Opinion

Për gratë dhe historitë e patreguara

Për gratë dhe historitë e patreguara

Nga Ditmir Bushati/ Shoqëria jonë njeh shembuj suksesi të grave dhe vajzave në sipërmarrje, politikë, sport, art, shkencë dhe edukim. Po ashtu ka qindra histori të patreguara për gra dhe vajza që me kurajë përballojnë presionin në forma nga më të ndryshmet dhe ja dalin të kthehen në modele për shoqërinë, duke frymëzuar një shoqe, një kolege, e kështu me radhë.

8 Marsi është dita për të inkurajuar pikërisht këto gra dhe vajza që nuk përkulen, nuk pranojnë të shërbejnë si fasadë e burrave, duke zgjedhur me vendosmëri rrugën e mundimshme të qëndrueshmërisë përkundrejt fenomeneve gërryese në shoqëri. Gratë dhe vajzat e guxmishme që nuk e pranojnë dhunën e diskriminimin. Që që nuk bëjnë kompromis, dhe nuk pranojnë të jenë thjeshtë dhe vetëm numra, e as statistikë për OJF-të që veprojnë në këtë fushë.

Shoqëria jonë ka bërë përparim në lidhje me barazinë mes burrave dhe grave, por rruga para nesh është e gjatë. Para së gjithash, barazia mes burrave dhe grave është një detyrim moral. Është gjithashtu një nevojë e ngutshme ekonomike. Një shoqëri nuk mund t’ia lejojë vetes të funksionojë me gjysmën e mendjes dhe zemrës.

Ne duhet të mbyllim hendekun në trajtim mes burrave dhe grave. Të gjejmë ekuilibrin e duhur midis punës dhe jetës së tyre private, që kujdesi për fëmijët e familjen të jetë proporcional, e të mos i penalizojë gratë në rrugën e tyre të karrierës. Shoqëritë e emancipuara dallohen nga mënyra sesi e trajtojnë gruan. Emancipimi i shoqërisë nuk vjen vetëm nga politikat e orientuara nga lartë poshtë. Është koha të përqafojmë një model të ri që trajton burimin e pabarazisë.

Aktet e herëpashershme të dhunës shtazarake ndaj grave dhe vajzave që trondisin opinionin publik janë një këmbanë alarmi që nxitet jo vetëm nga segmente të shoqërisë që duan të na kthejnë pas, drejt një mentaliteti të vjetëruar patriarkal, por edhe nga konfliktualiteti asgjësues politik, gjuha vulgare, dhe gara brutale për më shumë klikime e mediave dhe rrjeteve sociale.

#8Marsi duhet të shërbejë si një moment reflektimi në betejën për barazi në trajtim mes burrave dhe grave për të shtuar rastet e suksesit të grave dhe vajzave në shoqëri. Mbrojtja dhe përparimi i të drejtave të grave duhet të jetë në themel të veprimit tonë politik e shoqëror, pasi nuk mund të ketë një familje të shëndoshë e të lumtur pa siguruar barazinë dhe ekuilibrin mes burrit dhe gruas.