Opinion

Mesazhi i ditarit për vajzën time mjeke: Çfarë mbetet pas një lamtumire

Mesazhi i ditarit për vajzën time mjeke: Çfarë mbetet pas

Nga Dr. Silvana Shametaj Ruli

Sot, edhe pse ftohtë, ishte një mëngjes me diell. Sapo hyra në mëngjes në repart, mu kërkua të konfirmoja humbjen e një jete, përsëri. Shpesh herë reflektoj mbi misterin e lidhjes së jetës me vdekjen. Është një mbyllje e një rrugëtimi dhe pikërisht në ato çaste, më shumë se kurrë, është jeta ajo që më flet me më shumë forcë.

Vazhdoj, dhe pas 30 vitesh karrierë në repart, të mbetem shpesh pa fjalë.
Çdo pacient që kurojmë mbartet me një pjesë të jetës sonë. Kur i humbim, marrin me vete pjesë të historisë dhe emocioneve tona. Humba një mik dhe pacient special. Vazhdoj akoma të lexoj mesazhet e tij.
Sot një tjetër, në ditën e tij të lindjes.
Nuk ndodh shpesh që të humbësh një pacient në ditën e tij të lindjes. Por kur ndodh kjo koincidencë, perceptojmë në mënyrë supreme vlerën unike të jetës. Profesioni im është i mbartur me këto koincidenca të nisjes dhe arritjes, të fitores dhe humbjes, të gëzimit dhe dhimbjes.
Jam përpjekur të konsideroj pacientët që kuroj jo vetëm si emra që duhen kuruar, por mbi të gjitha si jetë që duhen vlerësuar. Çdo emër më ka shënuar me një prekje unike e më ka pasuruar me eksperiencë të çmuar. Çdo largim më ka lënë gjithmonë një mësim.
Në tavolinën e studios sime sot, një çokollatë extrafondente e ditëlindjes së pacientit që nuk është më me ne, më duket më e ëmbël se kurrë.

Bija ime e dashur, që sot je mjeke si unë, që të jesh e denjë të mbash këtë titull, nuk mjafton të kesh njohjen perfekte të njohurive shkencore. Nuk mjafton të kurosh fizikun në mënyrë ekselente. Nga aty vetëm nisemi…
Duhet të kesh aftësinë të mbartësh dhe të bësh të tuat historitë individuale të secilit që të jep privilegjin e të zgjedhurit si mjek. Të dish të mbartësh frikën e shpresat e atyre që lënë në duart e tua besimin dhe vlerën e jetës së tyre.
Është një udhëtim shumë i vështirë, shpesh herë edhe i dhimbshëm, por jashtëzakonisht i çmuar.
Sot mbart brenda meje humbjen e një miku, por edhe krenarinë dhe shpresën që ti, me energjinë tënde, kompetencën dhe delikatesën, do të dish të ecësh në këtë udhëtim me të njëjtin përkushtim timin e të gjyshit tënd mjek. Shpresoj që të dish të sjellësh dritë aty ku ka errësirë, forcë ku ka brishtësi.
Dhe sot, duke t’u drejtuar ty, më pëlqen të shoh të ardhmen e profesionit tim.