Opinion

Perëndimi po përsërit me Rusinë të njëjtat gabime që bëri me Hitlerin

Perëndimi po përsërit me Rusinë të njëjtat gabime
Udhëheqësit e fuqive perëndimore po bëjnë të njëjtat gabime me presidentin rus, Vladimir Putin, që bënë paraardhësit e tyre me Hitlerin, thotë ish-oligarku rus i naftës dhe kritiku i Kremlinit, Mikhail Khodorkovsky.

Khodorkovsky – dikur njeriu më i pasur i Rusisë – kaloi më shumë se një dekadë në burg për evazion fiskal dhe mashtrim pas një ndjekjeje që ai tha se ishte pjesë e një fushate të Kremlinit për ta shkatërruar. Tani jeton në mërgim.

Për CNN, Khodorkovsky tha se sheh paralele midis situatës në Ukrainë sot dhe drejtimit të Luftës së Dytë Botërore.

“Udhëheqësit perëndimorë thonin se kishin frikë të përkeqësonin situatën me Hitlerin dhe menduan mirë, nëse nuk po tregoni ndonjë rezistencë, përfundimisht ai do të ndalojë në një pikë”, tha ai. "Megjithatë, ai gabim ka kushtuar qindra miliona jetë njerëzore. Qindra miliona jetë njerëzish u humbën dhe i njëjti gabim po kryhet tani."

NATO nuk është e gatshme të përfshihet drejtpërdrejt në luftë përtej mbështetjes së rezistencës së Ukrainës pasi ky veprim nga ana e saj mund të përshkallëzojë konfliktin.

"Niveli i papërgatitjes së Rusisë ka ardhur si një surprizë e madhe për mua," shtoi Khodorkovsky.

Kjo vjen pasi zyrtarët amerikanë thanë se ushtria ruse po vuan mungesa të ushqimeve dhe karburantit, prej problemeve logjistike dhe mbështetjes.

I pyetur nëse oligarkët rusë meritonin të sanksionoheshin nga Perëndimi, Khodorkovsky u përgjigj se edhe pse ishte "marrëzi" të mendohej se ata kishin ndonjë ndikim real mbi Putinin, ata që vazhdojnë të mbështesnin liderin rus janë "të rrezikshëm".

"Oligarkët nuk janë oligarkë të vërtetë në kuptimin që ata në fakt nuk ndikojnë te Putin. Megjithatë ata janë instrumente të tij dhe për të kuptuar me të vërtetë se kush i ka prishur marrëdhëniet me Putinin duhet parë kur ata e denoncojnë atë dhe kur pranojnë se ai është një kriminel lufte. Dhe nëse kjo nuk ndodh, kjo do të thotë se ata ende varen prej tij dhe ata janë ende të rrezikshëm”.