Arthur C. Brooks
Ndoshta biseda më mbresëlënëse që bëra kur shkruajta librin tim “Nga forca në forcë”, ishte me një grua rreth moshës sime. Ajo është jashtëzakonisht e suksesshme në Wall Street – ka bërë pasuri dhe është shumë e respektuar.
Mirëpo, së fundmi, ajo ka filluar të humbasë ndonjë hap aty-këtu. Vendimet e saj si menaxhere nuk janë aq të qarta sa dikur, instinktet e saj më pak të besueshme. Aty ku dikur komandonte sallën, tani sheh se kolegët e rinj dyshojnë tek vendimet e saj. Në panik nga shfaqja e mundësisë së rënies, ajo lexoi një artikull që kisha botuar dhe më pas, më shkruajti.
I bëra shumë pyetje për jetën e saj. Nuk ishte shumë e lumtur dhe nuk kishte qenë e lumtur për shumë vite – ndoshta asnjëherë. Martesa e saj ishte e pakënaqshme, tani pinte pak më shumë dhe marrëdhënia e saj me fëmijët në moshë kolegji ishte ok . . . por e largët. Ajo kishte pak miq të vërtetë. Punonte shumë orë deri vonë dhe shpesh ndihej e rraskapitur fizikisht. Puna ishte gjithçka për të – ajo “jetonte për të punuar” – dhe tani ishte e tmerruar se edhe kjo gjë kishte filluar t’i rrëshkiste nga duart.
Ajo m’i pranoi hapur këto gjëra, kështu që mund të mendoni se zgjidhja e pakënaqësisë së saj do të ishte e kollajtë. Dhe në të vërtetë, e pyeta përse nuk i korrigjonte burimet e pakënaqësisë së saj – të merrte kohë për të ringjallur martesën dhe për të kaluar më shumë kohë me fëmijët; të kërkonte ndihmë për zakonin e alkoolit; të flinte më shumë; të vinte në formë më të mirë. E dija që përpjekja e saj rraskapitëse në punë e kishte bërë atë të suksesshme, por kur kupton se diçka ka pasoja dytësore që po të shkaktojnë një gjendje të mjerë, gjen një mënyrë për ta rregulluar, apo jo? Mund ta duash bukën, por nëse bëheni intolerantë ndaj glutenit, nuk e hani më, sepse ju sëmur.
Ajo u mendua disa minuta për pyetjen time. Më në fund, më hodhi një vështrim dhe më tha: “Ndoshta do të preferoja të isha e veçantë, sesa e lumtur”.
Duke parë fytyrën time të habitur, më shpjegoi: “Çdokush mund të bëjë gjërat që duhen për të qenë të lumtur: të shkojë me pushime, të kalojë kohë me miqtë dhe familjen . . . por jo të gjithë mund të arrijnë gjëra të mëdha.” Fillimisht u talla me këtë, por më pas e mendova më thellë në intimitetin e mendjes sime. Dhe kuptova që këtë zgjedhje e kam bërë edhe vetë, në disa momente të jetës sime. Ndoshta edhe shumicën e kohës, nëse dua të jem i sinqertë me veten.
Financierja kishte shpenzuar shumë vite duke krijuar një version të vetes që të tjerët do ta admironin – duke përfshirë edhe disa që kishin vdekur, si prindërit e saj. Më e rëndësishmja, vetja e saj e kuruar ishte një person që do ta admironte – një ekzekutive jashtëzakonisht e suksesshme dhe punëtore. Dhe ia doli! Por asgjë nuk është e përhershme, dhe tani ajo ndjehej sikur çdo orë pune i jepte më pak se e kaluara, dhe jo vetëm më pak lumturi – më pak fuqi dhe prestigj gjithashtu. Problemi i saj ishte se “e veçanta” që kishte krijuar, ishte më pak se një person i plotë. Mund të themi se, ajo e kishte shkëmbyer veten me një simbol të vetes.
Shumë shpesh ua bëjmë këtë njerëzve të tjerë: i reduktojmë në një ose dy karakteristika të lakmueshme si bukuria fizike, paraja ose pushteti. Ky quhet “objektivizim”. Njerëzit e famshëm tregojnë shpesh, se sa e tmerrshme është të objektivizohen në këtë mënyrë. Martesat e bazuara në objektivizim – martesa për para, për shembull – dështojnë pashmangshmërisht në mënyrë të mjerueshme.
Ne e dimë në zemrat tona se objektivizimi i të tjerëve është i gabuar dhe imoral. Por është e kollajtë të harrojmë se mund t’ia bëjmë edhe vetes. Shoqja ime financiere e kishte objektivizuar veten sikur ishte e veçantë, me një vetëpërkufizim që sillej rreth punës, arritjeve, shpërblimeve të kësaj bote dhe krenarisë. Edhe pse ai objekt po gërryej ngadalë, ajo ishte shumë e lidhur me suksesin e saj botëror, për të bërë ndryshime që tani mund t’i sillnin lumturinë.
Ajo ishte e varur nga puna dhe, thellë-thellë, nga suksesi. Si të gjitha varësitë, edhe këto e kishin dehumanizuar. Ajo e shihte veten jo si një person të plotë, por më shumë si një makinë me performancë të lartë – ose ndoshta një makinë që dikur kishte performancë të lartë, por tani po shfaqte shenja konsumimi.
Fjalët e financierit më kujtuan diçka, por nuk munda të vë gishtin mbi të për disa ditë. Por më pas, m’u kujtua: një bisedë vite më parë me një mik që kishte kaluar një kohë të gjatë duke luftuar me alkoolizmin dhe varësinë nga droga. Ai më kish treguar se ishte dëshpërimisht i pakënaqur gjatë gjithë varësive të tij dhe e dinte mirë këtë. I bëra një pyetje të thjeshtë: “Nëse ndiheshe i mjerë, pse vazhdoje?” Ashtu si financierja, u ndal pak, para se t’më përgjigjej. “Më interesonte më shumë të isha high (i bërë), sesa të isha i lumtur,” më tha ai.
Tani e kuptova: njerëzit që zgjedhin që, më mirë të jenë të veçantë sesa të lumtur kanë varësi. Ndoshta ju tingëllon e çuditshme. Imagjinoni një person të dhënë dëshpërimisht pas pijeve alkoolike. Ndoshta personi që imagjinoni është poshtë nga humori, duke u vetë-mjekuar prej traumave të një bote të ashpër. Ndoshta nuk e imagjinoni të tillë, dikë që është i suksesshëm dhe punëtor. Kanë më pak gjasa të bien pre e varësive, apo jo?
Gabim. Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), gjasat për të pirë alkool rriten me nivelin e arsimit dhe statusin socio-ekonomik. Disa besojnë – dhe unë jam dakord, bazuar në punën time – se njerëzit që kanë punë me presion të lartë priren të vetë-mjekohen me alkool, duke përfshirë pijen në nivele të rrezikshme, gjë që mund të çaktivizojë ndjesinë e ankthit – përkohësisht.
Por alkooli nuk është varësia e vetme ndaj së cilës janë të prirur njerëzit, apo ndoshta edhe më e keqja. Një nga varësitë më të shëmtuara dhe më virulente që kam parë është të dhënit pas punës. Termi workaholic u krijua nga psikologu Wayne Oates në vitet 1960 pasi djali i tij i kërkoi një takim në zyrë Oates për ta takuar, aq e pakët ishte koha e babait të tij. Oates e përkufizoi workaholizmin në 1971 si “detyrim ose nevojë e pakontrollueshme për të punuar në mënyrë të pandërprerë”.
Udhëheqësit që punojnë me orë të vështira shpesh më thonë se nuk kanë zgjidhje, nëse duan të bëjnë punën si duhet. Por unë nuk e besoj. Kur gërmoj pak – në jetën time dhe në jetën e të tjerëve – zakonisht zbuloj se këta persona kanë ngecur në një rreth vicioz: ata bëhen të suksesshëm duke punuar më shumë se të tjerët – dhe si pasojë më shumë se sa është “e nevojshme” – por besojnë, se u duhet ta mbajnë e madje ta shtojnë ritmin, për të ruajtur produktivitetin e tyre astronomik. Shpërblimet që sjell ky produktivitet ia lënë vendin frikës se mos ngecin, e cila shërben si shtysë për të vazhduar vrapimin. Shpejt, puna zhvesh marrëdhëniet dhe aktivitetet e jashtme. Edhe pak, dhe puna është gjithçka që i mbetet personit, duke përforcuar kështu ciklin.
Workaholism-i ushqen frikën dhe vetminë; frika dhe vetmia ushqejnë workaholismin.
Ndoshta ju mund të shihni veten tek kjo. Unë mundem. Ne duhet t’u shkojmë deri në fund këtyre problemeve – objektivizimit të vetvetes, workaholismit dhe, mbi të gjitha, varësisë nga suksesi – që na lidhin me rënien tonë të pashmangshme profesionale. Por më e rëndësishmja, duhet t’i shpëtojmë këtyre tiranive në mënyrë që të mund të bëjmë kërcimin drejt suksesit të ri.
Publikuar fillimisht te bota.al