Opinion

Nëse e lexon deri në fund këtë artikull do mësosh sa për një libër

Për lagjet e Gjenevës në Kosovë dhe fshatrat kosovare në Gjenevë, për Çajupin, Nolin dhe Dora D’Istrian në Zvicër: fjala e Enver Robellit para lexuesve në Panairin e Librit në Gjenevë.

Nëse e lexon deri në fund këtë artikull do mësosh sa


Nga Enver Robelli/ Ky është promovimi i nëntë me radhë i librit tim më të ri. Këto promovime më kanë çuar nga Zürichu në Stockholm, nga veriu i lartë — përmes Berlinit, Münchenit, Vjenës, Stuttgartit, Zagrebit — deri në Strugë, buzë liqenit të Ohrit. Jam i gëzuar dhe i privilegjuar të jem tani mes lexuesve në Gjenevë, pranë një liqeni tjetër, të famshmit Lac Léman.

****

Diçka të vlefshme kam mësuar — përsëri — nga promovimet e deritanishme: na duhen më shumë libra, na duhen më shumë takime të tilla si ky sot, na duhen më shumë aktivitete kulturore — si përgjigje ndaj përditshmërisë toksike e të zhurmshme, ideologjive primitive dhe besëtytnive boshe. Siç e ka thënë aktorja amerikane Helen Hayes: “Nga prindërit mësojmë të duam, të qeshim dhe të ecim. Por tek pasi biem në kontakt me librat, zbulojmë se kemi krahë”. Krahë me fluturu!

****

Ndoshta e dini se Gjeneva i ka disa lagje në Kosovë. Një lagje e tillë gjendet në fshatin Smirë të komunës së Vitisë. Kush ka qenë në Smirë, e di se oborret e shtëpive janë të rregulluara si vilat pranë liqenit të Gjenevës. Edhe bari në ato oborre është i kositur me saktësi milimetrike. Pse është ashtu? Qe pse: sepse në Gjenevë jetojnë disa qindra banorë të fshatit Smirë. Ata kanë ndërtuar shtëpi në Smirë. Ata kanë sjellë nga Zvicra lloj-lloj veglash, përfshirë edhe makinat për kositjen e barit. Ekziston edhe një shoqatë në Gjenevë me emrin e fshatit Smirë. Kjo shoqatë është një lloj enti social. Nëse dikujt i prishet kulmi i shtëpisë në Smirë, ka të ngjarë që shoqata “Smira” nga Gjeneva t’ia dërgojë hallexhiut paratë për meremetim brenda 24 apo 48 orësh. Është fascinante të shohësh se si njerëzit në mërgim me paratë, profesionalizmin dhe përvojën e tyre i kanë ndryshuar për të mirë fshatrat e Kosovës. Një lagje tjetër e Gjenevës në Kosovë është fshati Zhegër, vendlindja e Agim Ramadanit. Më duket sikur Agim Ramadani ka qenë banori i vetëm nga Zhegra që ka jetuar në Zürich. Të gjithë mërgimtarët e tjerë nga Zhegra jetojnë në Gjenevë. Madje edhe ata që nuk jetojnë, besojnë se jetojnë në Gjenevë.

****

Gjeneva është quajtur me ironi metropoli më i vogël i botës. Duke qenë seli europiane e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Gjeneva është një mozaik popujsh. Shumë kosovarë që në vitet 90-të kanë jetuar në Zvicër, më shumë se qytetin e Gjenevës e kanë njohur oborrin e selisë së OKB-së në Gjenevë. Aty vinin nga të gjitha anët e Zvicrës për të protestuar kundër represionit në Kosovë.


Gjeneva.
Tani shqiptarët e Zvicrës gjermane nuk kanë arsye patriotike të vijnë në Gjenevë. Ndonjëri si puna ime vjen në Gjenevë e rrethinë për të shijuar natyrën. Ka të tjerë që ndoshta vijnë për të blerë një orë në punëtorinë e orëtarit Rexhep Rexhepi. Ky nuk është i Smirës, por i Zhegrës. Në vitin 2012, në 25-vjetorin e lindjes, Rexhep Rexhepi hapi punëtorinë e tij në Gjenevë. Më 2019 për talentin e tij shkroi “New York Times”, gazeta më e rëndësishme e kësaj bote. Pastaj shkroi sërish në vitin 2020 dhe më 2021. Së fundi emrin e punën e tij “New York Times” e përmendi më 18 janar të këtij viti. Kaq shpesh në “New York Times” ndoshta përmendet vetëm Xherdan Shaqiri, edhe ky nga Zhegra.

****

Qyteteve të rëndësishme u këndohen këngë. Frank Sinatra i këndon New Yorkut. Bendi legjendar britanik Deep Purple më 1972 ia kushtoi liqenit të Gjenevës këngën “Smoke on the Water”. Një vit më parë gjatë një koncerti të Frank Zappas në Festivalin e Xhazit në Montreux një vizitor i pakujdesshëm ia vuri flakën një kazinoje. Shtëllungat e tymit mbi liqen e inspiruan bendin Deep Purple për hitin e tyre për Gjenevën. Siç po e shihni: nganjëherë ia vlen ta hidhni cigaren e ndezur në kazino!

****

Gjeneva është qytet i hapur ndaj botës. Është qytet i filozofit Jean-Jacques Rousseau. Do të mund të numëronim deri në mesnatë numrin e vizitorëve të famshëm të këtij metropoli, andaj po i biem shkurt: filozofi francez Voltaire ishte këtu, por edhe klasiku gjerman i letrave Goethe, arkitekti zviceran Le Corbusier, kompozitori hungarez Franz Liszt, shkrimtari rus Fjodor Dostojevski e shumë e shumë të tjerë.

****

Më 1816, pas kthimit nga Greqia dhe viset shqiptare në Tepelenë e rrethinë, erdhi e jetoi disa muaj në Gjenevë Lordi Byron. Më saktë: jetoi në vilën Diodati afër Gjenevës. Më 1855 aristokratja me origjinë shqiptare Elena Gjika, e njohur edhe me emrin Dora D’Istria, bëri dy hapa të rëndësishëm: braktisi Rusinë dhe burrin e saj rus. Lirinë e saj të re ajo e përjetoi edhe në Gjenevë, e nganjëherë edhe në alpet e Zvicrës. Përveç feministe, ajo ishte edhe alpiniste. Në vitin 1887 apo 1888 u shpërngul në Gjenevë një djalë i lindur në trevën e Zagorisë në jug të Shqipërisë së sotme. Ai quhej Andon Zako Çajupi. Në Gjenevë u bë jurist për të mbetur përgjithmonë poet — herë gjuhëshpatë, herë gojështurur.

****

100 vjet më parë, në shtator të vitit 1924, Fan Noli erdhi në Gjenevë si kryeministër i ri i Shqipërisë dhe mbajti një fjalim në Lidhjen e Kombeve, pararendësen e Kombeve të Bashkuara. Fjalën ia dha ministri zviceran Giuseppe Motta, i cili drejtoi punimet e asamblesë së Lidhjes së Kombeve më 1924. Motta tha: “Kërkoj leje t’i drejtohem asamblesë duke njoftuar se folësi i fundit është imzot Fan Noli, i pari delegat i Shqipërisë. Kam nderin ta përshëndes si kryetar të qeverisë shqiptare. Shqipëria dhe Zvicra janë shtete të vogla, andaj përfitoj nga ky rast të shtoj se të gjitha shtetet anëtare të Lidhjes së Kombeve janë të barabarta para ligjit”.

****

Në barazinë para ligjit besonin edhe klerikët katolikë Gjon Bisaku, Shtjefën Kurti dhe Luigj Gashi, të cilët në vitin 1930 iu drejtuan Lidhjes së Kombeve në Gjenevë me një promemorie. Këta tre patriotë shqiptarë theksonin: “Shqetësimi ynë kryesor është t’i bëjmë të njohur Lidhjes së Kombeve dhe botës së civilizuar vuajtjet e vëllezërve tanë që jetojnë nën shtypjen jugosllave. E dënuar nga fatkeqësia për të kaluar nga një zgjedhë në tjetrën, kjo pjesë e kombit shqiptar, jo më pak e rëndësishme në numër sesa ajo në shtetin e pavarur të Shqipërisë, nuk ka njohur për një moment të vetëm gjatë shekujve të kaluar përfitimet e lirisë. E drejta për vetëvendosje, e shpallur nga themeluesi i Lidhjes së Kombeve, një apostull i paqes ndërkombëtare, mbetet aspirata jonë e shenjtë”.

****

Historia e Kosovës është më e gjatë se një dekadë dhe nuk mund të reduktohet në gjithfarë paradash të stërpërsëritura. Është tragjike që sot emrat e Gjon Bisakut, Shtjefën Kurtit, Luigj Gashit dhe shumë e shumë patriotëve të tjerë qëndrojnë të rrudhur diku mes faqesh të zverdhura librash të vjetër të historisë.