injorante si: "E kemi parasysh Meierin").

Pasardhësi i Viktor Meierit në postin e korrespondentit për Ballkan ka qenë Matthias Rüb, po ashtu një përshkrues i saktë dhe denoncues i krimeve serbe. Reportazhi i tij nga Llausha pas vrasjes së arsimtarit Halit Geci më 1997 është ndër shkrimet më alarmuese se çfarë e priste Kosovën nëse nuk ndërhyn Perëndimi. Kur dy gazetarë gjermanë të televizionit WDR sajuan një dokumentar, ku akuzonin politikanët gjermanë se kanë gënjyer mbi krimet serbe në Kosovë për të arsyetuar pjesëmarrjen e Gjermanisë në intervenimin e NATO-s, ka qenë Matthias Rüb që me javë të tëra ka zhvilluar një betejë në disa fronte mediale për të demaskuar propagandën e televizionit WDR, të cilën edhe Sllobodan Millosheviqi e ka përdorur si "dëshmi mbrojtëse" në gjykimin e tij. Rüb po ashtu është autor i një libri me vlerë mbi luftën e Kosovës. Fill pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, ai raportoi mbi krimet serbe në Krushë të Madhe.

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" ka qenë përherë në shënjestër të nacionalistëve dhe neokomunistëve serbë, të cilët e kanë akuzuar për përkrahje të pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë. Njëri nga kryeredaktorët e "Frankfurter Allgemeine Zeitung", Johann Georg Reissmüller, për shkak të komenteve të tij ka qenë i kërcënuar nga nacionalistët serbë, të cilët për kokën e tij patën ofruar një shumë gjashtëshifrore parash. Si masë mbrojtëse Reissmüller montoi në dritaren e kuzhinës një xham antiplumb.

Të gjitha këto është e pamundur të shpjegohen në Twitter. Shyqyr që ekziston gazeta. Jo vetëm kjo ku po botohet ky tekst, por edhe "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Gjykimet paushalle në Twitter mund të krijojnë satisfaksione momenti, por shpesh janë larg të së vërtetës. Më shumë maturi në gjykim na bën mirë të gjithëve.