Opinion

Pse e marrim historinë me emocione

Pse e marrim historinë me emocione

Nga Niko Peleshi/ Fati ynë apo institucionet tona?
Ngjarja e fundit e publikimit të dyshimeve për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të kuvendit Kadri Veseli ka shkaktuar një tronditje, valët e së cilës prekin gjithë botën shqiptare. Një prekje emocionale që na vesh kombëtarisht me kompleksin e trajtimit të padrejtë. Vetëm dy dekada më parë aleanca më e madhe ushtarake u detyrua të ndërhyjë forcërisht per t’i dhënë fund genocidit serb ndaj popullsisë shqiptare autoktone të Kosovës. Sot Serbia është para nesh në procesin e integrimit europian. Ndërsa Kosova nuk ka marre as të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza në BE.

Madje tani i duhet të shpenzojë, me shumë gjasë edhe një dekadë për t’i rikujtuar botës se lufta e Kosovës ishte lufta çlirimtare e një populli të shtypur dhe UÇK një forcë ushtarake me mision patriotik e jo terrorist. Nuk po synoj të trajtoj specifikisht akuzat e pakëndshme për komandantët e UÇK, por vetëm sa po marr shkas nga ato për të dhënë një opinion mbi raportin emocional që ne ndërtojmë me ngjarjet historike.

Historia shpesh nuk të jep atë që të takon sepse nuk është një shkencë ekzakte. Parimet e të mirës dhe të keqes janë subjektive dhe relativizohen nga koha, interesat dhe fuqitë më të mëdha se ne.

Duke sjellë në vëmendje këtë të vërtetë nuk dua te justifikoj ndjesinë e inferioritetit dhe viktimizimit që na kaplon sa herë përballemi me padrejtësitë e historisë. Përgjatë gjithë jetës, në bankat e shkollës, në tryezën e bukës, në kafene apo në stadiume ne i mbushim mendjen vetes se “na i kanë me hile”.

Veçse asnjëherë nuk bëjmë pyetjen e thjeshte PSE?
Sepse kjo pyetje e thjeshtë i le vendin një pergjigjeje të vështirë sa vetë historia jonë shtetformuese dhe ne pergjigjet e veshtira nuk i duam.

Së pari duhet thënë se nuk është aspak çështje fati, as çështje inati apo race.

Është çështje institucionesh.
Gjeopolitika, planet e fuqive më të mëdha apo ngjarjet e zhvillimet botërore janë padyshim faktorë madhorë dhe jo rrallë përcaktues, por vendimmarrjet kombëtare janë jo më pak të rëndësishme.
Çelësi për fuqizimin dhe prosperitetin e shoqërive jane institucionet, thote Niall Ferguson ne librin “Degjenerimi i madh”. Diplomacia është produkt i lobimit, informacionit, inteligjencës, historiografisë, strategjive kombëtare e rajonale dhe padyshim politikës. Të gjithë këta faktorë përpunohen nga institucionet përkatëse.

Për sa kohë që çalojmë në secilin prej tyre, per aq kohë produkti ynë diplomatik do të çalojë.
Para pak kohësh kryeministri shqiptar hodhi idenë e ngritjes së akademisë së përbashkët të shkencave - një hap i domosdoshëm veç të tjerash për të mbajtur të ndriçuara të drejtat historike bazur në fakte e studime shkencore. Akademitë e vendeve të tjera, prej dekadash janë duke e luajtur më mirë se ne këtë rol ndonëse shpesh iu duhet të bëjnë të zezën të bardhë. Vështirë të gjesh një vend tjeter në rajon ku rryma të caktuara “intelektuale” guxojnë të hedhin hije mbi shkëlqimin e heroit kombëtar duke i dhënë oksigjen propagandës së qarqeve antishqiptare. Kjo gërryerje e themeleve që mbajnë në këmbë kombin kërkon hijen e rëndë të institucioneve të mendimit shkencor.

Pra le të ngrejmë zërin për trajtim të padrejtë por së pari të marrim përgjegjësitë që na takojnë.
As betejat e Gjergj Kastriotit, as sakrificat e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, as gjaku ende i freskët i luftëtarëve të UÇK-së dhe vëllezërve tanë në Kosovë nuk mjaftojnë për të hipotekuar të drejtat tona historike nëse nuk punojmë të gjithë çdo ditë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut e Mal të Zi ku ka treva shqiptare dhe në cdo cep të globit ku jetojnë e punojnë shqiptarë duke përsëritur një narrativë të cilën ende nuk e kemi: Kush jemi, nga vijmë dhe për ku po shkojmë? Projeksionet e studimeve shkencore (Pew Research Center) për të ardhmen e numrit të popullsisë parashikojnë se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të pësojë uljen më të madhe të popullsisë në rang global gjatë këtij shekulli. Këto projeksione konsiderojnë faktorë tregu që nuk varen nga ne, por historia është e mbushur me shembuj të vendeve që kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në histori falë strategjisë së zgjedhur prej tyre. Ata kanë rishkruar fatin e tyre në vend që të vajtonin “fatin e shkruar”. Cili është institucioni qe merret me sfida kaq afatgjatë?
Ne arenën tonë publike këto tema shkaktojnë bezdi, por mbase kjo bezdi fsheh edhe arsyet e dështimeve tona historike.

Solidarizimi i pothuaj gjithë faktorëve politikë shqiptarë me udhëheqësit e luftës së Kosovës është një gjest pozitiv, por suksesi diplomatik nuk mund të jetë rezultat i një gjesti. Përplasja jonë diplomatike me Serbinë do të vazhdojë gjatë. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të ishte një fitore diplomatike historike por nuk do të vijë kurrsesi si dhuratë. Më e pakta që duhet të bëjmë është të flasim me një gjuhë e në një linjë diplomatike. Por grindjet politike tek ne nuk kursejnë as çështjet strategjike kombëtare. Akuzat politike për qasje personale në marrëdheniet Serbi-Shqipëri vetëm sa kanë dobësuar pozitat tona në rrafshin diplomatik. Duhet ta themi pa e fshehur, sado e shëmtuar të duket, se jemi të vetmit që nuk shkojmë dot me një qëndrim të unifikuar në ballafaqimet me institucionet nderkombëtare që na asisitojnë në procesin më të rëndësishëm të shekullit, integrimin në BE.

Ka ardhur koha që strategjitë kombëtare të hartohen dhe administrohen nga institute jopartizane dhe të zbatohen nga politikanët.

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri-Kosovë, një tjetër nismë e mirë e qeverisë shqiptare, ka krijuar platformën ku mund të jetësohet ngritja e instituteve strategjike mbarëkombëtare.

Nëse kapacitetet tona akademike dhe planifikuese jane të dobëta, le të punojmë për t’i ngritur. Më pas t’i respektojmë dhe në fund t’iu bindemi.

Kemi kapacitete njerëzore të pashfrytëzuara brenda e sidomos jashtë vendit. Mjaftoi pandemia për të “zbuluar” arritjet e ekselencës shqiptare në fushën e mjekësisë në botë. Shumë prej tyre u vetëofruan për të mbështetur vendin amë. Nuk e harroj sa shumë shqiptare u treguan të gatshëm të përfshihen në projektin tonë në përgjigje të ftesës së hapur pas zgjedhjeve të 2013-s. Pra nëse ndërtojmë një narrativë kombëtare dhe një sistem institucionesh për kërkime strategjike në diplomaci, infrastrukturë, strukturën e ardhshme të forcës së punës, teknologji e kulturë, diaspora shqiptare mund të kthehet në një vlerë të shtuar të çmuar në fushën e dijes por edhe imazhit e lobimit ndërkombëtar.

Është naive të mendosh se kjo arrihet shpejt.
Bëhet fjalë për një kulturë të re, e si e tillë do të marrë kohën e vet jo të shkurtër për tu kultivuar në shoqëritë tona. Çdo komb është thellësisht i influencuar nga eksperiencat e tij të kaluara, thotë Henri Kissinger në librin “Rendi Botëror”. Kultura jona e neglizhimit të rolit të institucioneve nuk e bën shumë optimiste të ardhmen, por ky nuk mund të jetë një argument për të mos ndryshuar rrënjësisht qasjen.

Sot thuhet se kur flet Vuçiç nuk flet Vuçiç por flasin institucionet e shtetit serb. Flet akademia e tyre e shkencave, flet inteligjenca serbe, flet instituti i kërkimeve strategjike.
Kur ta themi këtë edhe për Shqipërinë e Kosovën, do të kemi hapur një faqe të re dhe shume serioze në historinë e përpjekjes shqiptare për bashkim në bashkësinë euroatlantike, me dinjitet dhe autoritet.