Opinion

Pse Edi Rama s’duhet ta ketë me Shkullakun

Pse Edi Rama s’duhet ta ketë me Shkullakun

Nga Mero Baze/Kryeministri Edi Rama bëri sot një fact–checking, pas një debati në studion e Blendi Fevziut, me një nga polemizuesit kryesor në atë emision, Armand Shkullaku. Duhet të pranojmë që kjo është një praktikë e pazakontë, pasi zakonisht fact–checking bëhet ndaj fakteve që thotë kryeministri apo një zyrtar i lartë në debatet publike, dhe jo ndaj atyre që thonë gazetarët.

Por meqë emisioni i Fevziut ka një format ku gazetarët nuk pyesin, po debatojnë, ka kuptim dhe ky gjest.

Nuk dua të bëj ndonjë koment për pështirosjen publike të prodhuar nga ky emision, pasi nuk është ndonjë kurth as për Ramën, as për të tjerët. Të gjithë e kanë të qartë ku shkojnë dhe shkojnë të vetëzhyten  në atë baltë, ndaj dhe duhet të na i kursejnë ankesat ndaj njëri- tjetrit, pas emisionit.

Ajo që dua të nënvizoj, është qasja e kryeministrit ndaj një fakti të pavërtetë, për të cilin Shkullaku këmbënguli në emision.

Ajo që më tërhoqi vëmendjen në polemikën e sotme të Edi Ramës, ishte për herë të parë goditja e një fenomeni hipokrit në shtypin qëndror shqiptar, në diferencën e qëndrimeve mes pronarëve të medias dhe gazetarëve të punësuar aty.

Kjo shkollë, që në fakt është shkolla më gjobëvënëse e shtypit shqiptar, është e ngritur në perfeksion në TV  Klan. Falë dhe kontributit të Edi Ramës dhe paraardhësve të tij, që nga Ilir Meta, Sali Berisha e Fatos Nano.

Stili gjobëvënës i TV Klanit, është që pronari i TV Klan bën biznese dhe pazare gjithë ditën me pushtetin dhe biznesmenet, dhe në të njëtën kohë, ka krijuar disa institucione zhurmuesish, siç është emisioni i Fevziut, ku gjoja ballafaqohen të vërtetat, por vetëm në nivel politik, jo aty ku ndodhin.

Edi Rama pjesën më cinike të reagimit, kishte pikërisht video dokumentarin e TV Klanit dhe ABC Neës, kur ishte pronë e TV Klanit e drejtohej nga Shkuallku, që lavdërohet inceneratori i Elbasanit. Natyrisht është dokumentar me pagesë. Është një shumë e majme që pronarët e inceneratorit i kanë ofruar Aleksandër Frangajt, ndërkohë që një pjesëtar i rrethit familjar të tij është pjesë e këtij biznesi.

E njëjta gjë është dhe me rrethin e njerëzve që drejtojnë Top Channel-in, por ata të paktën janë të sinqertë dhe kanë politikë editoriale të qartë pro projektit të inceneratorëve, dhe nuk bëjnë këtë lojën e Sandrit, që vet merr lekët nga ky biznes, ndërsa gazetarët e tij ngrejnë pikëpyetje, shpesh dhe të pasakta për atë që ndodh.

Kjo shkollë gjobëvënie e TV Klanit, ku një emision bën policin e keq, dy bëjnë të mirin, dhe pronari bën parambledhësin, është identiteti i atij televizioni dhe përdhunimi i gazetarisë, opozitarizmit, bile dhe pro-qeveritarizmit në media.

Në këtë aspekt, janë tërësisht të pangjashëm. Vetëm tek ata ndodh që gjithë produkti televiziv përdoret që t’i bjerë telefoni pronarit nga ndonjë biznes i madh apo qeveritar, dhe ai pastaj të menaxhojë situatën kundrejt pagesave. Vetëm Frangaj ka arritur t’i trajtojë produktet e veta televizive si qen gjahu, që i sjellin atij prenë në pritë.

Në këtë aspekt, unë jam gati ta mbroje Shkullakun për pasaktësinë e tij rreth inceneratorit të Elbasanit, nëse e ka pas nga mungesa e informacionit, por nuk mund ta justifikoj të qënurit pjesë e një medie korruptive, kur e di që pronari i medies, është dhe pak pronar dhe shumë përfitues i asaj për të cilën ti po flet.

Armand Shkullaku nuk ka lidhje personale me inceneratorët, nuk është përfitues prej tyre, dhe ka gjithë të drejtën të hetojë atë kontratë dhe funksionimin e saj. Por nëse dëshiron ta bëjë, duhet të ulet ta bëjë vetë.

Atëhere do t’i dalë para pronari i tij dhe shokë të tij, e pastaj duhet të marrë një vendim se çfarë duhet të bëjë.

Kjo panorama opozitare tek Fevziu dhe pastaj gostia pas darke, janë në fakt identiteti i vërtetë korruptiv i TV Klanit, i cili përpiqet të duket pro-qeveritar, pasi ka një emision lajmesh konformist propagandistik dhe pastaj ka një sërë emisionesh linçuese progandistike, si për të treguar se Sandri e ka shumë të vështirë t’i përmbajë “kollosët” e vet në rresht, po nuk pagoi qeveria apo biznesi.

Edi Rama e kishte drejtuar prozhektorin pikërisht tek kjo pikë. E meqë e ka çuar aty, duhet të njohë dhe krimet e veta në këtë histori, pasi ai dhe paraardhësit e tij, e kanë prodhuar këtë fenomen.

TV Klan dhe media e madhe shqiptare, është një piramidë që shkërmoqet, nëse kryeministri i këtij vendi, kushdoqoftë ai, nuk u hap telefonin pronarëve të tyre. Por meqë tani është vonë për këtë gjë, është mirë që letrat të mos hapen vetëm kur kap ndonjë gënjeshtër të Shkullakut. Ai të paktën nuk të vjen në zyrë për ndonjë nder.

Problemi janë ata dy të tjerët, që pas emisionit të Shkullakut, vijnë për nderin e radhës e të shfajësohen pa ua kërkuar, se nuk kemi “çfarë t’i bëjmë atij Shkullakut, se ja futi kot”.