Opinion

Problemi (s`) janë armët

Problemi (s`) janë armët
Kozeta Turishta

Gazetarja Kozeta Turishta, që jeton dhe punon në Amerikë ku ka krijuar edhe familjen dhe ka një djalë të vogël, në një opinion për tiranapost.al zbulon disa anë të fotografisë së fenomenit amerikan të “mass shooting” ku vetëm para dy ditësh 19 fëmijë të një shkolle u vranë dhe dy mësuese nga një 18 vjeçar me probleme.

Shumë media në Amerikë folën për bullizimin e këtij të riu. Por sa ka të bullizuar? Kudo ka dhe nuk shkojnë me armë nëpër shkolla. Ka diçka më shumë pra!

Problemi janë armët? Po një armë gjendet po ta ndajë mendjen dikush, dhe ajo nuk është e vetmja arsye pse ky model amerikan po sfidon vendin e lirive. Në fakt është po aq vend i marrive.

Lexo të plotë një opinion nga Kozeta Turishta

Nga Kozeta Turishta/ Sulmi në shkollën fillore " Robb" në Uvald të Shtetit të Texas të Amerikës ka pikëlluar dhe ka thyer zemrat e miliona qytetarëve amerikanë në mbarë vendin. Është një Zi kombëtare, një tragjedi që kudo që shkon sheh njerëz me lotë ndër sy që flasin vetëm për këtë masakër që fatkeqësisht po ndodhin kaq shpesh.

Ankthin dhe shqetësimin më të madh sigurisht që e kanë prindërit ku tani mëngjeset rutinë për t'i dërguar femijët në shkollë me gëzim është kthyer në një makth për ta, siç shprehen vetë ata që nuk e kanë më të sigurtë të nesërmen e fëmijëve të tyre dhe më e frikshme është kur e mendon që në një institucion siç është Shkolla, garancia për jetën është zero. - Dhe vetë nënat dhe prindërit shqiptarë të Komunitetit në Nju - Jork, kanë shprehur një revoltë, një zhgënjim total për sistemin e sigurisë nepër shkolla dhe ndihen të pambrojtur.

Autori i kësaj ngjarje të rëndë ishte një adoleshent sapo i kish mbushur 18 vjeç, i cili kish qënë viktimë e bulizmit

18 vjeçari nga Teksasi që vrau 19 fëmijë dhe dy mësues, kishte shkruar në Facebook se do të hapte zjarr në një shkollë fillore rreth 15 minuta para se ta bënte një gjë të tillë. - Kur e mendon që kjo ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e frikshme dhe zhgënjyese. - Gjithë pyesim pse ndodh? dhe si mund t'a parandalojmë?

10 ditë - 2 masakra

Brenda 10 ditëve, kanë ndodhur dy masakra pothuajse të ngjashme nga dy persona të armatosur që kanë cuar në këtë bilanc tragjik. - Atëherë problemi nuk bie vetëm tek armët, pavarësisht se Shteti i Texas duhet patjetër që ligjin për armët ta rishqyrtojë sidomos për moshat e reja dhe të bëjë një kontroll më të detajuar për çdo person që kërkon leje për mbajtjen e armëve të shohin se nga vijnë këta persona, si në rastin e autorit tetëmbëdhjetë vjeçar i cili vinte nga një familje me probleme dhe si viktimë i bullizmit në shkollë, në lagje, kudo që shkonte ka lënë pasojë të keqe në shëndetin e tij mendor, ai e kishte planifikuar këtë masakër në mos me armë pistoletë, do kish gjetur një armë tjetër të ftohtë, prandaj armët nuk janë burimi i këtyre tragjedive por janë vetë mendjet e sëmura të njerëzve që lihen pas dore jo vetëm nga familjet, por dhe nga vetë shteti, nga spitalet dhe klinikat.

Sistemi i shëndetësisë së problemeve mendore, është i dështuar në Amerikë.

Sepse pikë së pari nuk ka mjaftueshëm as terapistë dhe as psikiatër. Pas pandemisë, është rritur ndjeshëm ku sipas statistikave të fundit tregohet mbi 16 milionë njerëz me probleme të shëndetit mendor çdo vit, dhe bëjnë vetëvrasje mbi 850 mijë persona në vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Spitalet nuk kanë pavione të mjaftueshëm për këta pacientë , madje edhe kur shtrohen në Spitale nuk mund t'i mbaj spitali më shumë sesa dy muaj dhe më e keqja është që nuk i jepet një plan afatgjatë mjekimi të vazhdueshëm prandaj këta pacientë mbesin të pakuruar dhe kthehen në agresorë për ambientin dhe për vetë shoqërinë. - Nëse do ishte për Ligjin e Armëve kjo tragjedi nuk do kish ndodhur përsëri pas masakrës së madhe të Sandy Hook ku një person vrau mbi 20 femijë në vitin 2012, në një shtet si Cennticut që ka një rreptësi të madhe në dhënien e lejes për armë. - Nëse do kish qënë për Ligjin e Armëve nuk do kish ndodhur sërish ngjarja e para 10 ditëve në veri të Nju-Jorkut, ku një person vrau 10 njerëz të pafajshëm teksa po bënin pazar në një supermarket dhe po flasim për shtetin e NY ku gjithashtu ka një ligj të fortë për lejet e armëve. - Po të ishte për Ligjin e Armëve do i ishte gjendur mënyra për të parandaluar dhjetëra raste që ndodhin çdo ditë dhe për ditë në rrugët më të populluar të Nju-Jorkut, në metro, në dyqane, ku vriten, dhe plaçkiten ditën për diell të rritur e femijë, burra dhe gra që bien pre e këtyre njerëzve që vuajnë nga shëndeti mendor që as burgu nuk i mban por i nxjerrin pas një kohë të shkurtër dhe pasojnë me krime të tjera.

Nju-Jorku, po behët përditë qyteti që ka më pak siguri për jetën, ai qyteti që nuk ke më guxim të ecësh e të shijosh magjinë e tij sepse të duhet të jesh i vetëdijshëm dhe i kujdesshëm në çdo cep të hapësh sytë mirë e mos të përfundosh në ndonjë kanal apo ndonjë thikë pas shpine.

Ajo çfarë është emergjente, dhe sensibilizuese, është që komuniteti, komshinjtë, shkolla, mësuesit, duhet të jenë më të ndërgjegjshëm kur shohin dikë që shfaq probleme të tilla mendore duhet të raportojë, duhet të ofrojë ndihmë, duhet të bëj një telefonatë organeve kompetente, duhet të flasi sepse vetëm kështu mund të parandalojmë këtë fenomen që po merr jetën e njerëzve të pafajshëm, sepse në një vënd kaq të madh si Amerika, Pandemia ka lënë pasojë të madhe tek ata që kanë humbur vendet e punës, që nuk ia dalin dot në fund të muajit, që janë të braktisur nga familjet, nga shoqëria, nga shkolla, këtu është rrënja e vërtetë e këtij problemi në ditët e sotme, çdo gjë nis nga familja, dhe kjo kategori njerëzish kanë nevojë për mbështetje sepse sa më lirshëm të lihen aq më të rrezikshëm bëhen për shoqërinë dhe vendin ku jetojmë. - Nga ana tjetër janë dhe rrjetet sociale që ndikojnë negativisht sidomos për moshat e reja që janë shkëputur totalisht nga kontakti me njerëzit dhe krijojnë pritshmëri të larta për jetën sepse e duan njësoj si ata që i shfaqin në Instagram mes glamurit dhe jetës perfekte që në fakt është asgjë më shumë sesa një sajesë fallco që gënjen mendjen e të rinjve dhe dëmton qëllimin e tyre për të ardhmen e vërtetë.

Problemi nuk janë vetëm armët?

E ritheksoj që burimi i vërtetë nis nga shëndeti mendor, sidomos pas pandemisë problemet e shëndeti mendor janë rritur frikshëm, njerëz që janë të vetmuar dhe të abandonuar nga familjet, dhe fatkeqësisht sistemi shëndetësor për njerëzit që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor është një sistem i dështuar në Amerikë, nuk ka mjekë e specialistë mjaftueshëm, dhe pjesa më e madhe e këtyre njerëzve nuk marrin mjekim, madje dhe nëse shtrohen në spital i nxjerrin pas një kohë të shkurtër duke mos pasur asnjë plan afatgjatë mjekimi për këta pacientë dhe sigurisht që këta njerëz bëhen të ashpër bëhen të rrezikshëm. - Armet nuk janë burimi i këtyre tragjedive, edhe pse duhet patjetër të rishikohet ky ligj veçanërisht në Shtetin e Texas, ku vetë Presidenti i Amerikës, Joe Biden, ka kërkuar një ndërhyrje të menjëhershme mbi ligjin e armëve gjë e cila kundërshtohet nga Republikanët amerikanë se sipas tyre siç e përmban dhe Kushtetuta e vendit që çdo qytetar amerikan gëzon të drejtën e mbajtjes së armës me leje madje si një simbol lirie pas revolucionit amerikan të 4 korrikut të 1776-tës ku u nënshkrua në Amandamentin e dytë kjo e drejtë legjitime.

Ndërsa analistë e gazetarë amerikanë kërkojnë që Qeveritë e Shteteve të hartojnë një ligj për një siguri më efikase nëpër shkolla , madje të këtë një sigurim të armatosur në çdo shkollë. - "If you see something, say something " - ky slogan duhet të bëhet një mësim më i mirë për ne që nëse shohim diçka duhet ta themi, e jo të heshtim si në rastin e Autorit në Teksas ku shokët e klasës së tij kanë folur që ai ka qënë tip i mbyllur, dhe që bullizohej non stop. - Nëse dikush do kishte raportuar ose do e kishte ndihmuar ndoshta nuk do kishim një tragjedi me 21 të vdekur.