Opinion

Nga Tik-Tok, tek pushteti i Bibi Netanjahut dhe trullosja e Hamas! Disa prapaskena në analizën e Thomas L. Friedman

Nga Tik-Tok, tek pushteti i Bibi Netanjahut dhe trullosja e Hamas! Disa

Çfarë ndodh kur TikTok-u përdoret si mjet për të shprehur shqetësimet e palestinezëve për grabitjet e tokave në lagjet arabe të Jerusalemit nga izraelitët djathtistë? Dhe më pas nëse shton që këto shqetësime përkojnë me natën më të shenjtë të lutjeve myslimanë në Jerusalem? Shto dhe festën më të ngarkuar emocionalisht për izraelitët që vjen muajin e ardhshëm në po të njëjtën qytet? Dhe në të njëjtën kohë edhe tentativat e Hamas për të marrë në kontroll të gjithë kauzën palestineze? Dhe përfundimisht imagjinoni kombinimin e të gjithë këtyre faktorëve me një vakuum politik të krijuar në Autoritetin e Palestinës që nuk mund të zhvillojë zgjedhje legjitime dhe Izraeli që sapo ka dalë nga zgjedhjet dhe është ende i përçarë prej tyre, për shkak se nuk është krijuar një qeveri?

Ajo që ndodh është shpërthimi i dhunës rreth Jerusalemit që të hënën e kaluar filloi në Gaza dhe i bëri njerëzit që natyrshëm të pyesin: A është kjo ajo e madhja fare? A është ky fillimi i revoltës së palestinezëve?

Qeveria izraelite, shtetet arabe që e rrethojnë dhe Autoriteti palestinez të gjithë dëshpërimisht duan që përgjigja për këtë pyetje të jetë “jo”. Izraeli do që përgjigja të jetë “jo” sepse e di që do të ketë pak mbështetje nga Shtëpi e Bardhë e majtë në rast se do të zhvillonte një sulm të madh kundër palestinezëve. Qeveritë arabe duan që përgjigja të jetë “jo”, sepse pjesa më e madhe e tyre duan të bëjnë biznes me sipërmarrjet “high-tech” të Izraelit dhe jo të përzihen me mbrojtjen e raketë-hedhësve palestinezë. Vetë Autoriteti palestinez nuk dëshiron revoltën, sepse ajo do të nxirrte në pah sa pak ky autoritet ka kontroll mbi rrugët e Palestinës.

Por, ndryshe nga revoltat që nisën në vitin 1987 dhe 2000, kur Izraelit iu desh të kërkonte ndihmë ndërkombëtare për t’i shuar, nuk do të ketë Palestinë në anën tjetër të telefonit këtë herë... ose nëse do të ketë do të jetë një 15-vjeçar në “smartphone-in” e tij duke dhënë urdhra dhe duke frymëzuar njerëzit nga TikTok, aplikacioni i videove që shpeshherë përdoret nga rinia palestineze për të sfiduar autoritetet dhe për të nxitur konfrontimet me izraelitët.

Jack Khoury, një ekspert mbi dinamikat arabe të konflikit, në një analizë të publikuar në “Haaretz” ka shkruar se ana palestineze e konfliktit nxitet nga “masat popullore” e cila përbëhet kryesisht nga “të rinj që nuk presin për lidership politik as nga Autoriteti Palestinez, as nga liderët arabë në Izrael ose në rripin e Gazës”. Përgjatë ditëve të fundit është raportuar se Hamas po tenton të nxisë protestat, por lidershipi i Hamas-it nuk ka aspak kontroll mbi rrjedhjen e ngjarjeve. Ky fakt shihet edhe nga qeveria izraelite që e di se nuk ka ku të kthehet dhe as kujt t’i adresohet për të negociuar një shtensionim të situatës.

Por, çfarë e krijoi këtë lëvizje? Rastësia e përplasjeve të kohëve të celebrimeve fetare dhe tokave të shenjta, sipas filozofit të fesë Moshe Halbertal, së bashku me disa aktorë politikë që i hodhën benzinë zjarrit, krijuan këtë “kokteil shkatërrimtar”.

Specifikisht, në ditën e Jerusalemit, një festë kombëtare që përkujton vendosjen e kontrollit izraelit në pjesën lindore të Jerusalemi, në qytetin e vjetër dhe të Tempullin e Shenjtës, në përfundim të luftës 6-ditore Arabo-Izraelite, duke bashkuar kështu pjesën perëndimore dhe lindore të qytetit. Kjo ditë përkujtohet me lutje në Murin e Perëndimit që fillon të dielën në mbrëmje.

Kjo datë e shenjtë izraelite përkon pak a shumë se natën e Kadrit, e cila këtë vit ishte të shtunën. Kjo konsiderohet jo vetëm si mbrëmja më e shenjtë e muajit të Ramazanit, por e të gjithë vitit kalendarik islamik. Kjo natë celebrohet në përkujtim të shqiptimit të vargjeve të para të Kuranit nga profeti Muhamed, të cilit iu dikuta fjala e Zotit nga ëngjëlli Gabriel dhe ku mijëra myslimanë mblidhen në xhaminë Aqsa afër Murit të Perëndimit dhe Tempullit Mount.

Kjo përputhje datash të shenjta solli në përplasje të pashmangshme në rrugicat e Jerusalemit lindor dhe kulminuan ditën e hënë me policinë izraelite që mësyu mbi xhaminë Aqsa, ky myslimanët kishin mbledhur pirgje me gurë për t’i hedhur drejt forcave hebreje të rendit. Me qindra palestinezë dhe 20 policë izraelitë u plagosën përgjatë përplasjeve.

Situata u përshkallëzua nga pretendimet e të dyja palëve për kontroll të plotë mbi tokat e tyre të shenjta. Izraelitët djathtistë kishin marrë një urdhër gjykate për të shpronësuar gjashtë familje palestineze që jetonin në një tokë që ishte në pronëse të hebrenjve në Jerusalemin lindor që prej vitit 1948, kur u nda qyteti. Familjet palestineze e kanë apeluar vendimin dhe pritej që Gjykata Supreme të jepte verdiktin e saj ditën e hënë në lidhje me fatin e këtyre familjeve, nëse do të zboheshin nga familja e tyre ose jo. Vendimi u shtyu për shkak të dhunës.

Palestinezët ngrenë pretendimin se është e padrejtë që hebrenjtë mund të rimarrin tokat dhe shtëpitë që i kanë pasur në Jerusalem para vitit 1948, por palestinezët nuk kanë të drejta mbi tokën që ishte në pronësi të tyre në Jerusalemin perëndimor ose kudo tjetër në Izrael.

Përplasjet mes vendeve të shenjta dhe datave të shenjta, siç u shpjegua ishin mjaftueshëm eksplozive, por benzinë zjarrit i hodhën filmimet në TikTok. Në prill, një grup të rinjsh palestinezë postuan në TikTok një video të shkurtër ku ata shfaqeshin duke sulmuar një hebre ortodoks në transportin publik, si një nxitje që dhe të tjerë të vepronin ashtu. Në përgjigje të videos, grupi hebre i ekstremit të djathtë i quajtur “Lehava” marshoi në Jerusalem duke thirrur “jashtë arabët”.

I gjithë konflikti mund të duket si një lëmsh i pazgjidhshëm. Çfarë na tregon ky konflikt?

Mesazhi më evident dhe i rëndësishëm është se një konsensus rrezikshmërisht naiv është krijuar përgjatë viteve të fundit në Izrael, ku pretendohet se fryma e revoltës është shtypur dhe arabët e Jerusalemit lindor e kanë pranuar jetën nën pushtetin hebre. Ky konsensus ishte kaq i fuqishëm sa në katë zgjedhjet e fundit, çështja e paqes me Palestinën, si mund të arrihet dhe si çfarë ndodh nëse injorohet, nuk ishte as në axhendë.

“Akordet e Abrahamit” të përpiluara nga administrata Trump që normalizonte marrëdhëniet mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrenin, Sudanin dhe Marokun, ndonëse ndihmuan në stabilizimin e rajonit në përgjithësi, krijuan përshtypjen se kauza e palestinezëve ishte një çështje e së shkuarës. Ngjarjet e këtyre ditëve e treguan sa gabim ishte kjo logjikë.

Administrata Biden duket se nuk është e interesuar të përgjigjet menjëherë ndaj ngjarjeve dhe mbulimit mediatik të konfliktit. Ajo nuk beson se kushtet janë të duhurat për asnjë lloj progresi përsa i përket çështjes izraelo-palestineze dhe gjëja e fundit që do (në kushtet kur po negocionon për çarmatimin bërthamor të Iranit) është të shpërqëndrohet me negociatat e armëpushimit mes izraelitëve dhe palestinezëve, çka mund të ndihmojë Iranin në tentativën për të përkeqësuar situatën.

Çfarë duhet bërë që tani e tutje?

Kjo varet pjesërisht nga Benjamin Netanjahu. Të gjitha rastësitë fatkeqe që kanë ndodhur në këtë moment, janë edhe më të rrezikshme teksa pas 12 vitesh Netanjahu mund të jetë në ditët e tij të fundit në postin e kryeministrit. Netanjahu ka një interes të madh në dështimin e aleatëve të tij për të formuar një qeveri të re që do të nënkuptonte largimin e tij nga pushteti. Ai do të donte që Izraeli të shkonte në zgjedhjet e pesta të parakohshme duke i dhënë një shans të qëndrojë në pushtet dhe të shmangë burgun në rast se gjyqi kundër tij, ku rëndojnë akuza për korrupsion do ta shpallë fajtor. Një mënyrë për t’ia arritur kësaj është që Netanjahu të hedhë benzinë mbi zjarrin sa kundërshtarët e tij të krahut të djathtë të heqin dorë nga tentativa për ta zëvëndësuar dhe ta mbështesin atë.

Gjithashtu, një pjesë e madhe e përgjegjësisë rëndon edhe mbi Hamas-in. Hamas ka dështuar në krijimin e rritjen ekonomike në rripin e Gazës dhe nuk ka bërë asnjë progres në marrëdhëniet e saj me Izraelin. Fakti që Autoriteti Palestinez shtyu zgjedhjet e planifikuara që ndoshta do të largonin Hamas nga pushteti është tregues i mungesës së progresit.

Çfarë bën Hamas-i kur gjendet në një pozitë të vështirë? Hedh raketa mbi Izraelin. Por, të hënë Hamas bëri një gjë të pazakontë. Hodhi raketa mbi Jerusalemin për të marrë në kontoll situatën atje. Izraeli u përgjigj duke bombarduar Gazën dhe duke vrarë më së paku 20 palestinezë.

Situata mund të qetësohet brenda 3-4 ditëve nëse Hamas, Izraeli, Egjipti, Jordani dhe Autoriteti Palestinez e shikojnë në interesin e tyre që kjo të ndohë. Në rast të kundërt, nëse kemi revolta të reja dhe rruga do të imponojë vullnetin e saj ky tërmet do të tundë Izraelin, Gazën, Jordanin, Egjiptin dhe Akordet e Abrahamit.

Nëse kjo ndodh u sugjeroj të shkarkoni TikTok dhe të ndiqni ngjarjet në kohë reale.

Përktheu për "Tiranapost.al" Kristofor Hasko/ Analizë e Thomas L. Friedman "New York Times"