Opinion

Panik jo! Kujdes po! Një sqarim pse nuk duhet të biem prè e keqkuptimeve me BE-në

Panik jo! Kujdes po! Një sqarim pse nuk duhet të biem prè e

Nga Ditmir Bushati/ Lajmi i komunikuar nga Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, mbi marrjen e masave për eksportin e pajisjeve mjekësore, për shkak të Pandemisë, u interpretua gabimisht si përjashtim apriori i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Madje, Presidenti i Serbisë shkoi edhe më tej, duke e akuzuar BE-në me tone melodramatike për “mungesë solidariteti”. Dhe në të njëjtën kohë, duke vlerësuar me tone patetike Kinën dhe Presidentin Xi Jinpig, si vëllain dhe shpëtimtarin e popullit serb.

Nuk është assesi qëllimi i këtyre radhëve për të analizuar strategjinë dhe taktikën që Presidenti i Serbisë ndjek me Rusinë, Kinën, BE-në dhe SHBA-në, e njohur gjërësisht si “politika e lisharësit”. As oshilacionet flirtuese! Nga njëra anë, si pjesë e Bashkimit Euro-Aziatik, që krijoi zonën e tregtisë së lirë së bashku me Rusinë, Armeninë, Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Kirgistanin dhe nga ana tjetër, si ngjizës i “Shengenit rajonal”, por destabilizues në Kosovë, Mal të Zi e Bosnje Hercegovinë. Gjykimi për këtë sjellje i përket veç popullit serb.

Por, në këtë situatë të paprecedentë që po përjetojmë, informimi korrekt, bashkëpunimi mes popujve, shteteve dhe organizatave ndërkombëtare është më i domosdoshëm se kurrë.

Së pari, duhet sqaruar se nuk kemi të bëjmë me “ndalim eksporti”, por me “eksport të autorizuar”. Regjim, i cili i jep përparësi vendeve anëtare të BE-së përkundrejt vendeve të treta, i imponuar nga emergjenca e shkaktuar nga Pandemia.

Së dyti, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një regjim tregtar preferencial më BE-në, për shkak të Marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit në fuqi, të cilat konsiderohen nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të Drejtësisë si: “marëveshje më shumë sesa tregtare dhe më pak sesa marrëveshje anëtarësimi”.

Duke u nisur nga sa më lart, vetë Presidentja e Komisionit Europian, vuri theksin tek rëndësia e bashkërendimit të këtij regjimi të përkohshëm me vendet kufitare me BE-në, siç janë vendet e Ballkanit Perëndimor. Sepse jo vetëm në planin tregtar dhe ekonomik, por edhe në fushën e sigurisë, Ballkani Perëndimor është në paradhomën e BE-së.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme. Ne shqiptarët jemi dëshmitarë dhe përfitues të solidaritetit europian në ditët më të vështira të goditjes që morëm për shkak të termetit, vitin e kaluar. Ndaj, le mos të errësojmë logjikën e të arsyetuarit e as të shtojmë panikun. Por të fuqizojmë bashkëpunimin me BE-në, sepse aksesi në tregun europian për pajisjet mjekësore gjatë luftës me virusin nuk do të mungojë. As mbështetja për të reduktuar pasojat socio-ekonomike të Pandemisë përmes programeve të ndryshme financiare të BE-së.

Ish ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati reagoi edhe gjatë paradites duke postuar një pjesë nga video kur presidenti serb Aleksandër Vuçiç sulmon BE-në dhe thotë se ka Kinën aleat. Kjo pasi KE po diskuton për bllokadë me vendet jo anëtare të BE-së për eksportin e pajimeve mjekësore.

Ditmir Bushati shkruante: 

"Politikë e pastër e lisharësit në aksion! Në vend që të angazhohemi në një dialog konstruktiv dhe të shtojmë empatinë dhe solidaritetin përmes vendeve në përballjen me virusin, duket se rruga më e lehtë është të sulmojnë BE. sigurisht në kurriz të qeverisjes demokratike."

Nga Tirana Edi Rama pati qëndrime më të buta e të kujdesshme se Vuçiç duke i kërkuar një telefonatë presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe bëri thirrje që të mos përjashtojë Ballkanin dhe rajonin tonë nga ky eksport.

Ndërkohë që kryeministri dje vuri theksin tek garancia që fondi për tërmetin nuk do rrezikohet nga BE.

Tiranapost.al