Opinion

Një NATO e re pas Samitit të Madridit plot shpresë, siguri edhe para

Një NATO e re pas Samitit të Madridit plot shpresë, siguri edhe

Kështu mund ta lexosh analizën e gjatë të Ditmir Bushatit. Një përmbledhje shkurt është se NATO ka përjetuar një rilindje. Si?

Ish-ministri ndalet në disa nga risitë post-Madrid, i cili shënon kapitullin e ri për Aleancën që pas luftës së ftohtë.

Një Amerikë që kthen sërish sytë nga Europa, por edhe një Europë që duhet të ndajë mirë qëndrimet për Kinën, përkundrejt interesave të SHBA-së. Një bazë e re ushtarake e NATO-s në Poloni dhe më shumë përforcime në Vendet Baltike dhe lindje të Europës.

Një Turqi pragmatiste, por edhe një Rusi përballë një NATO-je më të zgjeruar, frika e së cilës nisi edhe luftën në Ukrainë dhe ja tek jemi.

Por nga ana tjetër kemi një fytyrë të re të NATO-s.

Një NATO me ambicie për emetime zero deri në 2050.

Çfarë po bën Jens Stoltenberg?

Kreu i aleancës është shumë i dhënë pas teknologjisë së gjelbër, ku për kë pati një vesh të vëmendshëm, fondi i caktuar në strategjinë e re të Madridit është jo pak.

Çfarë të bëjë Shqipëria?

Ditmir Bushati thotë se në këtë pikë Ballkani, Shqipëria doemos të bëhen gati për të përfituar nga fondi, dhe se Shqipëria duhet të bëhet gati të kontekstializojë strategjinë e sigurisë kombëtare në raport me NATO-n.

Më të plotë e gjeni në opinion nga Ditmir Bushati:

Koncepti Strategjik i NATO-s, i miratuar në Samitin e Lisbonës të vitit 2010, vlerësonte rrezikun e luftës në Europë si të ulët. Sipas këtij dokumenti, rreziku më i rëndësishëm për NATO-n ishte apatia e anëtarëve, e cila shprehej edhe me mospërmbushjen e detyrimeve financiare. Rreth dy dekada pas rënies së Murit të Berlinit, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, shtrirjes së NATO-s në lindje, Europa besonte se i kishte larë hesapet me luftrat njëherë e përgjithmonë.

Që prej administratës së Presidentit Obama, amerikanët e drejtuan vëmendjen e tyre ndaj Kinës në betejën për ndikim në Indo-Paqësor. Amerikanët kërkonin gjithnjë e më shumë nga aleatët europianë, marrjen përsipër të përgjegjësive për sigurinë e kontinentit.

Në vitin 2017, pas kthimit në Gjermani nga një takim i tensionuar me Presidentin e SHBA-ve Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Kancelarja gjermane Angela Merkel do të deklaronte se, Europa duhet të mbështetet në burimet e veta për sigurinë e saj. Samiti i NATO-s në Bruksel, i vitit 2018, do të nxirrte më në pah dallimet ndërmjet SHBA-ve nga njëra anë, dhe aleatëve kryesore europianë, nga ana tjetër.
Vështruar në retrospektivë, kërkesa e administratës së Presidentit Trump ndaj aleatëve europianë për marrjen e përgjegjësive për sigurimin e mbrojtjes dhe kësisoj shtimin e shpenzimeve ushtarake nga ana e tyre, rezultoi e drejtë për mjedisin e sigurisë që na rrethon.

Në nëntor të vitit 2019, në një intervistë për The Economist, Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi bashkëkombasit e tij europian se, NATO, aleanca transatlantike që kishte siguruar Europën që prej vitit 1949, ishte në pikën e "vdekjes së trurit". Intervista tij vinte pas tërheqjes së mbështetjes, në mënyrë të njëanshme të SHBA-ve, ndaj forcave kurde në veri të Sirisë. Brenda një viti nga ky akt, SHBA-të do të vendosnin gjithashtu sanksione ndaj Turqisë, për blerjen e raketave kundërajrore ruse.

Ndërkohë që eksperienca me ndërhyrjet e NATO-s në Afganistan dhe në Libi ishte demoralizuese, çka në vitin 2021 do të materializohej me një tërheqje tjetër të njëanshme amerikane nga Afganistani. Kësaj radhe nën drejtimin e Presidentit Biden.
Për Presidentin Macron, arsyetimi i vjetër i NATO-s për të mbajtur sovjetikët jashtë dhe gjermanët nën kontroll nuk dukej më i rëndësishëm. Rreth pesë vjet pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë, Macron duket se po ringjallte një nga shpresat e mëdha të De Gaulle për Europën, si një balancuese midis Washingtonit dhe Moskës.

NJË BOTË TJETËR

Mirëpo, goditja sizmike e shkaktuar nga agresioni Rus në Ukrainë më 24 shkurt 2022 ndryshoi gjithçka. Reagimi i NATO-s e befasoi Kremlinin, i cili prej kohësh përpiqej t’i vendoste shtetet e Aleancës kundër njeri-tjetrit duke rrëmuar në diferencat mes tyre. NATO u tregua e gatshme të dislokoj trupa shtesë në shtetet baltike dhe në mbështetje të krahëve të saj lindorë dhe jugorë.

Një pjesë e mirë e aleatëve vendosën të mbështesin ushtarakisht Ukrainën. Gjermania i tha lamtumirë politikës së saj tradicionale në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Një tjetër surprizë për Rusinë ishte vendimi i Finlandës dhe Suedisë për të hequr dorë nga politika e mosangazhimit dhe për të nisur procedurat e anëtarësimit në NATO. Më shumë se gjithçka tjetër, momenti i ri që po kalon NATO lidhet me atë që pritej më pak, rezistencën e armatosur dhe të qëndrueshme të Ukrainës ndaj pushtimit rus.

Vështruar në këtë kontekst, Samiti i Madridit do të hyjë në histori si momenti kur NATO rigjeti Europën, dhe aleatët solidaritetin mes tyre, përballë kërcënimit të Putinit. Samiti i Madridit shënon një pikë kthese vendimtare për NATO-n, pasi aleanca transatlantike hodhi themelet për përmirësimin më të madh të kapaciteteve të mbrojtjes që nga Lufta e Ftohtë.

Jetojmë në një botë tjetër, ku agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, e ka bërë NATO-n më vigjilente e më dinamike. Për pasojë, idetë për autonominë strategjike europiane dhe arkitekturën e re të sigurisë i kanë lënë vendin realitetit se kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Europës Lindore, SHBA-ja ende luan rolin kryesor.

KONCEPTI I RI STRATEGJIK

Një Koncept i ri Strategjik u miratua në Samitin e Madridit në të cilin ripohohet se qëllimi kryesor i NATO-s është të sigurojë mbrojtjen kolektive, bazuar në një qasje 360 ??gradë. Ai përcakton tre detyrat kryesore të Aleancës: shkurajimin dhe mbrojtjen; parandalimin dhe menaxhimin e krizave; dhe sigurinë bashkëpunuese. Shkurajimi dhe mbrojtja konsiderohen si shtylla kurrizore e angazhimit në mbrojte të njëri-tjetrit, sikurse përcaktohet në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s.

Në Konceptin e ri Strategjik, Rusia nuk konsiderohet më "partneri strategjik" i Perëndimit, por "kërcënimi më i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë ndaj Aleancës". Ky përcaktim ishte i pritshëm, në kushtet kur Rusia po zhvillon dy luftëra njëkohësisht. Një luftë kinetike me Ukrainën, kostot e së cilës maten me humbjen e jetëve njerëzore dhe shkatërrim. Dhe një luftë të ftohtë me Perëndimin, kostot e së cilës maten me vështirësi ekonomike dhe rikalibrim të objektivave në fushën e mbrojtjes, të cilat kërkojnë burime njerëzore dhe financiare.
Dhe për të nënvizuar këtë pikë, NATO po fuqizon krahun lindor dhe jugor duke vendosur më shumë se 300,000 trupa në gatishmëri të lartë kundër agresionit rus. Nevojitet vullnet politik dhe burime njerëzore e financiare për të përmbushur këtë zotim që nënkupton shtatëfishimin e Forcave të Reagimit të NATO-s.

Do të jetë një sfidë për dimensionin europian të kësaj force të zgjeruar që të përmbush nivelet e kërkuara të gatishmërisë dhe të vendos logjistikën dhe furnizimet që forca do të kërkojë për luftë me intensitet të lartë. Kjo forcë e re do të kryej stërvitje në shkallë të gjerë, diçka që nuk e ka bërë kurrë, për të qenë e besueshme. Ndërsa SHBA do të stacionojë një bazë ushtarake të përhershme në Poloni, dhe në të njëjtën kohë do të dërgojë më shumë trupa në vendet baltike dhe lindje të Europës.

Thënë me fjalë të tjera, Samiti i Madridit shënon fundin e epokës së pas Luftës së Ftohtë dhe fillimin e një epoke të re të tensionimit dhe konfrontimit me Rusinë.
Ndërkohë që Kina përmendet për herë të parë si një burim “sfidash sistematike” për sigurinë euroatlantike, edhe pse aleanca nuk ndan vijë kufitare me të. Kjo është arsyeja që udhëheqësit e shteteve, të cilët e shohin me shqetësim rritjen e kapaciteteve ushtarake dhe teknologjike të Kinës, të tilla si Australia, Japonia, Korea e Jugut dhe Zelanda e Re, morën pjesë për herë të parë si të ftuar në një Samit të NATO-s.

“Ambiciet e deklaruara të Republikës Popullore të Kinës dhe politikat shtrënguese sfidojnë interesat, sigurinë dhe vlerat tona”, thuhet në Konceptin e ri Strategjik, duke goditur bashkëpunimin e Pekinit me Moskën dhe “përpjekjet e tyre reciproke përforcuese për të dëmtuar rendin ndërkombëtar, duke përfshirë hapësirën, fushat kibernetike dhe atë detare”. Më tej, në dokument thuhet se, "Republika Popullore e Kinës kërkon të kontrollojë sektorët kryesorë teknologjikë dhe industrialë, infrastrukturën kritike, mineralet strategjike dhe zinxhirët e furnizimit. Ajo përdor levën e saj ekonomike për të krijuar varësi strategjike dhe për të rritur ndikimin e saj”.
Megjithatë, dokumenti i miratuar e bën të qartë se Perëndimi nuk kërkon një konfrontim me Pekinin, por një bashkëjetesë paqësore të bazuar në ndërtimin e besimit, duke theksuar se, “Aleanca mbetet e hapur për një angazhim konstruktiv me Republikën Popullore të Kinës, duke përfshirë ndërtimin e transparencës reciproke, me qëllim mbrojtjen e interesave të sigurisë së Aleancës.”

Përfshirja për herë të parë e Kinës në Konceptin Strategjik të NATO-s shtron një tjetër pyetje të natyrës strategjike: a janë të përafruara interesat SHBA-së dhe Europës dhe cili është roli i NATO-s në këtë situatë të re? Në verën e vitit 2021, NATO për herë të parë lëshoi ??një deklaratë për sfidat e sigurisë që paraqiste Kina. Por më pas, në janarin e vitit 2022 kur filloi “stuhia” mbi Lituaninë, për shkak të njohjes nga kjo e fundit të Tawian-it, vendet baltike u rreshtuan me SHBA-në, ndërkohë që një pjesë e mirë e atyre anëtare të BE-së u distancuan nga një përplasje me Pekinin. Pra, për periudhën afatgjatë, nuk është e qartë se si Europa dhe SHBA-ja do të përafrojnë interesat e tyre në raport me Kinën.

Nën drejtimin e Jens Stoltenberg, NATO po shkëlqen në ndërmarrjen e angazhimeve paraprake për të përballuar pasojat që vijnë prej ndryshimeve klimatike. Vendosja e objektivave të emetimeve të aleancës për t’i ulur ato me të paktën 45% deri në vitin 2030, dhe për të shkuar drejt emetimeve zero deri në vitin 2050, mund të argumentohet si një prej rezultateve më të prekshme të Samitit të Madridit në këtë fushë.
Ajo që bie në sy është se NATO vlerëson teknologjinë e re të gjelbër si teknologjinë më të mirë. Gara për përqafimin e teknologjive të gjelbra pritet të zhvillohet ne sektorin privat, ku ky objektiv i NATO-s, pritet që t’i shtyjë konkurrentët të gjenerojnë më shumë progres në këtë drejtim.

Në Konceptin Strategjik gjithashtu përfshihen edhe çështjet që lidhen me armët nukleare, kontrollin e armëve në përgjithësi, agjendën e grave, paqes dhe sigurisë, e cila shpesh anashkalohet, duke i siguruar Madridit një pikë tjetër në mbështetje të asaj që është quajtur gjerësisht si një samit historik.
Duke marrë parasysh sa u tha më sipër, Shqipëria lipset të përditësojë e kontekstualizojë Strategjinë e Sigurisë Kombëtare në përputhje me detyrimet që burojnë nga Koncepti i ri Strategjik i NATO-s.

SHPENZIME SHTESË DHE FORCIM PARTNERITETESH

Mjedisi i ri i sigurisë në Europë kërkon shpenzime shtesë ushtarake duke shkuar përtej objektivit të vendosur në Samitin e Uellsit të vitit 2014. Objektivi i dikurshëm i shpenzimit të 2% të Produktit të Brendshëm Bruto për nevojat ushtarake, tani konsiderohet më shumë si një "dysheme", sesa një "tavan". Prandaj, në Madrid, udhëheqësit e NATO-s u zotuan sërish si për politikat që kanë të bëjnë me shkurajimin ashtu edhe për mbrojtjen.
Europa pritet të mbajë një ngarkesë më të rëndë në lidhje me mbrojtjen kolektive. Ndaj, ajo duhet të përgatitet për të qenë përgjigja e parë ndaj krizave në periferi të NATO-s, duke dëshmuar përgjegjësi më të madhe strategjike europiane.

Samiti i Madridit intensifikoi mbështetjen ndaj Ukrainës me qëllim transformimin tërësor të ushtrisë së saj me pajisje moderne të NATO-s. Shihet qartë se Këshilli i përbashkët NATO-Ukrainë do të funksionojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të mbështetur Kievin.
Samiti rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen ndaj partnerëve si Gjeorgjia dhe Bosnje Hercegovina përmes mbështetjes politike e praktike për fuqizimin e qëndrueshmërisë së tyre për të parandaluar çdo agresion të mundshëm.

SUEDIA DHE FINLANDA NË NATO

Në Madrid, krerët e Aleancës ftuan zyrtarisht Suedinë dhe Finlandën të bëhen pjesë e NATO-s, duke i dhënë fund më shumë se gjysmë shekulli politike mosangazhimi nga këto dy shtete. Për herë të parë në gati dy dekada NATO sapo u afrua shumë më afër kufijve të Rusisë.
Kështu, kufiri i NATO-s me Rusinë sapo është dyfishuar në më shumë se 1600 milje. Suedia dhe Finlanda janë shtete me kapacitete ushtarake të përparuara, çka i jep një avantazh strategjik NATO-s në veri të Europës. Pavarësisht ndërveprueshmërisë së këtyre dy shteteve me Aleancën në të shkuarën, sërish anëtarësimi i tyre në NATO, nuk shihet me sy të mirë nga Moska.

Që nga raundi i parë i zgjerimit të NATO-s në fund të viteve 1990, Moska është ankuar se shtrirja drejt lindjes e Aleancës së epokës së Luftës së Ftohtë është në rastin më të mirë një nënçmim për Rusinë, dhe në rastin më të keq një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e saj. Pushtimi i Ukrainës, për të cilën Rusia kishte frikë se do t’i bashkohej NATO-s një ditë, kishte për qëllim pjesërisht të tregonte se Moska ishte e gatshme të mbronte me çdo çmim sferën e saj të ndikimit kundër shkeljeve dhe zgjerimit të aleancës.

Në rast se siguria kombëtare e Rusisë është e lidhur me sferat e influencës dhe në rast se ajo kërcënohet nga zgjerimi i kufijve të NATO-s, strategjia e përdorur kundër Ukrainës duket se ka prodhuar efekt të kundërt me nisjen e procedurave të anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Sikurse nënvizoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në vigjilje të Samitit të Madridit, “Putin dëshirontë një NATO të tkurrur, por tani po rrethohet me më shumë NATO në kufjitë e Rusisë”.

Ndërkohë, duhet thënë se Turqia mori atë që donte nga Suedia dhe Finlanda, në këmbim të heqjes së vetos për pranimin e tyre në NATO. Përpjekjet e SHBA-së në drejtim të gjetjes së kompromisit duket se ishin vendimtare. NATO vuan nga të njëjta ngërçe që vuajnë oraganizatat që marrin vendime me konsensus. Në kontekstin e luftës që po zhvillohet në kontinentin tonë, për organizatën ishtë e rëndësishme të demonstronte unitet dhe vullnet politik, duke ftuar në gjirin e vet Suedinë dhe Finlandën nga njëra anë, por edhe duke akomoduar interesat e Turqisë, nga ana tjetër.

Suedia dhe Finlanda i bënë Turqisë lëshime kyçe, premtuan ndryshime në legjislacion e brendshëm, duke i dhënë kësisoj Turqisë garancitë e nevojshme në luftën kundër terrorizmit që kërkonte prej tyre. Në një memorandum të përbashkët ata u zotuan të mos ofrojnë mbështetje për organizatën politike të kurdëve, apo grupeve të lidhura me to. Suedia dhe Finlanda u angazhuan që të punojnë me Turqinë për kërkesat e saj për ekstradim dhe konfirmuan heqjen e embargos së armëve ndaj Turqisë.

Në periudhën në vijim do të shihet nëse lëshimet ndaj Turqisë do të shoqërohen me implikime për të drejtat e njeriut dhe sovranitetin kombëtar. Dilemat tashmë janë shfaqur në horizont. Turqia kërkoi ekstradimin e individëve që i akuzon për veprimtari terroriste. Për sa kohë që ata kanë prova për aktivitete terroriste, kjo është e thjeshtë. Më të vështira janë ato raste, ku prova nuk është e papërshkueshme nga uji. Dhe vendimi për ekstradim mund të sfidohet në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Një dilemë tjetër ka lidhje me dallimin midis keqinformimit dhe fjalës së lirë. Në memorandumin e nënshkruar thuhet se dy vendet nordike do të bëjnë ç'të munden për të luftuar keqinformimin dhe për të parandaluar abuzimin e legjislacionit në promovimin e organizatave terroriste. Në këtë kuadër shtrohet pyeta: çfarë do të ndodhë me ato demonstrata rutinë në Suedi kundër qeverisë turke që kurdët organizojnë për të afirmuar identitetin e tyre?

Memorandumi parashikon krijimin e një strukturë institucionale midis tre vendeve, si një një mekanizëm i strukturuar dialogu dhe bashkërendimi të punës në çështjet kundër terrorizmit dhe për çështje të tjera që ata do të vendosin. Tre vendet do të krijojnë një komitet të përbashkët për të mbikëqyrur zbatimin e angazhimeve të marra në Madrid. Është pak por e sigurtë, se tani e tutje, Turqia do të jetë shumë më e pranishme në politikëbërjen në Suedi dhe Finlandë. Siç është po ashtu e sigurtë se për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës roli i Turqisë në Detin e Zi edhe si vend anëtar i NATO-s merr një rëndësi prioritare në raport me aleatët.

RËNDËSIA STRATEGJIKE E BALLKANIT PERËNDIMOR

Ndërkohë që jemi mësuar që në deklaratat e Samiteve të NATO-s zhvillimet në Ballkanin Perëndimor zënë një vend të veçantë, Samiti i Madridit bën përjashtim nga kjo praktikë e konsoliduar ndër vite. Megjithatë, Koncepti Strategjik i miratuar në Samit njeh rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor.
Pavarësisht stërvitjes “Defender 21” të zhvilluar vjet në Shqipëri me synim rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave aleate, faktit që Bosnje Hercegovina figuronte në agjendën e Samitit, duhet thënë se pak ka ndryshuar politika për krahun jugor të NATO-s, ku përfshihet edhe Ballkani Perëndimor.

Nisur nga nevoja e garantimit të një mjedisi të sigurtë përkundrejt çdo agresioni të mundshëm, NATO është pranishme në Kosovë dhe në Bosnje Hercegovinë, sikundër ka shtuar investimet në rajonin tonë për çështjet e sigurisë. Megjithatë, NATO nuk ka ndërmarrë ende asnjë nismë që do të ankoronte përfundimisht në gjirin e saj shtetet të cilat synojnë anëtarësimin.

Rusia nuk le asnjë rast pa komentuar apo mbajtur qëndrime për zhvillimet në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë. Takimi i qershorit i Shën Petersburgut mes Presidentit Putinit dhe anëtarit serb të Presidencës së Bosnje Hercegovinës Dodik; shfaqja e ambasadorit dhe zyrtarëve të ministrisë së mbrojtjes Ruse përkrah ministrit të mbrojtjes serb dhe shefit të shtabit të përgjithshëm gjatë inspektimit të trupave serbe në kufirin me Kosovën vjeshtën e kaluar, pas përplasjes për target e makinave në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; nënshkrimi i marrëveshjes për furnizimin me gaz ndërmjet Rusisë dhe Serbisë, sikundër mosbashkimi i Serbisë me pjesën tjetër të Europës dhe botës demokratike ndaj sanksioneve të Rusisë, pas 24 shkurtit të vitit 2022, janë dëshmi konsistente e veprimtarisë ruse dhe njëkohësisht e brishtësisë së sigurisë në rajon.

Për të dekurajuar çdo veprimtari përçarëse të Rusisë dhe aleatëve të saj në të ardhmen, vendet e rajonit, anëtare të NATO-s, duhet të thellojnë ndërveprimin mes tyre bazuar në Konceptin e ri Strategjik të NATO-s. Po kështu, duke mos qenë nënshkruese të Fondit të Inovacionit të NATO-s, të prezantuar në Samitin e Madridit, vendet e rajonit duhet të paktën të sinkronizojnë përpjekjet për zbatimin e politikave dhe projekteve që synojnë përfitimin nga ky fond. Fondi pritet të investojë 1 miliard euro kryesisht në zhvillimin teknologjik.
Ballkani Perëndimor është një rajon ku demokracitë transatlantike kanë gamën më të madhe të levave dhe mjetet më të fuqishme diplomatike dhe ushtarake, jo vetëm për të parandaluar dhe frenuar dhunën dhe agresionin, por për të krijuar një mjedis të favorshëm për përparimin demokratik. Fakti që Perëndimi është i bashkuar si kurrë më parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, duhet shfrytëzuar si një mundësi për të përmbyllur procesin e ankorimit të rajonit në NATO, si mundësia më e mirë për një rajon të sigurtë.