Opinion

Rama dhe PS-ja në prag të takimit me historinë

Rama dhe PS-ja në prag të takimit me historinë

Nga Albert P. Nikolla

Ka një fragment mjaft interesant në librin e përkryer të Helena Kadaresë “Kohë e pamjaftueshme”, ku shkruhet për çështjen e vështirësisë dramatike të të marrit vesh ndërmjet shqiptarëve. “Shqipëria është e lodhshme. … Ishte një mendim i përgjithshëm se të merreshe vesh me shqiptarët ishte gjëja më e vështirë në botë. Gjysmë me të qeshur, Is i pëlqente të përsëriste se me shqiptarët asnjëherë s’mund ta kuptoje se ç’duhej bërë”. Shpesh mendoj se Rama ndodhet prej kohësh përballë së njëjtës dilemë me opozitën shqiptare! Natyrisht, që të merren vesh mes vedit dy persona ose dy grupe njerëzish, duhet që njëra palë ta thotë të vërtetën dhe tjetra ta kuptojë e ta pranojë si të tillë. Besoj se në Shqipëri, në momente të rëndësishme historike nuk ka munguar thënia e së vërtetës, por më së shumti ka qenë moskuptimi dhe mohimi i saj shkaku që ka sjellë mbrapshti e dreqni të pafundme, të cilat kanë lënë shenjë në ndërgjegjen e shoqërisë dhe të politikës. Në tri dekadat e fundit, pjesa më e madhe e historisë politike ka qenë nën shenjën e mosmarrëveshjes. Kaq e theksuar ka qenë kjo dukuri, saqë shkrimtari ynë i madh Kadare i ka kushtuar një sprovë që kërkon të shkojë te rrënjët e saj, pasi prej kapërcimit të saj varet edhe udha jonë drejt së mirës njerëzore e politike dhe largimi prej honit të fëlligështisë.

Ndërkohë që lëvizja studentore e fundvitit 1990 synonte bash fillimin e një mundësie marrëveshjeje mes nesh për të shijuar frymën e lirisë, marrëveshje e cila ishte tharmuar thuajse fshehurazi midis vuajtjeve dhe pasionit për liri nën diktaturë, me ardhjen në pushtet të PD-së në vitin 1992 çdo mundësi marrëveshjeje mori tatëpjetën. Kthimi i menjëhershëm e i beftë i PD-së nga parti politike normale, siç lindi prej gjirit të studentëve, në një grup tribal të dhunshëm, hodhi premisat e mosmarrëveshjes që do ta shoqëronte luftën politike paskomuniste për shumë kohë si një mallkim. SHIK-u famëkeq u bë si një përbindësh kundër fjalës së lirë, e cila ishte premisa zanafillore për çdo ujdi mes njerëzish e shpirtrash të trazuar që sapo kishin dalë nga errësira e dhunës. Një dhunë e re po shfaqej e veshur tashmë me kostum blu. Mjaft mendje të bukura grash e burrash, që përgjatë kohës prej Lëvizjes Studentore e deri në fitoren e marsit të vitit ‘92 kishin dhuruar fjalë të mençura, që i shkaktojnë shpirtit një dridhje, ndërgjegjes një shkundje, mendjes një ngacmim, duke ndërprerë e duke trazuar qetësinë e sheshtë të thënieve të zakonshme dhe të banaliteteve, tashmë gjendeshin përballë një përbindëshi të ri: dhunës dhe mosmarrëveshjes së përgjithshme. Presidenti ishte shndërruar në një kryeplak që nuk pranonte asnjë mendim ndryshe. Botimet e gazetave proqeveritare asokohe të kujtonin Bodlerin kur shkruante në Ditaret intime se “çdo gazetë … nuk është tjetër veçse një pëlhurë tmerresh e dehje turpesh universale. Ky është aperitivi i përzishëm me të cilin njeriu i qytetëruar e shoqëron vaktin e tij çdo mëngjes”.

Rrëshqitja në keqqeverisje e regjimit të PD-së dhe pamundësia e zërave kritikë që përmenda më lart për t’i bërë ballë ortekut të marrëzisë e dashakeqësisë, krijuan një llucë të shëmtuar ku luhej loja politike nën shenjën e keqkuptimit të qëllimshëm. Ky moçal moral, me gjithfarë lloj zhabash politike, krijoi premisat e dënimit të padrejtë me burg të mjaft figurave të PS-së, deri në dhunën shtazarake përgjatë zgjedhjeve kriminale të vitit ‘96, duke i dhënë fund kështu çdo mundësie mirëkuptimi politik. Ngjarjet e ‘97-s shënjuan një cak historik për keq e për mirë. Për keq, për faktin se u vu re që forca politike e PD-së, duke degjeneruar në një skuadrilje fashiste, kërkonte ta mbante sërish pushtetin me dhunë, siç ëndërronte kryeplaku i saj; për mirë, paradoksalisht, i tregoi regjimit se shqiptarët e kishin mposhtur frikën dhe nuk prisnin më 45 vjet për të bërë llogaritë me tiraninë dhe çdo shtysë politike e kulturore për krijimin e një rendi gjysmëdemokratik në Shqipëri ishte shuar njëherë e përgjithmonë.

Duke u ndodhur në një luftë politike kaq dredharake e kaq të ndyrë, PS-ja e pati të vështirë ta shpaloste plotësisht ngarkesën e vet ideologjike si parti, pasi metodat e përdorura nga PD-ja nuk linin shumë shtigje për një politikë me frymë emancipuese. Ndonjëherë, eksponentë të lartë të PS-së ranë viktimë e imitimit të shëmtuar të kryeplakut të PD-së, duke krijuar idenë e përgjigjes “dhëmb për dhëmb” ndaj armikut, pa kuptuar se tashmë shpirti në nivel masiv i anëtarësisë së PS-së ishte europian dhe e kishte braktisur mendësinë e “armikut” të kudondodhur. Sjell ndërmend në këtë kontekst përpjekjen për sjellje prej kaubojsi të I. Metës, i cili kishte filluar ta përjetonte pushtetin e tij brenda PS-së si të përjetshëm e të pacenueshëm. Ngjashmëria me kryeplakun e PD-së ishte e qartë në sytë e të gjithëve dhe, madje, pas disa viteve ai e ka shpallur publikisht “dobësinë dhe dëshirën e papërmbajtur” për të qenë mik për kokë me kryeplakun. Skenat e daljeve televizive në rastin e zgjedhjeve politike të vitit 2001 e vërtetojnë një gjë të tillë. Gjithë çka pohojmë dëshmon se I. Meta nuk ka asgjë të përbashkët me të majtën shqiptare dhe se krijesa e çintegruar e tij, më shumë se një parti e majtë, shëmbëllen me një apendicit politik e kulturor tribal të modelit politik të kryeplakut. Çdo dilemë, sado naive në dukje, për sa i përket ideologjisë e majtizmit të kësaj krijese, duhet kapërcyer, pasi LSI nuk është tjetër veçse një grupim parapolitik: e majta shqiptare është krejt tjetër dhe trajtën e vet të natyrshme e ka tek PS-ja.

Në këtë situatë, kur PS-së i kanosej rënia në honin pseudodemokratik sipas modelit të PD-së, dy personazhe dhe dy ngjarje e ruajtën Partinë Socialiste në shinat e saj shpirtërore e politike. E para kishte të bënte me një prurje mjaft interesante dhe të pazakontë për historinë politike deri asokohe në Ministrinë Kulturës të një artisti: Edi Rama. Zgjedhja që kishte bërë Nano ishte e goditur, sepse çdo ndryshim e zë fillin, ngjizet nga kultura. Me vrik Rama tharmoi një mënyrë të re të të bërit politikë jo vetëm duke dalë nga mendësia ndotëse e moçalit politik, por edhe duke sjellë një frymë të re brenda PS-së e, njëherazi, duke gjetur mikpritje e ngazëllim në këtë aventurë tek anëtarësia e saj. Por nuk mjaftonte vetëm kaq. Përveç kulturës politike duhej hedhur një hap i dytë që të kishte edhe natyrë administrative ku të sprovohej edhe aftësia menaxhuese veç asaj kulturore. Zgjedhja e tij në krye të Bashkisë së Tiranës i dha mundësi që dëshminë e tij ta shpaloste në përplotësueshërinë e saj perfekte: kulturë e re politike, menaxhim profesional i gjësë publike dhe orientim i pakthyeshëm drejt Europës. Krejt fryma politike që ai solli ishte nën shenjën e së resë dhe kundër politikës së vjetër të bazuar në cicmicet e pabereqet të mosmarrëveshjes. “Politika e re është politika e së vërtetës, e komunikimit të drejtpërdrejtë, e një marrëdhënieje të hapur edhe etike me qytetarët, institucionet, kundërshtarët apo rivalët. Politika e re është pasion, përkushtim, shërbim”. (E. Rama. “Për një Parti Socialiste të Shekullit të ri”). Ky ligjërim i ri politik ishte bezdia më e madhe që dikush mund të shkaktonte në veshët e politikanëve të vjetër, që si model frymëzues politik kishin beun e novelës së M. Kutelit.

Personazhi i dytë, që lidhet edhe me ngjarjen e dytë, ishte F. Nano, i cili arriti të mënjanonte imituesin e kryeplakut të PD-së në PS. Kjo lëvizje e shpëtoi partinë nga një kanoe e rrezikshme mes përrenjsh shkëmborë ku rrezikohej të mbytej krejt varka. Nano pati nuhatjen, por edhe shpirtin tipik socialist për të kuptuar se tashmë I. Meta ishte një mish i huaj për mendësinë socialiste dhe figura e tij si kryeministër mund të zvetënonte seriozisht vlerat që frymëzonin socialistët e zakonshëm. Me këtë lëvizje që i bën nder, F. Nano mbylli karrierën e tij si drejtues socialist duke na sjellë në mendje dramën e L. Pirandelos, Kënaqësia e ndershmërisë, në të cilën protagonisti shpall: “Është më e thjeshtë të jesh një hero sesa zotni burrë. Hero mund të jesh një në kaq herë, zotni burrë duhet të jesh përherë”.
E pabesueshmja ndodhi sërish në 2005! Pas zemërimit dhe dasisë që krijoi në të majtën shqiptare imituesi i kryeplakut, ky i fundit u ngjit përsëri në pushtet. Me mijëra socialistë nuk po u besonin syve të tyre tek shihnin në zyrën e kryeministrisë atë që kishte shkaktuar vitin famëkeq të ’97-s. Ky ishte shpërblimi i atij që PS-ja i kishte dhuruar gjithçka, nga ministër i jashtëm e deri në kryeministër të vendit në moshën 30-vjeçare. Është e qartë si drita e diellit, kryekrejet, se ky person i ka thyer zemrat e mijëra socialistëve në mënyrë të pakthyeshme dhe çdo bashkëpunim i tyre me LSI-në ka qenë vetëm i diktuar nga rrethana historike dhe jo nga një bashkëndarje ideologjike apo politike me të. Periudha e PD-së në pushtet me këmbalecin e LSI-së, shënjon edhe rikthimin e politikës së vjetër në pushtet dhe dëshmoi se shpirti frymëzues ishte po ai: dhunë, vrasje, papërgjegjshmëri e hatashme në menaxhimin e gjësë publike: Gërdeci, 21 janari, korrupsioni masiv, sidomos në mandatin e dytë. Shenjat e poshtërimit të dinjitetit njerëzor shënuan kulmin në qeverisjen famëkeqe të aleancës PD-LSI, kur për herë të parë në një rend formalisht demokratik u përsërit fati i studentit Jan Palach që pat djegur veten në shenjë të kundërshtimit të pushtimit sovjetik të Çekosllavakisë: një ish i dënuar politik shqiptar, Lirak Bejko, dogji veten e vdiq dhe askush nga qeveria nuk mbajti as më të voglën përgjegjësi apo brerje ndërgjegjeje.

Në këtë klimë të trishtë ku e kishte çuar politikën shqiptare qeverisja e djathtë, PS-ja fitoi zgjedhjet në vitin 2013. Reformat e jashtëzakonshme në mandatin e parë krijuan premisat e fitores së mandatit të dytë. Reformat dhe menaxhimi i gjësë publike janë vetëm njëra anë e medaljes së të ardhmes në politikë. Ana tjetër është kultura politike që ka ritme më të ngadalta në tharmimin e saj. Politika e vjetër, megjithëse kishte humbur zgjedhjet nuk e pranonte kurrsesi humbjen edhe në planin kulturor. Sipas mendjes së tyre djallëzore duhej bërë diçka që të mos e linte qeverisjen të ecte kaq mirë edhe në menaxhimin, edhe në krijimin e premisave kulturore të një politike tjetër. Për këtë arsye opozita shpiku braktisjen e Kuvendit dhe rifilloi pasionin e vjetër të 97-s me tym e flakë. Nuk është aspak e thjeshtë të ushtrosh pushtetin e të bësh politikë në një situatë të tillë kur opozita është dashakeqe, pasi ndikimi i saj në përhapjen e së keqes është i madh për vetë faktin se ajo është një institucion formal i një rendi demokratik dhe, duam apo nuk duam, ka njerëz që në mirëbesim e ndjekin atë dhe i marrin të mirëqena deklaratat e saj, edhe kur janë të pavërteta. E keqja, bukur shpesh, është po aq ngjitëse sa e mira, korrupton edhe ata që janë në mirëbesim, korrupton edhe atë që për shumë kohë bëhet spektator të kësaj gjendjeje, pa reaguar me të gjithë forcat e veta kundër propozimeve shtetshkatërruese të opozitës.
Kjo është klima politike në të cilën po u afrohemi zgjedhjeve të ardhshme politike. Detyrë e thellë e gjithë anëtarësisë sonë socialiste do të duhej të ishte edhe qartësimi e kthjellimi i çdo opozitari të ndershëm që e vetmja alternativë qeverisëse europiane sot përshfaqet tek politika e PS-së. Kjo nuk do të thotë delegjitimim i opozitës, përkundrazi, por futje e saj në binarët e kushtetutës e moralit që ajo të mos mbetet në kthetrat e dy-tre personave të cilët nuk janë në funksion të mendimit opozitar, por e përdorin atë institucion për qëllimet e veta.

Pra, PS-ja ndodhet në prag të zgjedhjeve të ardhshme politike, përballë një takimi me historinë dhe betejën nuk e ka me opozitën penguese, por me vetveten. Në lojë nuk janë një palë zgjedhje që do të vendosin se cila parti apo koalicion do të shpallet fitues. Jo! Këtu varet fati europian i Shqipërisë. Nuk është e rastësishme që intensiteti i dhunës së protestave të opozitës ka qenë veçanërisht i lartë në prag të vendimeve që Komisioni Europian do të merrte për Shqipërinë. Shpeshherë opozita ia ka dalë t’i shtyjë vendimet përfshirëse të Europës ndaj nesh, por qeveria socialiste as nuk tërhiqet e as nuk do ta lejojë kurrë qëllimin e mbrapshtë të largimit prej Europës. Këtë orientim përmbajtësor e të qenësishëm të shpirtit politik të PS-së e ka sintetizuar E. Rama në pamfletin politik Për një Parti Socialiste të Shekullit të Ri: “Të ndjesh përgjegjësinë për Shqipërinë në Europë do të thotë të vësh Europën në qendër të politikës. Jo si ëndërr me sy hapur, as si një objektiv pa afat apo një shabllon të përsëritur deri në mërzi, por si vetëdije të brendshme individuale e kolektive që dikton natyrën e çdo komunikimi, përbën esencën e çdo nisme politike qytetare dhe mishërohet në përmbajtjen e çdo produkti të qeverisjes”.
Në të vërtetë, me një opozitë të tillë që është shndërruar në një gjalmë penguese në udhën drejt Europës, na duhet të ecim në mënyrë frenetike dhe mund të biem në keqkuptime të vogla, në gabime të bëra edhe më parë, të identifikuara dhe të vulosura nga historia politike që kemi pas krahëve, por ajo që nuk ka munguar kurrë në frymën e trajtën shpirtërore të PS-së është atdhedashuria. Nga mbamendja jonë politike nuk duhet kurrsesi të humbasim të mirat, të gjitha vlerat, idetë, krijimet që një e kaluar politike me suksese na ka lënë trashëgimi. Vëmë re me kuriozitet se si në Bibël folja “me kujtu” është folja e besimit, e shpresës dhe e jetës dhe “me harrue” është folja e apostazisë dhe e vdekjes. Nuk na lejohet si socialistë të shekullit të ri të harrojmë misionin e madh që kemi përpara. Nuk mund të mos e mbyll këtë reflektim mbi takimin me historinë, me një pasazh të epërm të Kadaresë: “Shqipëria nuk mund të ishte në këtë botë veçse serioze dhe morale. Nëse shqiptarët do ta kapnin këtë në kohën e duhur, natyrshëm do të vinin tek e vërteta e qartë, që jo vetëm të mos lejonin askënd, por, të mos lejonin, në radhë të parë, veten e tyre që, me frymën e tyre ta shuanin atë flakëz për të cilën kishte bërë paralajmërimin himni i vjetër … Ai himn që do të avitej me drojë te sheshi i kombeve përballë himnit të Europës. (Kadare. Mosmarrëveshja).