Opinion

Mbi kutitë e shkrepëseve, cinizmin e Stalinit dhe fatin e popujve të nënshtruar

Mbi kutitë e shkrepëseve, cinizmin e Stalinit dhe fatin e popujve

Nga Enver Robelli

Në kohërat e luftës dhe të krizave fundosen shumë iluzione.

1. Dëshpërimi dhe vdekja e Robert Bialekut

Polakët i thonë: Wrocaw, gjermanët i thonë: Breslau. Sot është një qytet në jugperëndim të Polonisë, dikur ishte qytet i rajonit gjerman të Shlezisë (Schlesien). Në këtë qytet u lind më 1915 Robert Bialek. Që në moshën 13-vjeçare ai u bë anëtar i Rinisë Punëtore Socialiste. Pak para moshës 20-vjeçare u arrestua dhe dënua me 5 vjet burg nga nazistët për shkak të veprimtarisë kundër regjimit të Adolf Hitlerit. Pas daljes nga burgu vazhdoi aktivitetin kundër nazistëve. Më 1944 kaloi në ilegalitet dhe kur erdhi Armata e Kuqe sovjetike në Breslau, Bialek nuk e fshehu entuziazmin.

Pas takimit me komandantin sovjetik, të cilit i ofroi ndihmë, ai u kthye në shtëpi, ku kuptoi se gruaja e tij ishte dhunuar. “Instinktet kafshërore të dy ushtarëve të rëndomtë sovjetikë e përmbysën botën time, gjë që nuk kishin arritur ta bënin torturat naziste apo teknikat subtile të bindjes”, tha Bialek.

Më 27 gusht 1953 Robert Bialek u arratis në Gjermaninë Perëndimore, prej nga filloi të komentojë për programin në gjermanisht të BBC-së. Më pak se tri vite më vonë, më 4 shkurt 1956, në një aksion të shërbimit sekret të Gjermanisë lindore Bialek u kidnapua dhe transferua në Berlinin lindor, ku vdiq në rrethana të panjohura.

2. Apologjeti i Stalinit

Në fillim të viteve 1930, britaniku Walter Duranty ishte korrespondent i “New York Times” nga Moska. Në histori ka hyrë si gazetar prostalinist. Kur Stalini me politikat e tij të kolektivizimit i çoi në vdekje nga uria miliona ukrainas, Duranty tha: “S’mund të bësh omëletë pa thyer vezë”.

Walter Duranty ishte ndër ata persona që më 1933 e bindën presidentin amerikan Franklin D. Roosevelt të pranojë Bashkimin Sovjetik. Duranty e siguroi Rooseveltin se fjala “bolshevik” e ka humbur sekretin dhe tmerrin e mëhershëm. Bashkimi Sovjetik, sipas Duranty, është duke u bërë “normal”.

Kjo ishte njëra ndër rrenat më të mëdha të shekullit të 20-të, siç do të tregonte historia në dekadat e ardhshme.

Në historinë e “New York Times” raportet e Duranty nuk qenë dështimi i vetëm. Kur Hitleri erdhi në pushtet, gazeta amerikane i kushtoi një portret, në të cilin shkroi: “Hitleri flet si një njeri që e ka veten nën kontroll dhe pa dyshim është i sinqertë. Hitleri ka dorën e ndjeshme të artistit”.

3. Merre atë që ke gllabëruar

Në nëntor të vitit 1943 në Teheran u takuan lideri sovjetik Stalini, kryeministri britanik Churchill dhe presidenti amerikan Roosevelt. Në atë takim dhe në takimin tjetër në Jaltë në shkurt 1945 u vendos për ndarjen e sferave të interesit dhe ndikimin gjeostrategjik të Fuqive të Mëdha. Pakkush bëhej merak për fatin e popujve të nënshtruar. Një popull i tillë ishin polakët, të sulmuar dhe pushtuar nga gjermanët dhe sovjetikët.

Kur në Teheran ra fjala për kufijtë polakë, Churchill i tha Stalinit se mund ta mbante pjesën e Polonisë lindore, të cilën e kishte gllabëruar më 1939. Polonia, sipas Churchillit, do të lëvizte drejt perëndimit. Churchill e ilustroi këtë me tri kuti të shkrepëseve, të cilat paraqisnin Gjermaninë, Poloninë dhe Bashkimin Sovjetik. Stalinit i pëlqeu kjo ide.

Në Jaltë, Roosevelti propozoi me gjysmë zemre që kufiri lindor i Polonisë të tërhiqej në atë mënyrë që të përfshinte qytetin Lwow (Lwiw, Lemberg) dhe fushat me naftë në rrethinë. Stalini nuk qe parimisht kundër, por askush nuk e shtyri ta pranojë dhe u hoq dorë nga kjo ide. Kështu u vendos për përkatësinë shtetërore të mijëra njerëzve. Lwow (Lwiw, Lemberg) u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Sot është qytet në Ukrainë.

4. Cinizmi dhe mizoria e Stalinit pas ankesës së komunistit jugosllav Millovan Gjillas

Më 30 prill 1945 Adolf Hitleri bëri vetëvrasje. Kështu mori fund jeta e një tirani që shkaktoi tragjedi planetare. Një javë më vonë, më 7 maj 1945, gjeneralkoloneli Alfred Jodl nënshkroi kapitullimin e Wehrmacht-it (ushtrisë naziste). Tashmë Armata e Kuqe sovjetike kishte depërtuar në shumë pjesë të Evropës Lindore dhe në Berlin. Ushtarët sovjetikë kishin hapur portat e kampeve naziste të shfarosjes (Auschwitz-Birkenau, Majdanek, Stutthof, Sachsenhausen, Ravensbrück).

Shumë njerëz në Evropën Lindore e patën ndjenjën e çlirimit nga Armata e Kuqe. Por së shpejti çlirimi u shndërrua në tmerr, terr dhe pushtim. Një ndër tmerret më të mëdha ishte dhunimi i mijëra grave nga ushtarët dhe oficerët sovjetikë.

Kur komunisti jugosllav Millovan Gjillas, ndër intelektualët e paktë të botës komuniste, u ankua te Stalini mbi sjelljen e keqe të ushtarëve sovjetikë, lideri moskovit e pyeti malazezin Gjillas nëse si shkrimtar nuk mund ta kuptonte “nëse një ushtar, i cili ka kaluar mijëra kilometra nëpër gjak dhe zjarr dhe vdekje, bën qejf me një grua apo merr me vete diçka”. Bërja e qejfit ishte: DHUNIM. Krim. Krim lufte. Marrja me vete e diçkaje ishte: grabitje grash ose plaçkitje pasurie.

Nën tutelën sovjetike liderët e tjerë komunistë nuk guxuan të hapin fare këtë temë. Gjillas ishte ndër të vetmit. Dëshmitar i mizorive të ushtarëve sovjetikë ka qenë edhe Aleksandër Solzhenicini, i cili më 1945 mori pjesë në marshimin e Armatës së Kuqe në Prusinë Lindore.

Në një poezi, Solzhenicin shkroi: “Nëpër mur si avull depërton – një psherëtimë: / Të gjallë e gjej vetëm nënën. / A ishin shumë mbi dyshek? / Një kompani? Një njësi? Ç’rol luan! / Vajza – ende fëmijë, menjëherë e vrarë. / Gjithçka sipas parullës: / ASGJË NUK ËSHTË HARRUAR! ASGJË NUK ËSHTË FALUR! / GJAK PËR GJAK! – dhe dhëmb për dhëmb. / Kush ishte e virgjër, bëhej grua, / dhe gratë – së shpejti kufoma”.