Opinion

Pëllumb Kulla për Koço Devolen: Duhet të ikje, o mik, që ne ta kuptonim se kush na la

Pëllumb Kulla për Koço Devolen: Duhet të ikje, o mik,

Nga Pëllumb Kulla/ Si sot një vit më parë, na la Koço Devole!

Bota na është varfëruar…

Na ike në prag të një Vitit të Ri… Lajmi na hidhëroi, na nxiu, na ngrysi. Ky ishte vetëm reagimi i parë, se më pas ne, me të kujtuar çaste të bukur nga jeta me ty, nisëm të qeshnim përsëri… Mbase kështu duhen përcjellë artistët e vërtetë të humorit, ata, që si ti, lindin njëherë në 200 vjet.

Ja, ti je nga ata të paktët, nga ata të rrallët, që vajtohen me gaz në buzë. Ashtu të vajtuam. Sa zili ta kemi ikjen!

Kur mund t’i bëhet njeriut zemra mal kur i ikën një mik i shtrenjtë?! Duket si prapësi, por ja që ndodhi me ty! Gazetat, kanalet televizive, të parët e vendit, të gjithë të kishin në gojë. Ishte një ikje e bujshme e jotja, Koço. U krijua një det i gjerë, një oqean me shfaqje dashurie. Dukej si festë e çuditshme… Ne pamë mrekullinë.

Gjynah, që njeriu nuk e gëzon ikjen e tij! Dhe ky oqean dashurie nuk ishte i shtirur, apo i organizuar.

Ndofta ngaqë u kujtuam, u kujtuam se çfarë po humbnim.

Shohim telefilmin tënd “Milioneri” me atë hallexhiun që po i bëhen 30 vjet që kërkon dhe nuk po i rikthehen pronat që ka patur. Sa bukur tingëllon graviteti i temës, loja jote e gjallë!… Asnjëri nga ne, artistët që lëvruam satirën, deri më sot nuk ka arritur një shpërthim të tillë satirik mbi mashtrimin historik të ndryshimeve.

O Koço Devole!… Cila qe ajo hyjni që të mëkoi me ndjeshmërinë e lartë që ti t’i jepje artit tënd këtë forcë?! Cila hyjni të mëkoi me mësimin që arti duhet të ketë përmbajtje të tilla shoqërore dhe kurrë të mos bëhet shërbim për nevojat banale të të qeshurës?

Kush ta mëkoi trimërinë të zbulosh parreshtur dhe pa drojë, anët qesharake të regjimeve, të pushteteve, të kameleonizmit të politikanëve? Në artin tënd nuk mungon asnjë nga kryekrerët e vendit të shqipeve, qëkur nisi jeta mbi këtë copë tokë të dashur e qëkur filluan qeverisjet radhë-radhë.

Sa bukur tallesh ti me mitet e historisë, me datat e ngjarjeve… Mjafton të kërkosh në youtube me atë ushtarin Nazist, ku Ballisti e do që ai të dalë nga Shqipëria e çliruar bash që atë ditë, më 28 nëntor dhe Partizani e kërcënon ta vrasë po doli nga kufiri përpara dates 29!…

Koço i shtrenjtë!… Të paktë ishit ju që i patët kthyer studiot e televizionit në punishte të bukura! Ti ishe njëri nga ata që punoi më shumë se të tjerët, për të flakur tej shtirjet propagandistike, direktivat nga lart.

Kurrë nuk u panë moderatorë, prezentatorë, që të administronin, si ti, gazin dhe brohorimat, në stadiumet dhe pallatet e sportit me katër a pesë mijë vetë, që vinin për ty dhe për të ftuarit artistë, shoqet dhe shokët e tu!

E këto ti, Koço i arrite, se e jetove jetën me nder dhe varfëri, me profesionalizëm dhe etje për kërkime!…

Duhet të ikje, o mik, që ne ta kuptonim se kush na la… Që ne nuk e kemi më mes nesh, këtë artist të kompletuar… Ja, tek filmi “Milioneri” që përmenda më lart… Teknika e skenarit, ritmi, regjia, loja e përkryer aktoriale, dëshmojnë se ti, Koço Devole, je, – jo ishe… Je, Je!

Ti je i të njëjtës racë, je anëtar i familjes së madhe të Çaplinëve dhe Beninjëve, që në një film dinjitoz ata bëjnë dhe shkrimin, dhe regjinë, dhe rolin qendror, dhe dekorin, dhe muzikën… Bile dhe afishën e filmit!…

Shpirti yt, o Koço Devole, u bëftë dritë për artistët e rinj që do të lindin mbi këtë truall të dashur!