Opinion

Ne që kemi ndërtuar një shoqëri pa përmbajtje. Përfshi mua me Shqiptarët e Mrekullueshëm

Ne që kemi ndërtuar një shoqëri pa përmbajtje.

Rudina Xhunga ka mbajtur një fjalë të gjatë në lidhje me ngjarjet tragjike të ditëve të fundit, aksidentit në Vlorë dhe vrasjeve në Velipojë. Monologun e saj në Dritare Tv e ka postuar në rrjete sociale ku bashkëngjitur me videon shkruan: “Javën që shkoi vramë tre fëmijë.

Ne që kemi ndërtuar një shoqëri pa përmbajtje, vetëm sipërfaqe, edhe unë, që sado përpiqem të tregoj për shqiptarë të mrekullueshëm, si portrete orientuese mes kaosit, kam bërë asgjë”.

Ne që kemi ndërtuar një shoqëri pa përmbajtje.


Fjalët e saj:

Ne vramë tre fëmijë. Dy vajza i vramë në ditën e parë të pushimeve. Ishin duke kënduar dhe duke gëzuar që do shkonin të takonin nënën. Kështu tha gjyshja e dy vogëlusheve që po vinin nga Greqia, për në Vlorë, për të takuar gjyshen. Një djalë 22-vjeçar i vrau ato. Unë nuk di ndonjë fjalë tjetër, përveçse i vrau ato. Sepse nuk mund të them që ishte një aksident. Aksident është kur ti gabon në parakalim. Aty nuk kishte një parakalim. Kalova në vendin ku u vranë vajzat e vogla dhe prindërit e tyre, aq sa mezi dallohej vendi që tashmë e kemi harruar. E kemi harruar sepse një ngjarje tjetër tragjike i zuri vendin. Një djalë i vogël, 19-vjeçar, në ditën e tij të parë të punës, u gjend mes breshërive të dy palëve të çmendura që nuk meritojnë të bëjnë turizëm në Shqipëri. Ata vranë njëri-tjetrin për ca krevate me shumë dhe aty ngeli një i vdekur i pafajshëm, një djalë që është në ndërgjegjen e secilit, një 19-vjeçar që edhe emrin ia thamë gabim. E quajtëm Myzerim, në fakt djali i vogël quhet Musaen. Ja, fotografitë e prindërve dhe fëmijëve që vramë ne.

E morëm sot nënën e Musaenit në telefon, Anilën. Asnjëherë nuk e kam kuptuar sesi njerëzit që kanë humbje tragjike, flasin. Flasin sepse ata nuk e besojnë akoma. Anila Zeneli foli për ‘Shqip’ në Dritare Tv dhe tha: Ishte shumë i gëzuar djali, gëzonte shumë për ditën e punës. Në orën 06:30 të mëngjesit kishte shkuar në punë si ngahera. Anila punon në morgun e spitalit. I dhanë dis arroba me gjak për të larë, i lau. Nuk më tha askush, por zemra ime e ndjeu. U thashë që djalin e kam në morg, por më thanë jo. E gjithë ngatërresa ishte për shkak të emrit. Ishte djali që disa ditë më parë e kishte veshur dhëndër për maturë, që e kishte përcjell për punë. Çdo fjalë që unë them është patetike. Patetizmat e secilit prej nesh për të larë gojën dhe mendojmë se mbaroi aty. E shikojmë larg vetes dhe shpesh mendojmë të tmerruar, po sikur të na ndodhë neve. Nuk është momenti për të thënë po sikur, por është momenti për të thënë: Po, do na ndodhë neve po nuk folëm. Po vazhduam me hartimet patetike, me këta njerëzit që i qajnë në Facebook pa ua ditur as emrin dhe pastaj vazhdojnë jetën dhe postimet në rrjete sociale. Shqipëria është në një moment jetik dhe kritik. Është momenti që sa më shumë njerëz të kenë për të thënë diçka, aq më mirë. Do t`ju ftoja që gjithsecili të bëjë diçka për nënën e djalit. Kur e pyetëm për çfarë kishte nevojë tha: Ta mendojë shteti për çfarë kam nevojë. Shpirti im e di ç`po heq. Një numër llogarie që është i asaj, po qarkullon në rrjet. Të mos shkojë prapë në morg ajo grua, në vendin ku për herë të fundit lau rrobat e të birit.