Opinion

Përse debati politik mes liderëve përbën domosdoshmëri për të pasur fushatë dhe zgjedhje normale?

Përse debati politik mes liderëve përbën domosdoshmëri

Debatet politike mes liderëve të partive të mëdha janë praktikë rutinore në çdo cikël zgjedhor për të gjitha vendet që kanë pluralizëm, qofshin krejtësisht demokratike apo vende në zhvillim demokratik. Shqipëria përbën përjashtim dhe fakti që nuk e kemi të sanksionuar qoftë ligjërisht, apo vetëm si traditë debatin mes liderëve të partive të mëdha politike përpara votës duhet të përbëjë shqetësim për të gjithë.

I pyetur në lidhje me një përballje të mundshme me kreun e opozitës Lulzim Basha, kryeministri Rama është shprehur se do ta refuzojë debatin për dy arsye: pikë së pari, ai gjykon që debatet nuk janë pjesë e traditës politike shqiptare dhe së dyti është shprehur se nuk mund të debatojë me një njeri “që nuk mban përgjegjësi për ato që flet.”

Fillimisht duhet kuptuar se debati parazgjedhor nuk është aspak “luks” apo indikator i ndonjë standarti të lartë demokratik, pasi edhe shtete autoritariane si disa vende të Amerikës Latine, apo më afër nesh Hungaria dhe Turqia zhvillojnë debate televizive mes kandidatëve për zgjedhjet e përgjithshme. Nga ana tjetër mungesa e kësaj tradite duhet të na shqetësojë të gjithëve dhe implikacionet e mospasjes të një formati tradicional debati politik mes liderëve partiakë manifestohet në tensionin dhe frustrimin e shtuar mes kandidatëve të tjerë dhe publikut në përgjithësi.

Debati zyrtar mes liderëve nuk është thjesht një përballje e radhës mes politikanësh që të mund të sulmojnë apo denigrojnë figurën e kundërshtarit të tyre politik, por është një hapësirë ku programet e palëve domosdoshmërisht duhet të jenë objekt i bisedës. Natyrisht, konflikti nuk mund të shmanget dhe batutat “më pikante” do të mbahen mend më tepër se detajet programore, por vetë formati i jep mundësinë publikut që të identifikojë kandidatin dhe partinë politike me të cilin e “gjen veten” dhe ka përputhje interesash. Teksa përgjatë fushatës elektorale çdo parti i flet çdo shtrese dhe grupi interesi në shoqëri, prioriteti i një teme, projekti apo strate sociale që lideri do të formulojë në retorikën e tij, ndan qartazi programet dhe idetë. Debati organizohet në një format që ndahet sipas çështjeve kryesore si: ekonomia, integrimi, politikat fiskale, administrata publike etj., dhe përtej tentativave për t’iu shmangur përgjigjeve është formati ideal për të maksimizuar marrjen e përgjigjeve substanciale nga njerëz që e kanë bërë profesion retorikën boshe dhe shmangien nga thelbësorja përgjatë takimeve elektorale, ku askush nuk u imponon “shinat” e bisedës dhe nuk u sfidon mungesat programore apo premtimet e parealizueshme.

Debati mund të zhvillohet edhe me disa raunde, në televizione të ndryshme, për të shmangur anësinë politike të moderatorit, por mund të zhvillohet edhe me shumë moderatorë për të lejuar të gjitha qëndrimet e mediave të influencojnë debatin.

Debati është platforma e vetme ku realisht krahasojmë liderët, temperamentin dhe programet e tyre.

Çfarë ndodh në mungesë të debatit? Çdo kah politik i qëndron stoik idesë se plani dhe retorika e kundërshtarit është e kotë dhe më pas kjo kanalizohet në ato përplasje e ashpra dhe të frustruara të eksponentëve partiakë që kanë për detyrë të mbushin vakuumin e lënë nga mungesa e debatit të liderëve dhe të bëjnë premtimet bombastike apo të proklamojnë programin e tyre.

Shumëkush mund të jetë dakord me qëndrimin e Ramës se ulja e sigurimeve shoqërore nuk mund të sjellë rritje të pensioneve dhe ky premtim i Bashës mund të jetë realisht absurd, por më së paku atij duhet t’i lihen 90 sekonda hapësirë të përgjigjet pikërisht për këtë çështje dhe ndoshta atij mund t’i dalin llogaritë. Dhe nëse Basha bën ndonjë gabim aritmetik, Rama do të jetë atje për ta vënë në dukje.

Ndryshe nga sa mund të mendohet se një debat do të nxiste konfliktin dhe ndasitë politike, gjykoj që e kundërta është e vërtetë. Mungesa e debatit, që është një busull orientimi politik në të gjitha vendet demokratike i le vend spekullimeve dhe i jep një rol disproporcional figurave më pak të rëndësishme të subjekteve politike që popullojnë studiot televizive çdo mbrëmje.

Në SHBA, 8% e elektoratit vendos në bazë të përformancës në debat të liderëve, ndërkohë që në Angli 4 raundet e debatit i detyrojnë krerët e partive politike të përshkruajnë me detaje planet e tyre për sektorët e ndryshëm të programeve përpara se të krijohet hapësira për shkëmbimet mes tyre. Por, edhe vetë ato pjesë që mund të konsiderohen banale nga skeptikët e debateve, janë një tregues i rrallë i karakterit dhe temperamentit të liderit dhe më pas u takon qytetarëve që të shpërblëjnë apo të dënojnë nga pikëpamja elektorale agresivitetin dhe gjuhën ofenduese.

Mungesa e debatit ka pasoja më të mëdha nga sa është aparente dhe krijimi i traditës së debatit politik përbën domosdoshmëri që Shqipëria të jetë një vend normal nga pikëpamja politike. Mungesa e vullnetit për të debatuar tregon vetëm se palët përfitojnë nga konfuzioni, nga çështjet e paklarifikuara, ku çdo njeri mund të interpretojë programet ashtu si dëshiron dhe përfundimisht refuzimi i debatit është frikë nga ekspozimi i dobësive qoftë në planin invidual, qoftë në atë partiak.

Media duhet të bëjë shumë më tepër që të imponojë përballjen politike mes liderëve dhe të detyrojë palët të ballafaqohen me njëri-tjetrin dhe me publikun. Nuk duhet të kalojë asnjë tjetër fushatë ku ky evazion nga e vërteta tolerohet nga media dhe zgjedhësit në Shqipëri.

Kristofor Hasko/ tiranapost.al