Opinion

Pse premtimet ‘plot’ të Bashës janë boshe?

Pse premtimet ‘plot’ të Bashës janë boshe?

Prezantimi i programit elektoral të Lulzim Bashës evidenton vetëm një fakt, që në Shqipëri mungon oferta politika e djathtë, një fatkeqësi kjo për çdo shtet që aspiron një jetë të shëndetshme demokratike. Ndërkohë që të djathtët në vend presin një ofertë liberale për të çliruar sipërmarrjen dhe profesionistët nga “kthetrat e Leviatanit shtetëror”, Lulzim Basha u ofron qeverinë “dado” që të shoqëron nga djepi në varr me subvencione dhe ndihma.

“Angazhimet” e Bashës për t’u veshur me “velon” e liberalizmit tregojnë dizonancën konjitive të një lideri pa identitet. Paraprakisht ai premton ulje të taksave që pashmangshmërisht do të rezultojnë në rënien e të ardhurave shtetërore (që në vetvete nuk është domosdoshmërisht e keqe përsa kohë tregu ka lijkuiditet dhe veprimtaria e sipërmarrjes është në rritje), por zotohet edhe ulje të borxhit publik. Në të njëjtën kohë, Basha premton shpenzime kolosale të shkollimit të 90% të studentëve me fonde shtetërore, garantimit të stazheve të financuara nga taksapaguesit, rritje të rrogave në shifra astronomike dhe subvecionime miliona eurosh në çdo sektor, të gjitha premtime që mund të financohen vetëm me taksa të larta ose me rritje të borxhit publik.

Është evidente se një implementim i programit Basha do të sillte pashmangshmërisht një rritje të tillë të borxhit publik, çka në vetvete përbën një taksë mbi kursimet e familjarëve, shtresës së mesme dhe sipërmarrësve, stratat shoqërore që një subjekt politik i djathtë supozohet të përfaqësojë. Guxoj të them që një politikan nominalisht i djathtë është i njohur me veprën e Henry Hazlitt që përshkruan sesi “inflacioni është opiumi real i popullit” në kushtet kur krijon një optimizëm fals dhe të përkohshëm duke hedhur miliona në treg që më pas faturohen tek e gjithë shoqëria, veçanërisht tek shtresat më produktive dhe të përgjegjshme që kontribuojnë dhe më shumë në fondet e përbashkëta.

Me çfarë autoriteti do i imponohet një formacion politik “liberal” sipërmarrjes duke e detyruar atë të shtojë në personelin e vet me mijëra individë të pakualifikuar që janë zgjedhur me kritere arbitrare?! Notat nuk janë i vetmi indikator i aftësisë së një studenti për të hyrë në tregun e punës dhe a do të ketë të drejtën një sipërmarrës të shkarkojë këta të rinj të punësuar nga taksapaguesit për performancë të keqe? A supozohet që një i ri, i cili pas shkollës së mesme për shkak të vështirësive ekonomike apo edhe aftësive në punë manuale dhe që e fiton pagën e tij me djersë, të paguajë taksa për të shkollimin e një studenti artesh? Një i djathtë e kupton që ndonëse arsimi në përgjithësi është e mirë publike, edukimi privat përbën përgjegjësi individuale dhe nuk mund të faturohet publiku me koston e jetës së gjithkujt që zgjedh të shkollohet.

Sipërmarrësit dhe shtresa e mesme në Shqipëri kanë nevojë për një alternativë politikë që do e zhdukë termin “shtet” nga përditshmëria, një realitet ku në çdo tavolinë kjo fjalë nuk do të përdoret vetëm si një subjekt që ndjell frikë, apo shpresë për korrupsion, nga ata që kanë akses. Profesionistët kanë nevojë për garanci të plotë që kursimet dhe paraja e tyre do të ruajnë vlerën dhe se meritat nuk hidhen poshtë me një të rënë të lapsit. Shteti nuk mund të ofrojë zgjidhje për të gjitha probleme e çdo njeriu, sepse shteti as nuk prodhon produkte as nuk shet shërbime, çdo gjë që e ka e ka grumbulluar nga taksapaguesit.

Kush do të subvenciojë çdo sektor të ekonomisë? Cilat janë pasojat e injektimit të miliarda lekëve pa vlerë korresponduese në treg për familjet dhe kursimet e tyre? Cilat janë perspektivat e sipërmarrjes në kushtet që shteti planifikon kush do punësohet dhe në cilët sektorë? Cili sipërmarrës ndërkombëtar do zgjedhë të investojë në një ekonomi kaq të centralizuar? Si bashkëjeton taksa e sheshtë me ndërhyrje ekonomike në çdo kategori sipërmarrjeje? Këto janë pyetjet që duhet të marrin përgjigje! Në të kundërt, Basha shkon përtej konotacionit pezhorativ të termit “populist” dhe klasifikohet në një "tallës" të të gjithë atyre që njohin sadopak si funksionon një ekonomi.

A meritojnë të djathtët një alternativë elektorale në një vend literalisht të përndjekur nga etatizmi shekullor? Kjo është pyetja që u shtrohet votuesve në kushtet kur u ofrohen shumë të majta në fletën e votimit. PD duhet të gjejë identitetin si partia e sipërmarrjes, e njerëzve punëtorë dhe produktivë nëse shpreson të penetrojë dhe të rikrijojë baza në shoqërinë shqiptare. Ofertat për subvencione dhe "dreka falas" t'ia lejë së majtës që e ka në identitet rishpërndarjen arbitrare të të ardhurave. Në fjalët e Milton Friedman "nuk mund të ketë kurrë drekë falas, dikush do e paguajë".

Kristofor Hasko - Jam Student i Shkencave Politike, aktualisht jetoj në Gjenevë ku sapo mbarova Masterin për Sjellje dhe Teori Politike. Masat e Lockdown këtu në Zvicër na mbyllën brenda çka më dhanë mundësinë (ose fatkeqësinë në sytë e një të djathti si unë) të shikoja me kujdes programin ekonomik të PD dhe të kuptoja që vetëm i djathtë nuk është. Besoj se të gjithë, të majtë apo të djathtë qofshi bini dakord me mua se Shqipëria meriton një alternativë liberale, qoftë vetëm për pluralizëm mendimi... ndoshta kemi fat në 2024

tiranapost.al