Opinion

Në botën e çuditshme të Richard Grenellit

Në botën e çuditshme të Richard Grenellit

Ndërmjetësimin në konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, Grenelli e pa edhe si shans për një flakaresh kundër Gjermanisë, e cila - këtu Grenell ka të drejtë! - qe gati një dekadë ka rënë në gjumë të thellë sa i përket angazhimit në Ballkan. Por a mund të përjashtohej gati krejtësisht BE nga procesi, siç synohej nga Grenelli me mendjelehtësi? Ai thoshte se është në kontakt me europianët, por askush prej tyre nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë. Biseda joformale me europianë mund të ketë pasur, por veprim të përbashkët jo. Për herë të parë në tri dekadat e fundit BE dhe SHBA veprojnë paralelisht në Ballkan. Mungesa e koordinimit transatlantik është dëm i madh si për raportet mes shteteve perëndimore, ashtu edhe për kredibilitetin e tyre në vatrat e krizave - edhe përtej Ballkanit.

Grenelli fliste, për shembull, për një linjë ajrore mes Beogradit dhe Prishtinës duke e lutur një kompani ajrore gjermane për ta kryer këtë shërbim - ndërkohë që Berlini faktikisht përjashtohej nga negociatat. Marrëveshjet nënshkruheshin në Berlin e München, por europianët s'dukeshin fare. Flitej për autostradën që do të lidhte Nishin me Kosovën, ndërsa financimin e kishte premtuar Bashkimi Europian, jo Richard Grenelli. Disa të dhëna për projektin e autostradës, siç i ka prezantuar Radio Europa e Lirë, një radio e financuar nga Amerika: për ndërtimin e rrugës moderne prej Nishit deri në Merdare vitin që shkoi është nënshkruar një marrëveshje për kredi në vlerë prej 100 milionë euro. Marrëveshja është nënshkruar nga pala serbe me Miguel Morgadon, drejtor i Sektorit të Ballkanit Perëndimor në Bankën Europiane të Investimeve. Pastaj është nënshkruar edhe një kontratë ndihme prej 40,6 milionë eurosh. "Pjesa tjetër e parave, deri në 250 milionë euro, do të sigurohet përmes një kredie të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe buxhetit të shtetit serb. Vlera e trasesë së dytë prej 44 kilometrash nga Ploçniku deri në Merdare, në kufi me Kosovën, do të kushtojë rreth 570 milionë euro", thuhet në raportin e Radio Europa e Lirë. Richard Grenelli fliste për projekte të cilat do t'i financonin europianët. BE ka ndarë 76,4 milionë euro për rinovimin e Termocentralit Kosova B dhe ndërrimin e elektro-filtrave dhe reduktimin e pluhurit.

Qasja e Grenellit si ndërmjetësues ishte shpeshherë e njëanshme. Edhe në SHBA politikanë demokratë dhe njohës të zhvillimeve në Ballkan e kanë kritikuar emisarin e Trumpit për presion vetëm kundër njërës palë - asaj kosovare. Tek në javët e fundit Serbisë iu kërkua hapur të ndalë fushatën për delegjitimimin e shtetësisë së Kosovës. Nuk ka shenja se Serbia e ka ndërprerë këtë fushatë. Kërcënimi indirekt se SHBA-të do të tërheqin trupat nga Kosova, i bërë nga familjarë dhe adhurues politikë të Trumpit, ishte shembull eklatant i "ndërmjetësimit" të njëanshëm. Ky veprim drejtohej edhe kundër europianëve dhe kështu hidhej poshtë përbetimi i dikurshëm transatlantik se "aty ku hyjmë bashkë, dalim bashkë".

BE ka bërë gabime të mëdha në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e fuqishme europiane e kanë ndëshkuar popullin e Kosovës, duke mos ia hequr vizat. (Grenell edhe këtu ka të drejtë me kritikën e tij). Por ky ndëshkim që europianët po ia bëjnë kosovarëve nuk vjen nga qielli i kthjellët. "Po e ndëshkojmë një popull për shkak të liderëve të korruptuar. Kjo është e padrejtë, por politika e shteteve të mëdha jo përherë është e drejtë", thotë një diplomat i një shteti jo aq të madh europian. Mund të argumentohet kështu: a janë më pak të korruptuar politikanët e Ukrainës, shtetasit e së cilës gëzojnë liri të lëvizjes në Zonën e Schengenit? Jo, nuk janë. Por Kosova në dekadën e fundit, për shkak të betejave brutale në politikën e brendshme, e ka humbur shansin për të krijuar imazh të ri në BE dhe fituar liberalizimin e vizave. Beteja epike për marrëveshjen kufitare me Malin e Zi, mosluftimi i korrupsionit, mungesa e zhvillimit ekonomik që nxit migrimin masiv janë disa nga arsyet e ngurrimit të europianëve për heqjen e vizave. Por në thelb kemi të bëjmë me ndëshkim politik nga ana e BE.

Synimi i Grenellit për ta lënë anash BE-në herët apo vonë do të dështonte. Gabimi tjetër i Grenellit ishte se në rajon i konsideroi si partnerë të vetëm liderët autokratë dhe polarizues. Kryetarit të Kosovës, për fatin e keq të vendit, gjatë gjithë këtyre viteve i rrinte mbi kokë një re e zezë: aktakuza e mundshme nga Gjykata Speciale. Richard Grenell dhe sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, e kanë ditur se ekziston një re e zezë. E ka ditur edhe kryetari i Kosovës, i cili indirekt e luste Pompeon, ish-shefin e CIA, ta rishqyrtonte ndërprerjen e punës së Gjykatës Speciale. Muajve të fundit kryetari i Kosovës tha se do të tërhiqet nga politika, se mezi po e pret ditën kur do t'i kthehet jetës private. Ky paralajmërim për tërheqje dukej pak i besueshëm, nëse merret parasysh se në dy dekadat e fundit ushqimi kryesor i kryetarit të tanishëm të Kosovës ka qenë politika. Dhe si të largohet nga politika një politikan, i cili falë talentit të tij për kurthe, këmbëngulje dhe beteja të gjata e ka sjellë vendin me një gisht? Këtë ia kanë bërë të mundur edhe kundërshtarët e dobët politikë. Por ky nuk është faji i kryetarit të Kosovës.

Ku gjendet Kosova tani? Ideja për ta ndarë vendin tani për tani dështoi, por nuk vdiq! Sepse është investuar shumë në këtë ide. Së paku 30 vjet nga Serbia. Pastaj idenë e përqafuan edhe disa politikanë shqiptarë në Prishtinë dhe Tiranë. Kur më 2008 u shpall pavarësia e Kosovës, Serbia mori sinjalin se loja mbaroi. Më 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vulosi mëvetësinë e Kosovës në kufijtë ekzistues. Po atë vit filluan hallet e mëdha të disa politikanëve të Prishtinës: tuteshin se mund të akuzohen për ndonjë poshtërsi gjatë apo pas luftës. Po në ato vite (2010/2011) politikanët serbë thanë se Kosovën duhet ndarë me Shqipërinë. Kjo ide u pëlqeu edhe disa të ashtuquajturve socialistë në Tiranë pasi morën pushtetin me 2013. Nisën bisedat sekrete. Nisi pagesa masive e grupeve lobiste. U shfrytëzua autoriteti i Bob Dolit për të depërtuar te administrata e Donald Trumpit. U krijuan kontakte me presidentin francez për të shtyrë përpara projektin, që e kishte toleruar Federica Mogherini. Si aleat i heshtur valles iu bashkua edhe kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz. Nuk ishin larg projektit as sllovenët. Jo rastësisht në takimin e Alpbachut në Austri ishte i pranishëm edhe presidenti slloven. U kontaktuan diplomatë të pensionuar për të shkruar marrëveshjen eventuale.

Befas liderët autokratë të Kosovës dhe Shqipërisë e panë ndarjen e Kosovës si mundësi të mirë për të shpëtuar pushtetet e tyre: njëri në Prishtine besonte se do shndërrohej në faktor paqeje dhe do merrte Nobelin bashkë me ish-ministrin e propagandës të diktatorit serb, tjetri në Tiranë kujtonte se prishja e kufijve të Kosovës do ta bënte "baba të kombit" dhe do t'ia siguronte pushtetin për disa dekada. Kështu nuk do të duhej të jepte llogari në Shqipëri për keqqeverisje. Presidenti serb ua ushqente egon liderëve shqiptarë duke iu thënë: "Serbët dhe shqiptarët janë dy popujt më të mëdhenj të Ballkanit, le të merremi vesh njëherë e përgjithmonë". Ideja pas kësaj fjalie: Serbia të marrë një copë territor të Kosovës, pjesa tjetër po deshi mund t'i bashkohet Shqipërisë. Këtë ofertë presidenti serb nuk e bënte për arsye altruiste: me prishjen e kufirit të Kosovës do të zhbëhej edhe ideja e Kosovës si shtet dhe për Beogradin do të hapeshin mundësi për të vënë në pyetje edhe shtetësinë e Bosnjës. Si mund të bëheshin gjithë këto pa europianët? Sa naivë duhet të jesh për të hyrë në aventura të tilla?

Në bisedime me Serbinë u futën politikanë shqiptarë të shantazhueshëm, sepse hallet e tyre personale - dyshimet për krim dhe korrupsion - i shndërruan në halle nacionale. Projektit iu bashkuan edhe një pjesë e mediave që vallëzojnë sipas muzikës së pushtetit. Një kategori e pjesëtarëve të shoqërisë civile besonte se ka politikanë të paprekshëm, këtu e fusnin edhe kryetarin e Kosovës. Tash nga loja janë dëbuar disa nga protagonistët e ndarjes, por loja vazhdon. Pasi Serbisë i është ofruar territor dhe kjo ofertë dështoi, Serbia nuk do të kënaqet nëse nuk e fiton së paku një "republikë serbe" brenda Kosovës. Kutinë e ofertave e kanë hapur ata që kanë folur fshehurazi për prishje të kufijve. Dhe tash europianët po përpiqen të marrin kontrollin në negociata. Nuk duhet pritur shumë. "Republikë serbe" brenda Kosovës apo ndarje: çfarë po doni? Kjo do të jetë oferta në të ardhmen. Në këtë qorrsokak Kosovën e ka futur klasa politike e papërgjegjshme. E cila ende është në pushtet. Tash edhe me unitet maksimal është vështirë të arrihet ndonjë mrekulli.