Opinion

Kur Lali Eri gjobit Ndrangheta-n!

Kur Lali Eri gjobit Ndrangheta-n!

Sapo kapën implikimin e tre personave italianë që bënin kështjella në rërë për biznese në Tiranë dhe ku përmendej edhe mafia kalabreze, e njohur me emrin “Ndrangheta”, politika opozitare shqiptare u sul të nxjerrë përfundimet. Është e kuptueshme pasi tetë vjet larg pushtetit, të bie sheqeri dhe nuk ke nerva të bësh analizë serioze në mënyrë që të kesh kauza të qëndrueshme dhe mbrojtje të besueshme. Përndryshe mund t’i binin numrit të ndonjë ndërtuesi. Dhe me dy minuta ky do t’ju shpjegonte pse ekonomikisht ndërtimi mund të ketë qenë rentabël mbase në Italinë e Jugut për veprimtarinë mafioze, diku nga vitet ‘60-70, në kushte të caktuara, por tashmë jo në Shqipëri dhe jo për të pastruar paratë. Pasi lapsi nuk del. Dhe ja arsyet!

Së pari çdo ndërtues duhet t’i paguajë bashkisë që sa të shkojë të kërkojë lejen, 8% të vlerës së shitjes së investimit. Pastaj 3% si taksë për të pastrehët. Pastaj 1% për përpunim dokumentacioni; një tjetër 1% si sigurim tërmeti; nja 3% arkitektit dhe ja ku jemi tek 16% para të fluturuara ende pa ngulur një kazmë. Pra nëse do të investoni 1 milion euro, shteti ju mori 160 mijë. Vazhdojmë me pronarët që duan 35-50% të sipërfaqes që ndërtohet, e kështu me radhë.

Në fund ai ndërtuesi i zanatit do t’ju thotë se prej 4-5 vjetësh ndërtimi nuk futet te sipërmarrjet me rentabilitet të lartë. Ka kaluar në vendin e dytë, pas turizmit si sektor i ekonomisë dhe norma e tij e fitimit shkon diku tek 10-15%. Çdo ndërtues serioz shqiptar e di se normat shqiptare të fitimit nuk janë oreksndjellëse për mafien dhe jo vetëm: Nuk është e mundur t’i shmangesh kontrollit pasi brenda 72 orësh nga momenti i shitjes së një objekti, ai dhe noteri duhet të deklarojë në Drejtorinë e Pastrimit të Parave vlerën e objektit dhe burimin e parave. Le të vijmë te kullat. E shumta që mund të ndërtohen janë edhe rreth dhjetë të tilla. Mesa duken bathët, nuk do të mbarojnë as edhe për 20 vjet pasi katër që janë bërë prej tyre, kanë më shumë sesa 8 vjet dhe ende nuk kanë mbaruar ose të jenë rentabël. Sesi mund të bësh kullë dhe mos ta shesësh, por ama pastron paratë, këtë e dinë vetëm shqiptarët. Gjithsesi edhe në rasti më të mirë, dhjetë kulla sikur të kenë edhe 20.000 m2, me një fitim prej 1.000 €/m2, bëjnë gjithë nja 200 milionë fitim që duan nja 20 vjet që t’i marrësh. Dhe duke llogaritur jostabilitetin politik të këtushëm, ku çdo qeveri kërkon gjobën e vet, imagjinoni sa ndjellës është ky treg. Vijmë tek ana politike. Nisur nga rrëfimet e të zalisurve shqiptarë, Lali Erit duhet t’i kemi frikën. Është i vetmi në këto dy shekuj që paska gjobitur “Ndranghetën”. Dhe jo pak, por me 20%. A ju kripsha trutë! Me gjithë vullnetin për të kryqëzuar Erion Veliajn, puna është që mafia nuk pranon ortakë, nuk mund të gjobitet dhe nuk pranon të kërcënohet. Ndrangheta kalabreze nuk është lacat shqiptarë dhe as sipërmarrësit e trembur që gjobiten nga policë dhe politikanët. Historia e saj është një histori suksesi e sipërmarrjes kriminale. Janë të vetmit nga raca e bardhë që kanë mbijetuar, që bëjnë trafik në të pesë kontinentet dhe investojnë në qendra metropolesh. Rekrutojnë financierët, menaxherët, politikanët më të mirë. Kush u zë rrugën, e paguan me kokë. Suksesi i saj vjen nga struktura e mbyllur klanore dhe kodi pothuajse mesjetar i nderit. Nëse mafia siciliane apo ajo napolitane u shpërbënë nga tradhtitë, historitë rozë, homoseksuale, nga vaniteti i kapove, “Ndrangheta” është një shoqëri hermetike ku ende forcat e ligjit italiane nuk kanë mundur të çajnë. Ikni dy ditë në Cosenza apo Catanzaro, ose në fshatrat e Reggio Calabrias dhe do të kuptoni udhëtimin në një botë tjetër ku persianet mbahen ende të mbyllura, ku nuk mund të ngacmosh femrat në rrugë dhe ku lupara ende të merr jetën për shumë më pak sesa t’i gjobisësh.

Dhe qershia mbi tortë, është rrëfimi i një kapteri finance që thotë se mund të takojë kryeministrin shqiptar ose ministrat! Këtë përfundim mund ta arrijë dikush që ende ka mbetur me mend në fshatin nga ka ardhur apo tre fakirë nga Catanzaro. A pastrohen para këtu? Patjetër. Por këto janë para të kriminalitetit shqiptar, pasi tregu shqiptar ashtu si shtypi apo politika, është kot, pa fe interesi për një sipërmarrje serioze si mafia italiane.Vetëm se nuk hapin gojë se aty e ngjyejnë edhe ata, opozita./dritare.net