Opinion

Leksioni që Britania i dha sërish botës

Leksioni që Britania i dha sërish botës
Nga Orlando Sacchelli

“Il Giornale”

Politikanët e Madhërisë së Saj, kanë shumë të meta, por edhe një meritë që nuk mund të vihet në diskutim: kur vendosin se ka ardhur koha të hapin “dritaret”, dhe të ndryshojnë “ajrin”, ata e bëjnë atë. Kështu materializohet vazhdimisht ndryshimi në Downing Street.

Në rastin më të mirë, ai mund të vendoset nga votuesit nëpërmjet zgjedhjeve. Por në raste të jashtëzakonshme edhe nga vetë partitë politike. Kjo gjë ka ndodhur tashmë disa herë në të kaluarën. Mjafton të kini parasysh Margaret Thatcher, sa për të përmendur një nga rastet më të famshme.

Më pas e njëjta gjë ndodhi me Theresa May, David Cameron dhe dje me Boris Johnson. Sigurisht, arsyet janë të ndryshme, por thelbi nuk ndryshon: partia vendos se është e dobishme të bëjë ndryshime, dhe udhëheqësi ftohet (është më e saktë të thuhet detyrohet) që të largohet.

Në Britaninë e Madhe nuk ka udhëheqës politikë të përjetshëm. Atje ndryshimi nuk perceptohet si një vlerë negative apo si një poshtërim, por si një mundësi. Ndërsa britanikët nuk e patën problem të dërgojnë në shtëpi edhe një gjigant si Ëinston Churchill, fitues i Luftës së Dytë Botërore së bashku me Aleatët (u mund në zgjedhjet parlamentare të vitit 1945 nga Partia Laburiste e Clement Attlee), ka më shumë liderë që kanë dalë në pension më herët nga të njëjtat parti politike.

Më lart përmendëm rastin e Zonjës s Hekurt, Margaret Thatcher, e cila u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 1990, pasi mbeti pakicë në Partinë Konservatore. Pas largimit të saj, Michael Heseltine mori drejtimin e partisë ndërsa John Major u dërgua në vend të saj në 10 Downing Street.

Me gjithë ndryshimet e mëdha që solli në vendin e saj, dhe pavarësisht se u bë një ikonë e botës konservatore në nivel global, së bashku me presidentin amerikan Ronald Reagan, Thatcher nuk ishte në gjendje të kapërcente valën e madhe të antipatisë publike, që prodhoi sidomos miratimi i një takse të re fikse, e njohur si “taksa e votës”.

Po ashtu, ajo pagoi një kosto të rëndë edhe për qëndrimet e saj në Komunitetin Evropian, të cilat nuk kishin dakordësinë e të gjithëve në Partinë Konservatore. Udhëheqja e një partie në Britaninë e Madhe, vendoset në mënyrë demokratike.

Duhet një numër i caktuar firmash nga kolegët deputetë (konservatorët parashikojnë në statusin e tyre 8 firma), për të qenë në gjendje të garosh për udhëheqës. Pastaj delegatët vendosin pasi mblidhen në një asamble. Procedurat janë shumë të shpejta, dhe zgjasin maksimumi disa javë.

Dhe nuk ka nevojë që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. Pasi të jenë larë hesapet brenda partisë, kreu i ri i partisë i prezantohet Mbretëreshës, e cila e mandaton për të formuar kabinetin e ri qeveritar. Që të gjitha ndodhin me një thjeshtësi dhe transparencë ekstreme.

Natyrisht nuk mungojnë grindjet e brendshme dhe lojërat e pushtetit, sikurse ndodh në çdo sistem politik. Por në dallim nga Italia, reduktohen në minimum sjelljet bizantine dhe “revolucionet për hir të revolucioneve”. Ashtu siç janë pothuajse joekzistente “dramat”që luhen para publikut.

Nëse një udhëheqës mposhtet dhe largohet nga dera, ai nuk mund të rikthehet nga dritarja, ndoshta i veshur me një kostum tjetër, duke pretenduar sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ky është gjithashtu një ndryshim tjetër i madh midis sistemit britanik dhe sistemit politik italian.

Nëse Churchill u dërgua në shtëpi pasi mundi nazistët, Johnson u rrëzua pasi mundi pandeminë e Covid-19. Pra historia përsëritet në vijimësi. Pavarësisht se çfarë gjërash të miramund të kenë bërë liderët, politika britanike ka një normë shumë të lartë të qarkullimit të elitave drejtuese. Dhe kjo gjeneron antitrupa të fuqishëm kundër çdo lloj sëmundjeje.