Opinion

Anulimi i negociatave në Uashington ishte një lajm i mirë, për dy arsye

Anulimi i negociatave në Uashington ishte një lajm i mirë,

Takimi në Uashington për dialogun Kosovë-Serbi u anulua për shkak të akuzave të ngritura nga prokuroria e Hagës kundër Hashim Thaçit, për krime lufte. Për analistin Nano më mirë që u anuluan negociatat për dy arsye të cilat i analizoi në monologun e tij. 

Lexojeni të plotë si më poshtë:

Prokurori special ka ngritur një padi në ngarkim të Hashim Thaçit. Ky i fundit akuzohet për krime kundër njerëzimit e për krime lufte. Dhe kjo akuzë u bë publike para dy ditësh, tek sa Hashim Thaçi, në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës kishte marrë rrugën për në Washington, ku do të mbaheshin negociata serbo-shqiptare në Shtëpinë e Bardhë në prani të Grenellit, e ndoshta edhe të Pompeos apo të Trumpit, në varësi të rezultateve që do arriheshin.

Pse u zgjodh ky moment? U zgjodh nga amerikanët, ngaqë Trumpi është në fushatë presidenciale dhe i duhet një arritje e sukses diplomatik. Kaq e thjeshtë ka qenë puna dhe ai ka zgjedhur për të bërë bingo në një negociatë që mund ta zgjidhte kollaj. Shumë më kollaj se sa një negociatë me despotin koreano-verior. Por që iu sabotua që në vezë. Kush ia sabotoi? Kjo nuk merret vesh hë për hë. Përkimi në kohë është nga ati që të frymëzojnë lexim konspirativ të gjësë, por neve na duhet të presim. 

Por duket se është më mirë që ndodhi kështu. Akuza që iu bë Thaçit e dëmton imazhin e shqiptarëve nëpër botë, por anulimi i negociatave në Ëashington ishte një lajm i mirë. Kam frikë se, për shqiptarët, ky nuk ka qenë momenti më i mirë për të bërë një negociatë serbo-shqiptare e për ta finalizuar atë me një marrëveshje. Përkundrazi, ka qenë momenti më i keq i mundshëm. Për dy arsye kryesore:

1-Kauza kosovare sot është më e dobët se kurrë. Nuk ka më atraksionin që ka pasur më herët. Nuk ka më atë “sex appeal” që ka pasur. Nuk ka më mbështetje ndërkombëtare. Dhe kjo lidhet së pari me faktin që në krye të Shtëpisë së Bardhë është Trumpi, një nga njerëzit më pragmatikë që është futur ndonjëherë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë, së dyti me faktin që klasa politike kosovare është veçuar si një nga më të dobëtat e të papërgjegjshmet në Ballkan, dhe së treti me faktin që në Kosovë janë shfaqur politikanë e parti që mendohen si anti-amerikane, të cilat janë edhe të fuqishme. Klasa politike kosovare është në pikën më të ulët të imazhit e reputacionit të vet.

2-Përfaqësuesi i Kosovës, Hashim Thaçi, në negociata nuk ka autoritetin që ka përfaqësuesi i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili sot për sot është babai i kombit serb dhe si i tillë ka një mandat të fuqishëm, absolut, për të negociuar. Vuçiçi sapo ka dalë nga një palë zgjedhje, nga të cilat mori 2/3 e anëtarëve të parlamentit serb. Këtë pushtet nuk e ka pasur asnjëri para tij në Serbi gjatë 30 viteve të fundit. Por edhe pa këto zgjedhje ai ka qenë gjithsesi i fortë. Është një nga udhëheqësit më të fortë në Ballkan. Dhe së fundi, Vuçiçi ka prore një fuqi negociuese më të madhe sesa alter egoja kosovare, gjë që buron nga natyra e “kauzës serbe” në këtë moment. Serbët e quajnë të humbur Kosovën dhe në çdo negociatë serbo-shqiptare ata luajnë me qarin. Nuk kanë se ç’të humbin, pasi ç’kanë pasur për të humbur e kanë humbur. Kështu, do të ishin të lumtur po të fitonin sadopak, e në këtë rast meritat do t’i merrte Vuçiçi. Në të kundërt, shqiptarët e Kosovës e quajnë të fituar Kosovën dhe ata nuk kanë se ç’të fitojnë në një negociatë serbo-shqiptare. Veç në humbshin. Dhe sadopak që të humbin, e quajnë katastrofë. E në këtë rast fajin do ta kishte Thaçi, apo kushdo tjetër në vend të Thaçit.

Shpresa e vetme në këto negociata ka qenë që të zotët e shtëpisë, amerikanët, të bënin lojën e zakonshme pro shqiptare. Por edhe këtë nuk mund ta bënin më shumë sesa duhet, pasi do komprometonin statusin e të zotit të shtëpisë. Nga ana tjetër, Presidenti e ka emrin Donald Trump, e jo Bill Clinton apo George Bush. Trumpi nuk ka asnjë emocion lidhur me Kosovën. Kosova atij nuk i thotë asgjë.

Kështu që qëlloi shumë mirë që kjo negociatë u anulua. Duhet ta quajmë ende veten me fat. /Monologu në Provokacija, ABC News.