Opinion

Në fund të gjithë i shtrin përtokë korrupsioni

Në fund të gjithë i shtrin përtokë korrupsioni

Nga Enver Robelli/ Kur të gjithë janë të korruptuar apo përshkruhen e dyshohen si të tillë, duhet minimum një dekadë (në rastin më të keq dy dekada) për t’u etabluar një alternativë e re politike. Nëse një ditë alternativa demaskohet si grup keqpërdorimi (zakonisht nga fundi i mandatit të parë dhe në tërë mandatin e dytë), atëherë qytetarëve nuk u mbetet tjetër veçse dëshpërimi që shpesh epilog ka ikjen nga vendi. Ka një dalje nga çdo qorrsokak: sa më shumë zgjedhje demokratike dhe ndëshkim politikanësh. Demokracia është një betejë e përditshme për më të mirën e mundshme

Përkthyer nga latinishtja fjala korrupsion domethënë “ryshfet”, “ligësi”, “shembje”. Kur flitet për korrupsion në kontekst të shtetit, kjo domethënë se dikush keqpërdor pozitën profesionale apo një post publik për t’i krijuar favore vetes dhe për të dëmtuar të tjerët. Në fund të gjithë i shtrin përtokë korrupsioni. Herët apo vonë. Më mirë herët, sepse atëherë dëmi është më i vogël.

Dallohen tri lloje korrupsioni. Korrupsioni situativ, i cili kryhet pa ndonjë planifikim paraprak. Korrupsioni strukturor, i cili ngjet në bazë të marrëdhënieve afatgjata korruptive, të cilat krijohen para kryerjes së veprës penale. Te korrupsioni strukturor asnjë veprim nuk është spontan. Korrupsioni sistemor është më së paku i dukshëm, ngase është i shtrirë gjerësisht në të gjitha shtresat e shoqërisë dhe në sistemin politik.

Përveç dëmit material, korrupsioni shkakton dëme jomateriale, përfshirë dëmtimin e besimit të qytetarëve në pavarësinë, jokorruptueshmërinë dhe kapacitetin për të vepruar nga ana e shtetit. Dëmi më i madh që i bëhet besimit të qytetarëve ndaj shtetit është veprimi selektiv i drejtësisë. Fundja, të dyshuarit për korrupsion, pa marrë parasysh cilit kamp politik i takojnë, me shpërdorimin e parasë publike kanë dëmtuar të gjithë qytetarët, duke i vënë në plan të parë interesat private.

Në thelb korrupsioni është keqpërdorim i besimit të falur. Pasojat janë të rënda: proceset politike ngecin, qëllimet e reformave dështojnë, përfaqësimi demokratik i qytetarëve po ashtu dështon, administrata nuk punon me efikasitet. Më së shumti nga korrupsioni vuajnë të varfrit, gratë e fëmijët. Qasja e tyre ndaj shërbimeve publike e shëndetësore dhe institucioneve arsimore (gati) pamundësohet nga korrupsioni.

Për të shpëtuar nga murtaja e korrupsionit, është e domosdoshme që shteti të ketë një drejtësi efikase dhe joselektive. Nga ky ideal shtetet si Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia janë tepër larg. Rrjedhimisht, guximi i politikanëve për të futur duart në arkat e shtetit është i madh. S’kanë frikë. Sepse s’ka drejtësi! Kur drejtësia vepron (qoftë edhe me veprime selektive), është interesante të shohësh si bien maskat. Llafazanët publikë i mallkojnë idhujt e tyre të derisotëm. Idhujt i mallkojnë menjëherë llafazanët. Akuzat janë të ngjashme: ti, politikan, je i korruptuar, jo ti, llafazan publik, je i korruptuar! Sa mirë e njohin njëri-tjetrin të përlyerit në ujërat e zeza të korrupsionit.

Kur të gjithë janë të korruptuar apo përshkruhen e dyshohen si të tillë, duhet minimum një dekadë (në rastin më të keq dy dekada) për t’u etabluar një alternativë e re politike. Nëse alternativa demaskohet si grup keqpërdorimi (zakonisht nga fundi i mandatit të parë dhe në tërë mandatin e dytë), atëherë qytetarëve nuk u mbetet tjetër veçse dëshpërimi që shpesh epilog ka ikjen nga vendi. Ka një dalje nga çdo qorrsokak: quhet zgjedhje demokratike. Në viset shqiptare do të ishte mirë që, përveç kësaj, mandatet e kryeministrave të kufizohen në 8 vjet. Nuk ka qenë kokëbosh ai që në Amerikë edhe mandatin e presidentit e ka kufizuar në 8 vjet. Asgjë nuk i frikëson më shumë politikanët se kur e shohin fundin e mandatit në horizont.

Në shoqëritë me kulturë jo aq të zhvilluar demokratike, ndryshimet e shpeshta të qeverive dhe kabinetet e përbëra mundësisht me më shumë se një parti, janë një garanci e vogël për frenimin e korrupsionit. Nëse një parti e vetme gëzon pushtet pothuaj të pakufishëm, rreziku është i madh që monedhë e vetme e qeverisjes të bëhet - arroganca, injorimi i çdo kritike, kapardisja me projekte të mëdha, ambiciet qesharake për të rregulluar problemet e botës. Nëse s’është arritur të shporret në mandatin e dytë, mandati i tretë i qeverive të tilla është fatal për fatin e vendit. Shembulli shihet nga Kukësi e teposhtë. Shoqëria e Kosovës duhet të tregojë pjekuri politike edhe në vitet e ardhshme për të mos lejuar asnjë tendencë autoritare.