Opinion

Pëshpëritja e aurigës për Edi Ramën

Pëshpëritja e aurigës për Edi Ramën

Nga Veton Surroi/ Në këtë javë, pas betejës, Edi Rama dhe Partia Socialiste duhet ta shohin fushëbetejën e lënë pas fitores impresive. Armët që sollën fitoren mund të jenë problemet e së ardhmes. Edhe këtë javë dhe çdo javë tjetër me vite të tëra do të mbetet një vend i polarizuar, në të cilin gjuha e debatit politik ka tejkaluar tashmë çdo nivel racionalizimi. Në atë fushëbetejë , gjuha e urrejtjes, amplifikimi popullist dhe shija e tallavasë mund të dominojnë ligjërimin publik për një kohë të gjatë.

1.

Auriga ka qenë skllav, i përzgjedhur ndër më të besueshmit të Perandorisë Romake. Ai ka pasur dy detyra. E para, të drejtojë karrocën dyrrotëshe me njerëz të rëndësishëm, gladiatorë e ushtarakë. E dyta, që komandantëve fitues të luftërave t’u pëshpëritë në vesh dy porosi:

“Memento mori” (“Kujtoje, je i vdekshëm”) dhe

“Memento te hominem esse” (“Kujtoje, je njeri”).

Këto pëshpëritje kanë qenë të rëndësishme e të porositura prej vetë eprorëve të lartë romakë. Qenë të vetëporositura në mënyrë që Fituesi i madh i betejave të mbajë mend se në fitoren më të madhe duhet ruajtur kontakt me realitetin. Po, të gjithë ne jemi të vdekshëm dhe po, sado të jenë fitoret e mëdha, nuk bëhet fjalë për fitore hyjsh, por njerëzish.

Ndërsa shikoja hartën politike të Shqipërisë, të ndërtuar pas zgjedhjeve vendore të vitit 2023, më dukej se porosia më e mirë që do të duhej ta merrnin Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë ishte pëshpëritja e aurigës. Mu në kulmin e fitores, prijësi i socialistëve që korri edhe një fitore duhet të kujtohet se këto janë fitoret e një lëvizjeje të vdekshme, të përbërë prej njerëzish. Dikur, diku, do të fitojnë të tjerët.

2.

Besoj që çdo prijës romak e ka kuptuar ndryshe pëshpëritjen e aurigës. Ndonjëri do të jetë frikësuar dhe do të ketë hedhur shikimin prapa për të parë ardhjen e thikës së paralajmëruar në shpinë. Kjo nuk i ndihmoi Jul Cezarit. Ndonjëri do të ketë menduar se çka do të lërë për ardhmëri. Kjo i ndihmoi Mark Aurelit.

Në kontekstin e Shqipërisë, ma merr mendja që pëshpëritja e aurigës duhet të paralajmërojë se fuqia e tanishme e Edi Ramës dhe e partisë së tij mund të krijojnë avantazhe zgjedhore, por mund të krijojnë disavantazhe për shëndetin politik të vendit.

Po, Partia Socialiste dhe Edi Rama personalisht i kanë prirë një procesi transformues të Shqipërisë. Vendi nuk ka qenë ndonjëherë më i bukur, me cilësi më të mirë jete dhe me respekt më të madh në Evropë. Partia Socialiste është një makineri politike e perfeksionuar zgjedhore. Dhe, një pjesë e konsiderueshme e fitores së socialistëve në zgjedhjet vendore i atribuohet menaxhimit të pushtetit, në nivel bashkiak e qendror, e një pjesë e konsiderueshme makinerisë zgjedhore.

Por, po ashtu po, Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë kanë ndërtuar një kastë elitare dhe politikë të gllabërimit të resurseve (politike e të tjera), që në fund krijon një Shqipëri pa opozitë apo pa ndikim real opozitar në shoqëri. Në këtë sistem, klientelizmi, legalizimi i parave të drogës e veprimeve të tjera joligjore dhe korrupsioni nuk janë përjashtime.

Zgjedhjet vendore mund të kenë treguar muskujt e Partisë Socialiste, por, po ashtu, një demokraci edhe më të dobësuar të Shqipërisë. Shëndeti i demokracisë së Shqipërisë, e me këtë edhe të shtetësisë së saj, nuk mund të matet me muskujt e partisë në pushtet. Po të kishte qenë për muskuj, Partia e Punës nuk do të kishte nevojë për alternativë.

3.

Mbase, andaj, një pëshpëritje e riformuluar e aurigës për Edi Ramën sot është: “Kujtoje, ke nevojë për opozitë”.

Fillimisht, sepse Shqipëria ka hyrë në fazën e afërt me pushtetin absolut. Kryebashkiakët socialistë dhe pushteti qendror mund të jenë më të mirët me njohuri e përkushtim, por pa opozitë ky pushtet rrëshqet në vetëmjaftueshmëri. Aq më shumë në një ambient që nuk mund të krenohet me media profesionale (e të pakontrolluara prej klientelizmit) dhe sundim ligji.

Pastaj, edhe për faktin se mund të krijohet një adaptim shoqëror me mungesën e opozitës. Kur opozita bojkotoi zgjedhjet vendore më 2019 krijoi një gjendje ku pushteti i zgjedhur vendor ishte legal, por nuk ishte legjitim. Katër vjet të pushtetit pa legjitimitet në fund e legjitimoi atë, falë në masë të madhe edhe një opozite që hyri në rrugë degradimi e shkërmoqjeje. Më 2023-tën, PS-ja dhe Edi Rama u vunë në krye të një fitoreje që krijoi legalitet e legjitimitet të pushtetit pothuajse pa opozitë.

Më 2019-n, nëse mund të përdoret kjo analogji, u thye kocka e një këmbe të demokracisë së Shqipërisë. Katër vjet vendi eci më kockë të thyer, që filloi të vetëngjitej. Më 15 maj u vendos që ajo kockë e thyer është ngjitur aq sa të lejojë një ecje komode. Po, këmba është e shtrembër, por me rëndësi po ecet me të.

4.

Në këtë javë, pas betejës, Edi Rama dhe Partia Socialiste duhet ta shohin fushëbetejën e lënë pas fitores impresive.

Armët që sollën fitoren mund të jenë problemet e së ardhmes. Fushata e socialistëve në këto zgjedhje nuk shpjegoi se si do të zgjidhen problemet bashkiake; fushata e socialistëve në këto zgjedhje duhej të tregonte se si do të zhdukeshin nga fushëbeteja “non-gratat” Sali Berisha e Ilir Meta, me fotografitë e tyre bardh e zi për t’u hapur rrugë fytyrave me ngjyra të socializmit shqiptar.

Dhe, rrjedhimisht, gjuha e përdorur e fushatës së prirë nga Edi Rama nuk ishte gjuha e teknikaliteteve të kësaj rruge fshati, atij ujësjellësi dhe asaj fushe sporti, por gjuha e diabolizimit të kundërshtarëve, deri në masën kur natyrshëm do përfytyruar se si prijësve të opozitës u dalin brinjët dhe bishti me shigjetë në fund, ndërsa në duar mbajnë tredhëmbëshin ende të skuqur nga zjarri i Ferrit.

Në atë fushëbetejë, edhe këtë javë dhe çdo javë tjetër, me vite të tëra do të mbetet një vend i polarizuar, në të cilin gjuha e debatit politik ka tejkaluar tashmë çdo nivel racionalizimi. Në atë fushëbetejë , gjuha e urrejtjes, amplifikimi popullist dhe shija e tallavasë mund të dominojnë ligjërimin publik për një kohë të gjatë.

Në kësi ambienti Shqipëria e kundërthënieve - e njerëzve të punës në shtet e në iniciativë private, e emigrantëve që mbajnë familjet e tyre, e shpëlarësve të parasë së drogës, e sekserëve të legjitimuar si profesion, e një shtrese të mesme gjithandej qyteteve të vendit që po e krijojnë jetën e shtresave të mesme evropiane, vrasësve që çdo natë japin kronikën e parë në lajmet qendrore - është e dënuar të përpiqet të krijojë sërish një pushtet që duhet të mbajë mend pëshpërimën e aurigës.