Opinion

Një replikë pak vulgare me Andi Bushatin!

Një replikë pak vulgare me Andi Bushatin!

Denis Dyrnjaja i është përgjigur sot një shkrimi të shkruar dje nga opinionsti Andi Bushati. Shkrimi i Bushatit në thelb e justifikonte sjellje e Ilir Metës dje, në zyrat e FRD-së, si të vetmen mënyrë për të rrëzuar Ramën. Dikur shumë pranë Ramës, para se të vinte në pushtet sot, Andi Bushati është një nga kritikët më të ashpër.

Nga Denis Dyrnjaja/ E kam intervistuar disa herë Andi Bushatin në Top Talk. Edhe dje ndërsa ndiqja situatën që ndodhte në zyrat e FRD-së, një partie politike të krijuar nga ish presidenti Bamir Topi, anulova të ftuarin e parashikuar dhe thashë po marr Bushatin.

Nuk u lidhëm dot dhe për pasojë se mora dot live reagimin dhe mendimin e tij në studio për atë që po ndodhte në përleshjen e stisur si rastësore mes presidentit të republikës dhe policëve bashkiakë që ruanin godinën e bashkisë, por të dhënë në përdorim një partie politike.

Bushati këtë qëndrim e shfaqi më vonë në një editorial në portalin e tij "lapsi.al" pas ngjarjes kur Ilir Meta u shfaq në atë skenë të paprecedentë me gjithë potencialin e tij personal fizik, gjestikulues dhe shantazhues. Sigurisht do ishte habi mos habitesh me atë që panë shqiptarët sesi presidenti u gjend aty "rastësisht" dhe pastaj kuptoi menjëherë se duhej të ndërhynte vetë fizikisht për të mbrojtur një të drejtë të shkelur të një partie politike.

Tani unë po i drejtoj disa pyetje që dje kisha planifikuar tja bëja Bushatit nëse do e kisha në një intervistë siç ua përshkrova më lart, por sot ato marrin tonin e pyetjeve retorikë që s'kanë nevojë për përgjigje.

1) Ç'punë ka presidenti i Republikës të angazhohet në një konflikt administrativ mes dy institucioneve të tjera?!

2) Përse Presidenti nuk u pa asnjë ditë të shkojë të mbrojë godinën e teatrit ose banorëve të unazës së re fizikisht dhe si ra rruga pa dashje asnjëherë as te teatri as në Astir kur zhvilloheshin protesta?!

3) A është kjo mënyra e duhur sesi mbrohet e drejta dhe zgjidhen mosmarrëveshjet?

4) Është gjykata apo presidenti ai që vendos se çfarë është e drejtë dhe e gabuar?!

5) A është presidenti simbol i respektimit të kushtetutës e cila njeh vetëm një parim: mosmarrëveshjet zgjidhen në gjykatë?!

5) A ishte një mesazh vetëgjyqësie qëndrimi i presidentit duke iu dhënë shtysë konflikteve sociale mes njerëzve që t'i zgjidhim vetë edhe me përdorimin e forcës mosmarrëveshjet mes tyre duke prodhuar pasoja fatale?!

6) A dha presidenti shembullin e një shtetari apo gangsterri?!

Bushat ti mes të tjerash shkruaje në editorialin tënd këtë paragraf, citoj: arrij ti përfytyroj të gjithë justifikimet e bythëpambukëve, frikacakëve, të dorzuarve, neutralëve ndaj të keqes, të cilët kërkon të manipulojë agjitpropi i Rilindjes.

Vërtetë mund të ketë shumë bythëpambukë, frikacakë, njerëz të dorëzuar apo neutralë ndaj padrejtësive të qeverisë, siç ti përshkruan, por të gjithë këta që t'i përmend Bushat të paktën nuk janë "loqe" nga trutë sa të mendojnë e më tepër të besojnë se Ilir Metës i plas për demokracinë dhe kushtetutën e aq më shumë për një seli partie?! Sigurisht unë e di që ti nuk je i tillë, por se di pse bën si... duke anatemuar, apo shpërfillur ata që nuk mendojnë si ty dhe presidenti e që jo rrjedhimisht mendojnë si kryeminsitri?!

Shkrimi i plotë i Andi Bushatit, botuar tek Lapsi.al dje

Një replikë pak vulgare me Andi Bushatin!

Nga Andi Bushati/ Edhe grushti im bashkë me atë të të “çmendurit” Meta

Në përpjestim të drejtë me shpejtësinë që rrejti po shpërndan videot e presidentit të republikës duke vënë përpara një bandë të veshur me uniforma policësh bashkiakë, propaganda e rilindjes ka nisur një fushatë të ethshme për ta paraqitur Ilir Metën si një të çekulibruar mendor që zihet me grushta nëpër qytet.

Në fakt, po ti shikosh personazhet që shfaqen në ato imazhe të bëra tashmë virale, askush nuk duket normal, e aq më pak kreu i shtetit, me kollaren e zhveshur dhe me instiktet e ish shtangistit të rindezura më fort se kurrë.

Edhe në vendet e botës së tretë, rrallë kemi parë një president republike të përdorë forcën e muskujve për të zgjidhur një konflikt. Edhe në regjimet më të egra, është e vështirë të qëmtosh raste kur personalitetet politike angazhohen fizikisht për kauzën e tyre.

Thënë këtë, arrij ti përfytyroj të gjithë justifikimet e bythëpambukëve, frikacakëve, të dorzuarve, neutralëve ndaj të keqes, të cilët kërkon të manipulojë agjitpropi i Rilindjes.

Po, vërtet, për ta, Ilir Meta është një i çekuilibruar, sepse në lartësinë e postit që mban nuk i takon të sillet kështu.

Njësoj si ai edhe ata protestuesit kuksianë që kundërshtonin traun grabitës të rrugës së kombit ishin të çekuilibruar. Njësoj si ai edhe ato nënat që me gjithë gazin lotësjellës mbi fëmijët e tyre, nuk i lëshonin shtëpitë që po ua prishin pa dëmshpërblim, te stacioni i trenit, ishin për te spitali 5. Njësoj si ai edhe banorët e unazës që protestonin ndaj një projekti që duke fallcifikuar letrat e sekretarit të shtetit amerikan, kërkonte të çonte në parajsa fiskale paratë e grabitësve, ishin të gatshëm për tu vizituar te psikiatri. Njësoj si ai edhe ata pak aktorë që i rezistuan korruptimit të Veliajt, për të mbrojtur teatrin nga projekti qindramilionësh i kullave pas tij, nuk ishin në rregull nga trutë e kokës.

Më kujtohen të gjithë këto shembuj sepse shpesh edhe vetë, në punën time si gazetar, e kam gjetur veten duke kapërcyer kufijtë e asaj që, në pamje të parë, duket si normale. Natyrisht për këtë i kam ngritur vetes pyetjen: si është e mundur dhe pse po ndodh kjo?

Rrethana të përsëritura dhe një përvojë jo e shkurtër, ma kanë mësuar përgjigjen: përballë të keqes askush nuk e ka luksin e të qenit normal. Të jesh i tillë përballë një regjimi të dhunshëm e kleptokrat do të thotë në rastin më të mirë se ke pakt të heshtur me të. Të jesh politikisht korrekt, me aq edukatë sa të kthesh njërën faqe menjëherë sapo të kanë fshikulluar tek tjetra, do të thotë se je katandisur në një lolo që si vlen më për asgjë shoqërisë.

Prandaj dhe duke parë ato pamje, papritmas, mu ndez dhe mua gjaku për ta bashkuar grushtin tim me atë të Ilir Metës, ndonëse me qëllime të ndryshme nga te tijat. Por me një gjë që na bashkon: kjo zezonë na ka bërë të gjithëve të mos jemi normalë.

Pas kësaj është e kotë të qëmtosh në filigran imtësitë e ngjarjes që polli përplasjen që pamë sot në video. Nuk ka asnjë vlerë të diskutosh për shkresat pa firmë dhe vulë që lëshon Uriahipi i bashkisë. Nuk ka pikë kuptimi të debatosh nëse i duhet marrë apo jo selia një partize, sapo ajo iu bashkua koalicionit opozitar. Nuk ka sens të kërkosh se çfarë shkruan ligji për privilegjet që i ishin caktuar Bamir Topit.

Ajo që ndodhi sot në Tiranë ishte më shumë se kaq. Ajo qe prova gjenerale për dhunimin e opozitës në zgjedhje.

Ilir Meta ishte aq i çmendur sa ta kuptonte këtë. Ai me sa duket është i vetmi që e ka kuptuar se kjo është një betejë. Një nga ato që nuk përballohet dot as duke qenë normal, as duke vënë qetësisht fëmijët në gjumë.

Kjo është një luftë që me shumë gjasa Rama do ta fitojë, sepse ai ka edhe paratë e oligarkëve edhe bandat që shantazhoi OFL-ja edhe vemje që paguhen me taksat tona, si kryebashkiaku që pamë sot edhe policë që hidhen si bashibozukë në aksione politike.

Por, pavarësisht nga rezultati, në këtë përballje secilit i bie për pjesë të luajë rolin e tij. Ose atë të lakeut, ose atë të atij që në vendin e vet e shohin si të luajtur nga mendtë, sepse, siç ka profetizuar i ndjeri Dritero Agolli, këtu një i çmëndur i bën të gjithë si vetja.