Po të kisha të drejtë vote do ishte për Trump-in

Nga Stela Sallaku/ Nuk kam asnjë drojë ta pranoj se janarin e shkuar presidentin Trump e njihja vetëm si emër. Më shumë informacion kisha për veshjet e Melanias, se sa për vetë presidentin. Donald Trump nuk shquhet për modë, dhe as për ndonjë shije të veçantë në zgjedhjen e veshjeve. Por sa i takon biznesit, sipërmarrjes dhe shifrave thonë se është shumë i zoti.
Sapo erdha në Amerikë, fillova të mësohem me faktin që çdo diskutim përfshinte dhe presidentin brenda. Dukej sikur përveç meje, të gjithë e kishin nga një mendim për të. Disa thoshin se i duket kapsja e parukes kur flet, të tjerë thoshin se i ka vënë të gjithë amerikanët në punë, saqë papunësia para pandemisë ishte reduktuar në 3.5%. Disa mendonin se e ka kthyer shtetin në strukturë biznesi, por vetë bizneset ishin kënaqur me taksat e reja.
Disa thoshin se është racist, nuk do as meksikanët, e as emigrantët nga zonat me preardhje myslimane. Dhe ajo puna e murit nuk ka dalë kot. Po ta kapë inati me ndonjë personazh publik, i qëndis ndonjë status në Twitter.
Donald J. Trump është njujorkez puro. Madje i plotëson të gjitha kriteret për t’u quajtur i tillë. Lindur në Queens, New York, madje.
Tiparet e një njujorkezi të vërtetë:
* - Sjellje dyshuese kundrejt gjithçkaje dhe çdokujt
* - Nuk shquhen për durim
* - Një mungesë dëshire për t’i dhënë makinës
* - Sikur nuk gjejnë rehati asnjëherë
* - Duan më shumë qentë se sa njerëzit
* - Gjuhën e australianëve as që e kuptojnë fare
* - Kanë parë hata me sy nëpër trena dhe s’ju bën më përshtypje asnjë gjë
* - Etj.
Presidenti i 45-të i Amerikës duket se i gëzon këto veti, të paktën shumicën. Është rritur në një familje ku i ati është marrë me real estate që herët. Pasuria e tij thuhet se shkon në 1 miliard dollarë. Vetë Donald Trump është emëruar CEO i kompanisë të së atit në 1971, me pak fjalë i është besuar drejtimi dhe menaxhimi i njerëzve dhe situatave të paparashikuara të biznesit. Kushdo që ka pasur biznes, e di mirë se ku e kam fjalën. Mua më është dukur gjithnjë edhe shteti një biznes i madh, veçse me një numër shumë më të madh punonjësish. Çfarë thotë njëri s`e thotë tjetri, e çfarë i pëlqen njërit jo domosdo do t’i pëlqejë tjetrit. Të gjithë duan vende pune e kushte të barabarta. Drejtuesit duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët si dhe të krijojnë ambient të sigurt pune për secilin. Më vjen në mend puna ime e parë! Sa pak menaxhim kishte! Secili bënte si të donte. Hiqeshin dhe viheshin njerëzit në punë sipas interesit!
Shumica e rezidentëve në Texas votojnë Trump-in, ose partinë Republikane. Kandidati i krahut të majtë nuk duket shumë i besuar sa i takon drejtimit. Por jo vetëm Texas, kur isha në Wyoming kam parë gra e burra me bluza me logon “Voto Trump”. Shumica e banorëve qenë Republikanë, por ka dhe disa Demokratë që numërohen me gishta. Edhe në Montana, edhe në Ohio, edhe në Nebraska.
Edhe halla ime do votojë Trump-in. Zakonisht nuk bën kurrë komente për votën e saj, por unë kisha kuriozitet të tepruar. Pse-të dhe ç’ne-të nuk ia kam kursyer çdo mëngjes kur pinim kafet. Ndoshta u binda nga pikëpamjet e Trump, sidomos politikat e tij menaxheriale. Ndoshta, ndoshta Joe Biden s’më pëlqen më shumë se Trump. Ndoshta, si sipërmarrëse që në moshën 23-vjeçare i simpatizoj sipërmarrësit më shumë se sa të tjerët. Nuk e di pse, por po të kisha të drejtë vote, e di me siguri që do votoja Donald Trump-in.