Opinion

Përse u pëlqye nga komentuesit shpulla që iu dha Macron-it?

Përse u pëlqye nga komentuesit shpulla që iu dha Macron-it?

Nga Kristofor Hasko/ Ishte ngjarje e pazakontë që të shihnim një lider me peshë globale të goditet me shpullë mes një turme ku kishte shkuar me buzëqeshje dhe vetëbesimin e politikanit që do të shtrëngonte duart me simpatizantë dhe njerëz “të mahnitur” nga hija e tij presidenciale. Por, për një të ri në Francë ky nuk ishte momenti për një selfie për ta patur kujtim apo për të marrë pëlqime në rrjetet sociale, por okazioni për të dhënë një mesazh të fortë.
Përveç ngjarjes, ajo që bie në sy pas saj është fakti që rrjetet sociale në Shqipëri, por edhe jashtë saj kanë reaguar në mbështetje të aktit. Reagimet me emoji që qeshin janë mbizotëruese në lajmin e shpërndarë nga mediat dhe komentet janë plot ironi për Macron dhe përgëzime për të riun që e goditi. Të shumtë janë ata që “shfrenojnë” fantazinë duke kërkuar edhe më shumë dhunë kundër tij, por edhe figurave të tjera publike.


Shumëkush do të priste që të kishte revoltë dhe dënim të aktit, por në shumicë dërrmuese komentuesit as nuk lodhen të pretendojnë se “si veprim nuk më pëlqeu, por...”, komentuesve u pëlqen veprimi, nuk e fshehin, madje janë krenarë ta ndajnë këtë qëndrim me gjithë botën.


Përse ky reagim? Pikë së pari ajo që vihet re edhe nga përmbajtja e komenteve është se shpulla përkundrejt Macron është dhe një shpullë metaforike përkundrejt klasës politike dhe liderëve në të gjithë botën. Tek ky veprim njerëzit kanalizojnë frustrimin e tyre me lidershipin politik dhe imagjinojnë personazhin e tyre më pak të preferuar të skenës publike si objektin e shpullës. Kjo është evidente në komentet e shumta ku shkruhet “kështu u duhet bërë këtyre (në shumës)”, apo “shumë mirë, të fillojmë më këta tanët tani” etj.


Psikologu social, Graham Wallas e shpjegon më së miri këtë impuls në librin e tij “Natyra Njerëzore në Politikë”. Sipas Wallas, çdo shqetësim që njerëzit kanë në jetën e tyre të përditshme mishërohet në figurat e politikanëve dhe liderëve të shtetit për dy arsye. Së pari, për shkak se nuk marrim kohën të analizojmë se çfarë realisht shkaktoi bllokimin e trafikut, rritjen e çmimeve në treg apo probleme të tjera që kërkojnë sofistikim për t’u përballur dhe është e thjeshtë që gjithçka t’i faturohet individualisht liderëve. Së dyti, janë vetë politikanët që me petkun e të gjithëditurit dhe mirëbërësit tërheqin këtë lloj vëmëndjeje negative, pasi portretizimi i tyre dhe politikave që ata mbrojnë dhe realiteti janë në konstrast të dukshëm.


Macron është më tepër se liderët e tjerë europianë protagonist në imagjinatën publike, pasi krijoi një parti politike që ka inicialet e tij “En Marche” dhe e stilizoi veten një “Napoleon” të ri që do të bashkonte Francën dhe do të drejtonte Europën, në një kohë që BREXIT dhe Trump kishin lëkundur themelet e status quo-së në Europë dhe botë.


Pikërisht kjo formulë fituese e 2017, është një minus kolosal për të sot, pasi ai nuk është as i majtë dhe as i djathtë dhe për pasojë nuk gëzon mbështetjen e asnjë grupimi ideologjik. Ai është globalist dhe eurofil duke bërë që të djathtët të mos e pëlqejnë. Ai heq financimet nga shteti social (një traditë politike e Francës që historikisht ka qenë shumë e majtë në sferën ekonomike) dhe tregohet i ashpër si në politikat e emigrimit, ashtu edhe me integrimin europian, teksa më shumë se njëherë ka bllokuar hapjen e negociatave për shkak të rolit të marrë “si mbrojtës i Europës”, duke i bërë kështu i papëlqyeshëm për të majtët.


Pikërisht përsa i përket çështjes të integrimit, ai ka qenë një nga liderët më skeptikë, ndonëse fillimisht u zotua se ishte pro avancimit drejt të BE të Ballkanit Perëndimor dhe ka bllokuar në mënyrë të përsëritur çeljen e negociatave. Duket se kjo nuk i është harruar nga publiku shqiptar që më së paku në rrjetet sociale mbështet shpullën e dhënë ndaj tij.


Kjo antipati përkundrejt Macron nuk përputhet me lidhjen historike mes Shqipërisë dhe Francës që e ka origjinën nga Liceu Francez, që e shndërroi vendin tonë në një nga shtetet më frankofone në rajon dhe nga lidhjet e qëndrueshme diplomatike që u ruajtën edhe gjatë kohës së regjimit komunist, teksa vetë diktatori Hoxha ka studiuar atje. Presidenti Jacques Chirac u celebrua si një njeri që jo vetëm mbështeti aleatët në luftën e Kosovës, por edhe u garantoi të drejtën e qëndrimit dhe integrimit në Francë mijëra refugjatëve të konfliktit në ish-Jugosllavi. Sarkozy me mënyrën e tij të komunikimit, aftësitë diplomatike për të cilat është i famshëm, arriti dhe ai të ishte popullor dhe ndonëse i përkiste Partisë Republikane ishte gjithnjë promovues i integrimit dhe asnjëherë nuk u rendit publikisht kundër vendit tonë.


Më tej, edhe në planin personal, Macron shkëputet nga profili i politikanit që mund të pëlqehet në një shoqëri deri diku tradicionale si kjo e jona. Ai është martuar me mësuesen e tij 26 vjet më të madhe dhe të gjitha indiciet janë që marrëdhënia kishte filluar kur Macron ishte ende i mitur, diçka që vështirë se mund të përtypet si normale edhe nga më liberalët dhe progresivët në shoqërinë tonë.


Marrë së bashku këto fakte bëjnë që të paktën në reagimet e publikut Macron të jetë presidenti më pak popullor i Francës në sytë e shqiptarëve, duke u renditur pas liderëve të së djathtës që gjithsesi me politikat e tyre ditën të ndërtojnë ura me Shqipërinë një shtet që po ashtu si Franca priret më së shumti drejt së majtës ideologjike.


Një gjë është e sigurt. Politikanët do mendohen dy herë përpara se të shkojnë me entusiazëm drejt një turme që nuk e dinë se çfarë përbërje ka, pasi akti ka frymëzuar jo pak mbështetje në rrjet.



Tiranapost.al