Një qeveri që punon edhe duke gabuar, apo një që gabon rregullisht pa punuar?
Nertil Jole/ Në kontekstin e stinës politike parazgjedhore që kemi hyrë, është e natyrshme të ndalemi për një vështrim të përgjithshëm të realitetit socio-politik të këtyre muajve të vështirë, por edhe të qeverisjes së viteve të fundit. Kjo si reflektim për të stimuluar besimin dhe optimizmin te e nesërmja, te zgjedhjet e reja parlamentare që gjithmonë duhet të sjellin më shumë shpresë e besim, por edhe si angazhim qytetar për të kërkuar e nxitur arritje akoma më pozitive për bashkëjetesën tonë në shoqëri.
Mendoj se sjellja e disa politikanëve dhe disa gjithologëve analistë që iu shërbejnë atyre qorrazi, krijon pa pushim një kakofoni politike e zhurmnajë mediatike aspak të shëndetshme për gjendjen e përgjithshme psikologjike të shoqërisë, së cilës i është sfiduar durimi për t’iu rikthyer sa më parë aktiviteteve normale të jetës dhe ekonomisë.
Aq më shumë është shqetësuese kjo, kur në mënyrë jodinjtoze e të turpshme, bëhet politikë me ndjeshmërinë që të gjithë kemi për shëndetin, në kushtet e pandemisë, pavarësisht lajmit shumë pozitiv të fillimit të procesit të vaksinimit.
Preferoj ta konsideroj këtë qasje të shëmtuar të disa politikanëve që kanë humbur deri edhe sensin njerëzor për hir të qëllimeve politike, si një arsye më shumë për të kundërshtuar edhe publikisht, përveçse me votë në 25 Prill.
Duket sikur këta politikanë mezi presin që qytetarët të nënshtrohen nga frika për jetën, nga ankthi se këtu çdo gjë është e pasigurtë, paranoja se qeveria punon për të rrezikuar jetën e qytetarëve, nga një pritshmëri e shfrenuar për ta parë Shqipërinë sa më gjatë nën ujë, pa drita, pa ndihma, duke shpresuar që vaksina nuk do të mbërrijë shpejt e mundësisht asnjëherë.
Ky zell opozitar për të bërë politikë të shëmtuar me “Covid-19”, me tërmetin, me përmbytjet, me spitalet, me morgjet, me statistikat e deformuara qëllimisht, do të kishte qënë shumë herë më produktiv nëse do zëvendësohej me një vullnet e aksion politik që shkon në interesin më të mirë të qytetarëve.
Për shembull kryetari i opozitës shprehet vazhdimisht se me ardhjen e tij të supozuar në pushtet, qëllim parësor do jetë krijimi i një qeverie për qytetarët. Ndërkohë që është e ditur apriori që çdo qeveri zgjidhet nga njerëzit dhe ka për detyrë të punojë e t’iu shërbejë atyre. Nëse do të kishte qënë kaq i vërtetë, skandalet e tij të së kaluarës në çdo detyrë që ka mbajtur nuk do të kishin ndodhur.
Por për të ndihmuar këtë analizë nuk duhen lënë jashtë vëmendjes shifrat dhe faktet. Ato duhen marrë në konsideratë si të dhëna që shprehin thjesht e në mënyrë kokëforte dallimin e qartë mes një ekipi që punon duke bërë edhe gabime, e një ekipi që gabon rregullisht pa punuar.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria sot ka numrin e rasteve më të ulët të Covid-pozitiv dhe numrin më të ulët të jetëve të humbura në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në raport me popullsinë. Konkretisht, jetë të humbura gjithsej për 1 milionë banorë në Shqipëri janë 435, krahasuar me 523 në Serbi, 740 në Kosovë, 1162 në Mal të Zi, 1271 në Maqedoninë e Veriut dhe 1333 për Bosnjë & Hercegovinë.
Raporti i uljes së borxhit dhe rritjes së investimeve krahasuar për periudhat 2006-2013 dhe 2014-2021, është përkatësisht 60 miliardë lekë borxh dhe 70 miliardë lekë investime për periudhën e parë, me 46 miliardë lekë borxh dhe 79 miliardë lekë investim për periudhën e dytë.
Furnizimi me ujë 24 orë në vitin 2014 ka qënë i siguruar për rreth 120 mijë banorë, ndërsa është shtuar deri më sot me afro 1 milionë banorë.
Fondi i rritjes së pagave në sektorin publik dhe efekti i kursimit nga taksa progresive është afro 21 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin 2013, që nënkupton një rritje afro 56%.
Legalizimi i objekteve është 10 herë më i lartë krahasuar me vitin 2013, që nënkupton një numër legalizimesh prej afro 210 mijë legalizime më shumë nga 21 mijë të legalizuara në vitin 2013.
Ndikimi i afro 400 projekteve të realizuara nga programi i infrastrukturës vendore nëpërmjet instrumentit të Fondit të Zhvillimit Rajonal, ose ashtuquajtur programit të “Rilindjes Urbane”, ka transformuar fizionominë e qyteteve dhe ka fuqizuar ekonominë lokale. Korça është ndoshta qyteti më i spikatur që përkufizon suksesin e këtij programi.
Sipas regjistrit të tatimeve të Republikës së Shqipërisë mbi numrin e bizneseve të mëdha, nga viti 2013 në vitin 2019 janë shtuar rreth 4300 biznese.
100 më të pasurit e Shqipërisë kanë paguar 458% më shumë taksa në 5 vitet e fundit, që nënkupton një shtesë për buxhetin e shtetit prej 39.5 miliardë lekë.
10 bizneset më të mëdha të Shqipërisë kanë paguar 3 herë më shumë taksa krahasuar me vitin 2013, që nënkupton një rritje me afro 200% më shumë kontribut tatimor për buxhetin e shtetit.
Buxheti i mbështetjes financiare për bujqësinë është rritur 3 herë, që nënkupton një financim me afro 75 miliardë lekë më shumë, krahasuar me qeverisjen paraardhëse.
Në raport me rendin publik ndoshta një shifër karahasimore mund të jetë numri i vrasjeve sipas statistikave të policisë së shtetit, i cili ka qënë 126 vrasje në vitin 2012 dhe 58 vrasje në vitin 2019.
Thënë këto, nuk përjashtoj absolutisht këndvështrimin se në përpjekjen për një administrim sa më të mirë të qeverisjes në tërësi apo të pasojave të krizave të krijuara nga fatkeqësi natyrore ose të dorës së njeriut, sistemi jonë qeverisës është më i miri. Aspak. Por ajo që sigurisht nuk ka munguar gjatë viteve të fundit, është përpjekja e qeverisë dhe e skuadrave të punonjësve të shtetit, për të qënë shumë më të organizuar dhe shumë më efikasë në mbrojtje të jetës dhe ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët.
Por paralisht me këto përpjekje, nuk ka munguar në skenën e teatrit të politikës hipokrizia dhe energjia destruktive e dashakeqe e disa aktorëve tejet të konsumuar politikë, që dirigjojnë militantët e tyre dhe dezinformojnë publikun nga zyrat e partive politike, duke marrë peng fatin e opozitës, të një institucioni shumë të rëndësishëm për funksionimin e shëndetshëm të një shoqërie demokratike.
Të tilla synime dashakeqe nuk kanë munguar as nga Presidenti i Republikës, i cili përpiqet dëshpërimisht që me sjellje, diskurs dhe veprime jo shtetare të nxisë ndonjë rebelim a revoltë “donkishoteske” kundër qeverisë së shtetit që përfaqëson, por asnjëherë në frymën e garantit të unitetit kombëtar.
Fakti fatkeq është se këta personazhe që vetëofrohen akoma si politikanë të së ardhmes, me moralin e tyre të ulët politik kanë fundosur besueshmërinë tek opozita, e cila sot është edhe më e fragmentarizuar si pasojë e lidershipit pa vizion dhe kulisave përjashtuese brenda llojit.
Ndaj, progresi i vështirë i viteve të fundit është arsyeja kryesore për të mos rrezikuar të ardhmen e përbashkët duke iu besuar gabimisht, e madje në një moment vendimtar të rrugëtimit modernizues të Shqipërisë, disa politikanëve që kanë rekorde të pakonkurrueshme të dështimit dhe korrupsionit.
Vetëm duke mbrojtur një vizion qytetar jashtë perimetrit të interesit tonë vetjak, do bëhemi garantë që në zgjedhjet e ardhshme të mos fitojë “partia”, por Shqipëria.
*Tiranapost.al.