Opinion

“Media në tranzicion” / Lutfi Dervishi: Gjithçka ka ndryshuar, problemet janë po ato

“Media në tranzicion” / Lutfi Dervishi: Gjithçka ka

-Sikur të hidhnit një vështrim retrospektiv në këto tridhjetë vjet të tranzicionit postkomunist, cilat do të renditnit si arritjet dhe dështimet më të qenësishme të medias shqiptare?

Në dhjetëvjeçarin e parë, violinë e parë ishin gazetat, në të dytin televizionet private dhe në dhjetëvjeçarin e tretë rrjetet sociale, mediat e NGO-ve dhe mediat e politikanëve. Media e lirë është sot një nga arritjet më të padiskueshme të tranzicionit. Ndryshe nga fillimi i viteve 90 ku gazetarë u bëmë ne që ishim në rrugë dhe më shumë se për zotësi u bëmë ngaqë “tabela e Mendelejevit” u zbraps brenda natës, sot shumica e dërrmuese e gazetarëve janë diplomuar për gazetari. Por mjedisi ku punojnë dhe modeli nuk është ai më i miri. Kur pyet të rinjtë/studentët se cilin gazetar kanë si model, mjerisht modelet janë të “gabuara”. Këtu është miti i opinionistit/komentatorit/analistit dhe jo miti i reporterit. Po bëj një krahasim të ekzagjeruar. Dy reporterët që me hulumtimin e tyre rrëzuan njeriun më të fuqishëm të vendit më të fuqishëm në glob nuk u bënë asnjë ditë analistë, por vijuan për dekada të tëra, dhe vijojnë edhe sot e kësaj dite, punën e reporterit (gazetarët e Washington Postit dhe çështja e famshme e Watergate)

Të rinjtë në gazetari, sidomos gjatë dy dekadave të para patën një karrierë me shpejtësinë e Formula One; nga gazetar në kryeredaktor brenda pak muajve/viteve. Aq të rinj u bëmë kryeredaktorë sa rrezikuam të thyejmë direktivën e BE-së për punësimin e të miturve.

Dhjetëvjeçarin që po hyjmë gjithnjë e më shumë hapësirë po zënë “ndikuesit/influencers, media e politikanëve/institucioneve dhe botës së spektaklit. Media është e lirë, por jo e pavarur. Liria shfaqet më shumë në faktin që asnjë politikan (në pushtet apo opozitë) nuk është imun ndaj kritikës, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për “oligarkët” apo bosët e krimit. Së fundmi edhe këta kritikohen. por në jo pak raste portalet që i vënë në shënjestër janë në kërkim të  reklamave dhe klikimeve.

Mjedisi ligjor është përgjithesisht i favorshëm për lirinë e medias. Përveç Kushtetutës (neni 22 dhe 23) dua të përmend ligjin për të drejtën e informimit të publikut me dokumenta zyrtare. Një ligj shumë i mirë, por që po degradon në zbatim dhe që përdoret rrallë nga gazetarët. (Tentativa e fundit e qeverisë për të vënë rregull në mjedisin on line më shumë se për të rregulluar vetullat, rrezikonte të nxirrte sytë).

Numri i operatorëve mediatikë është shumë më i madh krahasuar me madhësinë e vendit, numrin e popullsisë dhe madhësinë e tregut. Mbijetesa sigurohet në kurriz të cilësisë. Më pak gazetarë në një media do të thotë më pak lajme të mira, më pak mundësi për verifikim. Sot lexojmë më shumë, por informohemi më pak. Me Pandeminë e Covid 19 erdhi dhe termi infodemi. Sasia dhe shpejtësia e lajmeve të rreme (fake news) është në përpjestim të zhdrejtë me aftësinë dhe mundësinë për të kontrolluar dhe verifikuar “lajmet”. Kontrollii dhe verifikimi i lajmeve kërkon gazetarë kurajozë dhe profesionistë që refuzojnë censurën dhe autocensurën. Sot më shumë se me censurën  gazetarët përballen me autocensurën e sofistikuar: nuk ka nevojë t’u thotë kush se i dinë më mirë se vetë pronarët se kë duhet të mbështesin, kë duhet të kryqëzojnë dhe me kë nuk duhet të merren. Në këtë pikë mjaft gazetarë i ngjajnë kaut balash që nuk ka nevojë t’a shpojë qerrexhiu, por vete dhe e vendos vetë qafën në zgjedhën e parmendës. Gazetarët sot, ndryshe nga gazetarët e “shekullit të kaluar” nuk janë më i vetmi burim informacioni për publikun, nuk është më media që përcakton axhendën e ditës apo lajmin më të rëndësishëm. Publiku sot vetëinformohet.

Gjëra që dje gazetarët as i shihnin në ëndërr dhe as i lexonin në romane fantastiko-shkencorë sot janë realitet. Interneti solli revolucionin e informacionit dhe çdo revolucion ka viktimat e veta. Sot flasim për post truth, për të vërtetën dhe për variante të së vërtetës,  për “fakte alternative”, për fake news, për ekstremizmin on line, për rrjetet sociale, për gazetari qytetare, për gazetari të dhënash, për gazetari NGO, për tendencën për të raportuar për veten. Për të perifrazuar një thënie të famshme: “gjithçka ka ndryshuar, problemet janë po ato”

-Si mendoni se është perceptimi i publikut për median në përgjithësi dhe figurën e gazetarit në veçanti? Cilët gjykoni si elementët e duhur që mund të përmirësojnë këtë imazh? Si e gjykoni besueshmërinë e medias sonë sot?

Barometri i fundit i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, rendit edhe median në tre institucionet që besohen më pak, pas politikës dhe gjyqësorit. Media po humbet besimin e publikut, vetë publiku po bëhet media përmes rrjeteve sociale…..Besimi i publikut kthehet atëherë kur media bën një shërbim publik. Megjithë bumin e rrjeteve sociale, publiku nuk e ka të lehtë të verë para përgjegjësisë pushtetin, apo të hulumtojë se çfarë bëhet me fondet publike dhe me besimin që i ka dhënë qeverisë. Një publik i mirëinformuar kërkon një media profesioniste.  Një sondazh i para dy viteve i (IDRA-s) tregon se 78% e të anketuarve (gazetarë, redaktorë, drejtues mediash) ngrenë shqetësimin e praktivave korruptive në media (bërja e kronikës për para apo përfitime të tjera). Ky është elefanti në dhomë që nuk e sheh askush, nuk raportohet dhe sigurisht as që investigohet. Pastrimi i shtëpisë është sfida më e madhe e medias sot. Para se të tregojmë qimen në sytë e të tjerëve duhet të merremi me traun në shtëpinë tonë. Ka ardhur koha për të ngritur një media për median. Pyetja e lashtë: kush e ruan“qenin roje” kërkon një përgjigje të shpejtë.

-Si e gjykoni ecurinë e lirisë së shprehjes dhe të medias gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicion dhe në ç’nivele gjendet aktualisht? A mendoni se gazetarët, redaktorët dhe kryeredaktorët i marrin vendimet në punën e tyre të përditshme mbi bazën e ndërgjegjes profesionale?

Liria e shprehjes dhe liria medias, si derivat i saj, janë arritjet më të mëdha, më të padiskutueshme të tranzicionit. Liria e shprehjes nënkupton edhe të drejtën për të sharë/fyer/lënduar dhe blasfemuar, por liria e medias është një territor më i ngushtë dhe media përdor këtë territor për të qenë e lirë që herë pas here me apo pa dashje të shkojë në limitet e lirisë së shprehjes. Por duke luajtur shumicën e kohës në sinoret e lirisë së shprehjes, rreziku është që do të përballesh me ligjin dhe ca më keq akoma të humbësh besimin e publikut. Jemi ende larg ditës që gazetarët, redaktorët, kryeredaktorët i marrin vendimet bazuar mbi ndërgjegjen e tyre profesionale dhe jo mbi interesat e pronarit/politikës/biznesit.

-Sot po përjetojmë nga njëra anë një krizë të medias, por njëherësh edhe një revolucion të saj. Në ç’raport mendoni se janë mediat tradicionale dhe mediat e reja në vendin tonë, dhe cili është ndikimi i këtyre të fundit?

Media tradicionale po përfitojnë nga kanalet e reja të komunikimit. Tashmë një lajm televiziv mund të ndjekësh në kanale të shumta përmes rrjeteve sociale, kur dëshiron ti si konsumator dhe jo kur është caktuar në programin ditor të televizionit. Një ndihmë shumë e madhe është ndërveprimi me audiencën. Rreziku është mbivlerësimi i likeve/pëlqimeve dhe kërkimi medoemos, me çdo kusht i të qenit viral….Audienca on line është një tregues i popullaritetit, por jo domosdoshmërisht i profesionalizmit. Ka një shprehje cinike që i shkon për shtat mburrjeve për mijëra like dhe qindramijëra shikime “në internet të gjithëve u duket vetja të mëdhenj”.  Media e re ka avantazhe të mëdha sa i përket kostos, shpejtësisë së dhënies së informacionit dhe thithjes së audiencave të reja. Media e re është terreni ideal për gazetarin universal. Por për fat të keq ajo që shihet rëndom është copy -paste i produktit të medias tradicionale në portale.  Ajo që mund të quhet pozitive është se mjaft portale kanë theks te gazetaria investigative që lëvrohet shumë pak nga media tradicionale. Faza e dytë që uroj të vij sa më shpejt është konsolidimi: edhe media e re, nuk bëhet me urdhër të peshkut, ka nevojë për njerëz, ka nevojë për profesionistë. Nëse ne kemi 600 portale lajmesh, pyetja është se a kemi 600 gazetarë të mirë? Në një ditë nuk ka më shumë se 10-15 lajme të mira, ngjarje dite- por këto 10-15 lajme i gjen njëlloj (edhe me gabimet ortografike) në 100 portale. Plagjiatura këtu jo vetëm është e dukshme, por shqetësuese për ato pak portale që investojnë në burime njerëzore dhe shohin punën e tyre të shpërdoruar brenda harkut të një minuti. Merr një portal të njohur apo gazetë ditore, lundro sa të duash në internet, shfleto faqe pa fund dhe nëse ke fat do të numërosh me gishtat e njërës dorë, emrat e reporterëve. Nëse i besojmë sondazheve, ende shumica dërrmueseve e njerëzve informohen përmes medias tradicionale (televizonit), por qartësisht media e re  po fiton terren me shpejtësi.

-Gazetaria duket se po kalon në një periudhe krize kudo në botë. Media e pavarur has vështirësi të mbijetojë në një treg ku mbizotëron sensacionalizmi, klientelizmi politik, dhe lajmet e rreme. Si e shihni të ardhmen për gazetarinë e pavarur në vitet në vijim? Jeni optimist apo pesimist?

Për gazetarë profesionistë do të ketë gjithnjë e më shumë nevojë – pikërisht për shkak të lulëzimit të fake news- për shkak të rritjes së propagandës dhe për shkak të cunamit të informacionit. Kur ndodh një ngjarje e madhe (lokale/rajonale/ndërkombëtare) instiktivisht ti shkon dhe kërkon media që kanë besueshmëri, kërkon firma të njohura, pra kërkon profesionistët. Vështirësia ka të bëj me faktin se po ndryshon modeli i biznesit. Reklamat ndjekin sytë e njerëzve, dhe gjithnjë e më shumë sytë e njerëzve janë tek celulari. Media tradicionale, por edhe ajo e re janë pak prapa për të përshtatur produktin e  tyre për formatin mobile dhe audiencat e reja.

Media tradicionale (në duar të privateve) gjithnjë e më shumë po shfaqet si shpatë dhe mburojë të interesit të ngushtë të pronarit se sa si zëdhënëse dhe mbrojtëse e interesit publik. Jam pesimist për të sotmen dhe të ardhmen e afërt dhe optimist për dekadën tjetër, optimist se besoj te teknologjia dhe ndoshta pas 40 vjetësh  zotëruesve aktual të medias tradicionale do t’u kthehet dëshira që ta “përdorin”  median për të “treguar historinë” dhe jo si sot për shtuar babëzinë.

-Media online dhe rrjetet sociale pa dyshim kanë sjellë një revolucion në aspektin e marrëdhënies që krijohet me publikun dhe komunikimin në përgjithësi. Si mendoni se ka ndikuar kjo dukuri në cilësinë dhe profesionalizmin e informacionit? Po gazetaria, si mendoni se po përshtatet me këtë?

E vërtetë që revolucioni ka ndodhur dhe po ndodh. Për median tradicionale vlen kujtesa se “epoka e gurit nuk mbaroi nga që shterruan gurët…”. Druaj se disa gazeta i ngjan orës që ka mbetur, por që të paktën dy herë në ditë e tregon saktë kohën. Meida e re po ushtron presion mbi median e vjetër- kjo duket qartë te shpejtësia e dhënies së informacionit, te ngjarjet live dhe te pamundësia për të fshehur ngjarjet që t’i do të dëshiroje të mos ishin në sytë e publikut të gjërë. Por ashtu si jo çdo gjë që shkelqen është ar, ashtu edhe media e re duhet parë me lupë.

Çukitje e informacionit është term i ri që i referohet produktit në median e re. Cilësia mbetet thembra e Akilit. Ka një deformim të profesionit që duket që në tituj. Titujt më shumë se përmbledhje apo ftesë interesante për të lexuar lajmin i ngjan më shumë fjalëkryqit. Në kërkim të klikimit, titujt janë spekulative…”Nuk do ta besoni se…”, “Ja çfarë po ndodh….”. “Vritet biznesmeni i njohur… ja emri”… dhe kur lexon informacionin mëson se biznesmeni i njohur është kinez, punon dhe jeton në Kinë dhe është vrarë në Kinë! Media e re po kalon on line, por sfidat e gazetarisë mbeten ato të vjetrat.

– Si mendoni se ka evoluar marrëdhënia ndërmjet medias dhe politikës ndër vite? Si e shihni zhvillimin e këtij raporti në të ardhmen?

Në fillim të viteve 90, media ishte tërësisht politike. Nuk ekzistonte dhe nuk ishte e mundur të flite për media të pavarur apo objektive. Gazetat e para ishin të gjitha partiake dhe gazetari ishte në një llogore me politikën. Më pas një pjesë e gazetarëve politikë u bënë politikanë dhe në fund metamorfoza bëhet e plotë kur politikanë bëhen botues/financues portalesh. Më duket se të ardhmen e kemi parë. Politikanët po bëhen vetë media përmes rrjeteve sociale. Duket se vetëm inercia po mban komunikimin e “vjetër” me gazetarët.  Njoftimet më të rëndësishme po vijnë përmes facebook, twitter dhe instagramit. Ka një debat të madh sot se cila është media më e madhe në Shqipëri. Më poshtë po rendis përgjigjen që ka dhënë kryeministri në një takim me familjen e tij politike. “Ne jemi media më e madhe në Shqipëri. Ne kemi në terren qindra mijë veta. Plus mrrokklat në xhep. Të bashkohen të gjithë bashkë mediat nuk na mundin dot në përpjekjen për të dhënë informacion lidhur me punët që bëjmë, por, nëse ne nuk e bëjmë këtë, atëherë boshi zë gjithmonë e më shumë vend, duke krijuar boshllëk brenda njerëzve”.

Kjo frazë  e lexuar në vitet 90 do të dukej si plagjiaturë nga ndonjë roman dystopik. Në atë kohë ky realitet ishte i paimagjinueshëm, sot është i pashmangshëm.Në Kanunin e Lek Dukagjinit thuhet “lajmësi nuk ka faj”. Sot lajmi dhe lajmësi janë bërë një.

Kur vjen puna te raportimi politik më shumë se raportim media bën paketim/zbukurim të materialeve të prodhuara nga politika.  Koha kur akuzat bëhen lajme të ditës dhe kundërakuzat lajme të së nesërmes. Qartësisht gjithnjë e më pak politika nuk ka nevojë për median, përderisa media bën vetëm raportim. Do të ndryshonte puna nëse media do të bënte investigim.

-Gazetaria profesioniste kudo në botë është në gjendje të vështirë edhe për një arsye madhore: ka ndryshuar modeli tradicional i biznesit, me hyrjen në lojë të internetit, medias online dhe rrjeteve sociale. Po në Shqipëri si e shihni këtë problem, dhe a shihni një model biznesi që është në gjendje të mbështesë një gazetari të pavarur, në interes të publikut?

Numri i mediave është shtuar, numri i popullsisë është pakësuar, fondet për reklama (në median tradicionale) po shterojnë dhe modeli i vjetër i biznesit është në pikëpyetje. Në mënyrë paradoksal problemi në Shqipëri nuk është se kemi pak, por se kemi shumë. Dinozaurët u zhdukën jo nga ndonjë forcë madhore, por se dështuan të përshtaten. Media tradicionale është e vonuar në diversifikimin e burimit të të ardhurave, është e vonuar në hyrjen në epokën digjitale dhe në thithjen e audiencave të reja. Pa përshtatje dhe inovacion e ardhmja është e zymtë. Mediat e NGO-ve po rriten, por vetëm falë donacioneve të donatorëve. Donatorët po japin para për këtë media të re jo se është model i përkryer biznesi, përkundrazi nuk janë model biznesi,  por po financohen si “mësim” në radhë të parë për pronarët e medias tradicionale që menaxhojnë median si armë personale që mund ta përdorin, për kërcënim, për gjueti dhe për të kapur fonde publke. Ndoshta ka ardhur koha të paktën të nisë eksperimenti për t’u financuar drejt përdrejtë nga publiku. Nuk më duket se është e largët dita kur vetë publiku do të financojë median së cilës i beson.

-Një nga fushat ku gjërat kanë ndryshuar më pak gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicioni postkomunist kanë qenë marrëdhëniet e punës në media. Cilat do të renditnit si problematikat më të mprehta në këtë fushë dhe si e shihni perspektivën?

Informaliteti ka ardhur duke u ulur, mediat e mëdha janë formalizuar me kohë, megjithëse nuk përjashtohet fenomeni i pagesës me dy bordero. Vonesa në marrjen e pagave, janë ende prezente.  Ka ende sot e kësaj dite gazetarë, të punësuar në media kombëtare, që më shpejt marrin kredi në bankë se rrogën. Inspektoriati Shtetëror i Punës, bën një punë shumë të lavdërueshme për të luftuar informalitetin edhe te shitësit e rrugës, por duket nuk ka këllqe të vendosë në shinat e ligjit informalitetin në media.

– Si do ta shihnit qasjen e medias ndaj problematikës së korrupsionit në vend dhe a gjykoni se gazetaria investigative mund të bëjë më shumë në këtë drejtim?

Çdo gazetari e mirë është gazetari investigative. Tonin hulumtimit për momentin po ja jep gazetaria që nuk funksionon si model biznesi,  gazetaria e NGO -ve që mbahet me fondet e donatorëve.  Kjo gazetari ushtrohet edhe nga emisionet satirike në disa televizione, por në jo pak raste ngrihen probleme të mëdha etike (përdorimi kamerave të fshehta, rendja pas “peshqeve të vegjël” dhe fenomeni i shëmtuar i gjobëvënies)  Portalet që ushtrojnë gazetari investigative dhe që nuk kanë si objektiv final “zhvatjen e reklamës: numërohen me gishtat e njërës dorë.  Edhe kur duket se bën gazetari investigative niveli i shënjestrës shkon deri te drejtor drejtorie- çka të kujton revistën satirike Hosteni në fund të viteve 80 të shekullit kaluar.  Gazetaria investigative për nga vetë natyra e saj e mban larg pushtetin në mënyrë që ta ketë në shënjestër. Kur pushteti dhe media i ngjajnë nofullave të gojës që bluan për të njëjtin stomak, gazetaria hulumtuese mbetet vetëm në tekstet shkollore dhe serialet e Netflix!

*Marrë nga bota.al