Opinion

Përpjekja për të përligjur dhunën si shprehje e shterpësisë politike

Përpjekja për të përligjur dhunën si shprehje e

Nertil Jole

Kur Servantesi shkroi librin e tij të famshëm “Don Kishoti i Mançës”, nuk e ka ditur se në Shqipërinë e vitit 2021 do ishte President i Republikës një personazh i ngjashëm “kalorsiak”, i cili gjatë misionit të tij për të “mbrojtur” demokracinë dhe Kushtetutën do ndeshej me “mullinjtë e erës”, që i pandehte si “gjigandë të së keqes”. Por shumë shpejt personazhi real që i përngjan atij të librit, e gjeti veten të përplasur nga “krahët e mullirit”, ose thënë ndryshe, nga opinioni i gjerë publik dhe faktori ndërkombëtar, kryesisht ambasada amerikane.

Në fjalimin e parë pas zgjedhjes si President i Republikës në Kuvendin e Shqipërisë, ai betohej se gjatë ushtrimit të detyrës së lartë do punonte për të zbutur polarizimin e klimës politike në vend. Në fakt e kundërta u provua çdo ditë të ushtrimit të detyrës së tij. Shumë shpejt ai e zëvendësoi unitetin kombëtar me atë opozitar, e madje nuk u lodh asnjë ditë nga insistimi sistematik për të përshkallëzuar polarizimin e klimës konfliktuale politike në vend, si shpresa e fundit për mbijetesë politike.

E kujtojmë të gjithë kur fill nga zgjedhja si Kryetar i Shtetit përveshi mëngët, dhe si një “kalorës i vërtetë” iu bënte thirrje shqiptarëve të rrëmbenin armët. Njësoj si aleati i tij në vitin 1997. E si për asnjë çudi ende dhe sot vazhdon të këtë kryefjalë të angazhimit “institucional”, fushatën elektorale të partisë së “Zonjës së Parë”, ose nëse i referohemi edhe njëherë librit, “Dylqinës së Tobozës”.
.
Ky në fakt ishte sinjali i parë për të parashikuar se cila do të ishte kurba e misionit të tij në zyrën e Presidentit. Të gjitha veprimet e vendimet që pasuan treguan për një sjellje tërësisht të njëanshme, e cila tejkaloi me rekorde të pakrahasueshme deri shembullin më partiak të paraardhësit në atë detyrë.

Diskursi i tij aspak presidencial e thellësisht politik, nuk është vetëm shenjë e mungesës së ekuilibrit human për arsye të ditura, por më kryesorja është dëshmi që Shqipëria më në fund po e përmbyll ciklin e tranzicionit me politikanë cirqesh që luajnë me "zjarrin" për të djegur të ardhmen dhe fatet e saj, duke e konsoliduar rrugën e pakthyeshme të shkëputjes nga e shkuara, nëpërmjet jetësimit të shumëpritur të reformës në drejtësi.

Edhe pse e paprecedente në asnjë vend të botës që një President i Republikës të angazhohet aktivisht e publikisht drejtpërsëdrejti në një fushatë elektorale, sjellja e pajustifikueshme e tij para disa ditësh në zyrat e një partie politike dhe dhuna që pa ndonjë habi mund të përdorë edhe në ditët në vijim, meriton të marrë një përgjigje europiane me qetësi e drejtësi, duke shprehur vullnetin e lirë në zgjedhjet e 25 Prillit, për t’u ndarë qytetarisht nga përpjekja e shëmtuar e atyre që njollosin fytyrën e Shqipërisë dhe që dëshpërimisht përpiqen të pengojnë përafrimin e saj me familjen e vendeve europiane.

Ajo që unë më së shumti e vlerësoj shqetësuese, nuk është sjellja e turpshme e Presidentit të Republikës, por njehsimi me dhunën dhe agresionin i segmenteve të caktuara të shoqërisë. Solidarizimi me këtë sjellje tragjikomike e disa “kalorësve” të tjerë apo ndonjë grupimi politik, që i shkojnë nga pas marrëzisë së tij antishqiptare, është thjesht prova që na ofrohet në dritën e diellit për dallimin e qartë mes alternativave politike që garojnë në këto zgjedhje.

Cilido politikan e politikane, aq më shumë ndonjë drejtues opozite që përligj dhunën duke gabuar në çdo dalje publike, e cilido zë i paintonuar i kësaj orkestre "tallavaje" që zhurmon mbrëmjeve nëpër banaqe mediatike, është shprehia më kuptimplotë e shterpësisë politike dhe intelektuale që të gjithë këta i karakterizon, si hakmarrje inatçore për të refuzuar që në hyrje të fushatës elektorale, rezultatin e zgjedhjeve të 25 Prillit. Dhe kjo jo sepse të gjitha sondazhet e tregojnë, por sepse urtësia e këtij populli të sfiduar kaq shumë herë nga e keqja, nuk mund të nëpërkëmbet akoma në vitin 2021.

Ndaj, pavarësisht këtij teatri donkishotesk që me shumë gjasë do na shoqërojë përgjatë këtyre dy muajve, jam besimplotë se e ardhmja e Shqipërisë do të fitojë si emëruesi i vetëm që na bashkon të gjithëve pa dallime politike.

*Tiranapost.al.