Opinion

Ngadalësia, pasoja tjetër e virusit!

Ngadalësia, pasoja tjetër e virusit!

Nga Majlinda Bregu, sekretarja e Përgjithshme e RCC/

Viral Slowdown

Ky nuk është titulli im. Është i një prej artikujve të publikuar në “The Economist” në Shkurt. Po! Mu duk i përshtatshëm për të treguar atë që po ndodh aktualisht me ekonominë, vendet e punës në Ballkanin Perëndimor.

Pas disa muajve izolim, jeta po i kthehet ngadalë normalitetit. Gjithsesi, bashkëjetësa me virusin na ka vendosur të gjithëve një realitet të ri me të cilin duam s’duam po mësohemi.

Pandemia e COVID-19 shkaktoi një emergjencë të papritur të shëndetit publik në gjithë botën, shtuar kësaj edhe dramën e biznesit me frikën se nuk do t`i kthehet normalitetit shpejt dhe tronditjen bërë virale se ekonomia do të jetë në vështirësi për një kohë të gjatë.

Pasojat e pandemisë në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë të konsiderueshme, megjithëse deri diku të përmbajtura në terma relativë, për shkak të marrjes në kohë të masave të rrepta për të kontrolluar përhapjen e virusit.

Por historia nuk ka mbaruar akoma dhe ka ende rrugë për të bërë. Kostoja e mbylljes për muaj me radhë, do të rritet me kalimin e kohës.

Ballkani Perëndimor humbet 11.6% të orëve të punës, për shkak të pandemisë COVID-19.

Sipas ILO (Organizata Ndërkombëtare e Punës) në tremujorin e dytë të 2020-ës, Ballkani Perëndimor do të humbasë 11.6% të orëve të punës për shkak të pandemisë COVID-19. E barasvlershme me më shumë se 800 mijë vende pune të humbura ose ndryshe i bie që çfarë kemi arritur në rajon në fushën e punësimit që nga viti 2012, të zerohet.

Nuk i dua numrat, sidomos shifrat që trembin. Në punën tonë i përdorim të dhënat për të kuptuar se cfarë ndodh me njerëzit e si problemet me të cilat përballen shoqëritë, ndikojnë në progresin a regresin e ekonomive tona. Këtë po përpiqemi të bëjmë edhe këto muaj në RCC.

Izolimi ka sjellë një rritje të pashmangshme të papunësisë në të gjithë rajonin.
Nuk kemi ende tablonë e plotë të situatës, por të dhënat e mbledhura në maj 2020 nga Shërbimet Publike të Punësimit të 6 ekonomive të Ballkanit Perëndimor, tregojnë një rritje të konsiderueshme të shifrave të papunësisë.

Hendeku mes punëve të mirëpaguara apo modeste, është duke u thelluar në të gjitha vendet e rajonit.

Por nuk mbaron me kaq. Pandemia do të thellojë pabarazinë dhe do të rrisë polarizimin në tregun e punës. Nuk më pëlqen ta them, por ata që do humbasin më shumë në këtë histori,do të jenë më të dobëtit.

Zoomers dhe Webexers, domethënë profesionistë që mund të punojnë lehtësisht nga shtëpia, falë punëve që mund të kryhen edhe në platformat digjitale, janë më pak të kërcënuar se sa ata që duhet të jenë fizikisht në punë.

Të punësuarit informalë psh, janë prekur fatkeqësisht më shumë nga masat e izolimit në Ballkanin Perëndimor. Ata zakonisht punojnë në punë me prodhueshmëri të ulët dhe kanë pak ose aspak kursime, e kjo përkeqëson krizën. Nëse nuk je i regjistruar, për shtetin nuk ekziston, ndaj dhe masat që qeveritë kanë marrë në terma afatshkurtër nuk përfshijnë këtë grup.

Grupet më në rrezik, gratë dhe të rinjtë.

41% e grave në nivel global janë të punësuara në sektorë të ekspozuar ndaj rrezikut për ta humbur vendin e punës.

Nga turizmi, apo sektori i shërbimeve, restorante, qendrat e bukurisë dhe estetike, tek babysiter apo punëtoret e shtëpisë, fushat ku gratë zënë pjesën më të madhe të fuqisë punëtore, ndaluan për muaj të tërë aktivitetin.

69% e grave në Ballkanin Perëndimor e shohin pandeminë si një kërcënim për punën e tyre ose të një anëtari të familjes. (Sipas Balkan Barometër 2020,RCC)
Tani besoj më kuptoni më mirë përse thashë që nuk më pëlqejnë numrat.
47% e grave në Ballkanin Perëndimor e shohin papunësinë, (edhe para COVID-19,) si problemin kryesor për to.

Ndërkaq 62% nuk janë të kënaqura me mundësitë që iu ofron tregu i punës. Edhe cinikët më të mëdhenj nuk besoj se dyshojnë se grave iu duhet të kalojnë një kalvar mundimesh. E përpjeta këtë radhë nuk na garanton një pamje më të mirë.

Shifrat e të rinjve ndryshojnë pak nga ato të grave. Papunësia është shqetësimi më i madh i 51% të të rinjve (Sipas Balkan Barometer 2020 RCC), ndërsa 59% e të rjnjve, nuk janë të kënaqur me mundësitë për punë. 1 në 6 të rinj sot nuk po punon. (ILO)
Situata nuk është roz? askund. E ardhmja ngjan edhe me fluide.

Por a janë të mjaftueshme masat e marra për të shpëtuar ekonomitë?

Në përgjithësi, qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë marrë masa të shpejta dhe të guximshme, si për të ndalur përhapjen e koronavirusit, ashtu edhe në mbështetje të ekonomisë dhe ruajtjes së vendeve të punës.
Asnjë nga vendet tona, nuk ka një hapësirë të pakufizuar fiskale që t’i shtrijë këto masa për periudha më të gjata kohore.

Që ne të jemi më të qartë se çdo të ndodhë me tregun e punës në Ballkan, do të na duhet t’i monitorojmë nga afër këto politika.

Normaliteti nuk është kthyer ende, dhe askush s’e di datën. Por asnjë nuk na pengon që me pak guxim të mundësojmë një kthim gradual të aktivitetit normal ekonomik.
Më të varfrit dhe më të dobëtit gjithmonë goditen më rëndë nga krizat, por barra duhet të mbahet nga të gjithë.

S’kam ndërmend të jap mënd por çka po diskutohet sot kudo, bën sens edhe për rajonin. Lehtësimi me masa reale për të kaluar nga puna informale tek ajo e rregullt, apo dhe orientimi i fuqisë punëtore drejt një tregu që po ndryshon përditë nga teknologjia. Sa më shumë trajnime, stimuj për çdo skemë të ndihmës ekonomike dhe punësimit në Ballkanin Perëndimor do të jenë gjithmonë me vend dhe asnjëherë jashtë kohe.

Po. Kriza i ka prekur të gjithë. Aktorët ekonomikë në treg - punëtorët, bizneset madje edhe qeveritë.

Virusi na futi të gjithëve në spiralen e ngadalësimit. Rrugë tjetër veçse të bejmë virale rimëkëmbjen, unë s’di.