Opinion

Sharra – Fati dhe shpëtimi i Tiranës

Sharra – Fati dhe shpëtimi i Tiranës

Nga Prof. Seit SHALLARI/ Banorëve të Tiranës emri i “Sharrës“ ju sjell në mendje pirgjet e plehrave, shtëllungat e tymit të zi që çliroheshin mbi qytet, aromën e padurueshme që hynte nga dritarja në mengjes, dhimbjet e kokës dhe marrjen e frymës për vite dhe dekada. Të kujtosh dhe të mos harrosh është e dobishme për të gjykuar realitetin kur situata ndryshon për mirë si në rastin e Sharrës.

Më në fund, “Parku i Trajtimit të Mbetjeve Urbane“ në Sharrë bëhet shpëtimi i Tiranës, ashtu si shekuj më parë u shpëtuan qytetet e mëdha të Europës nga plehrat dhe ujërat e zeza. Preferoj ta quaj “Parku i Trajtimit të Mbetjeve“ meqënëse realisht është një park i cili shtrihet në 106 hektarë, midis gjelbërimit, kafshëve dhe liqeneve artificialë ku po ndërtohet infrastruktura më e avancuar për trajtimin e mbetjeve urbane në Shqipëri.

Si banor i Tiranës them “më në fund“ sepse bëhet fjala për infrastrukturën më jetike të një qyteti e cila duhej të ishte projektuar shumë vite më parë. Sharra është shpëtim për Tiranën sepse “Parku i Trajtimit të Mbetjeve Urbane“ i jep zgjidhje të qendrueshme dhe afatgjatë sipas standarteve mjedisore bashkohore problemit madhor të mbetjeve urbane për Kryeqytetin ose zgjidh për nga përmasat gjysmën e problemit për Shqipërinë.

Vetëm pak ditë më parë vizitova “Parkun e Sharrës“ pasi kisha lexuar për projektin dhe studimin e thelluar të ndikimit mjedisor. Realiteti tregon se Tirana është me fat të ketë pasuri një kompleks unik të llojit të vet në rajon dhe Europë, ku do të menaxhohen mbetjet urbane në mënyrë të integruar e afatgjatë.

Për nga vlera, kjo pasuri është e pazëvëndësueshme dhe nuk mund të blihet lehtë me para as nga qytetet më të pasura të Europës. Për nga rëndësia publike “Parku i Sharrës“ i jep siguri dhe pastëti qytetit me një kosto simbolike për banorët. Vlerat e Parkut të Sharrës janë të lidhura me pozicionin gjeografik, territorin dhe funksionet e integruara të kompleksit..

Depozitimi i mbetjeve nën tokë ose në landfilld të cilin do të preferoj ta emërtoj “deponi“ si e quajnë në Kosovë“ është metoda klasike më e vjetër dhe më e thjeshtë. Por ndërtimi i deponive po bëhet metoda më e shtrenjtë për shkak të rritjes të vlerës së truallit në periferi të zonave urbane ku edhe hapsirat për varrezat humane janë të kufizuara gjithnjë e më shumë. Kjo metodë dekurajohet në vëndet e zhvilluara duke i dhënë përparësi, reduktimit, ripërdorimit, riciklimit, dhe asgjesimit të sigurtë ose me efekte minimale mjedisore të mbetjeve.

Në Sharrë, deponia e vjetër është drejt mbylljes dhe kapsulimit dhe së shpejti do i lërë vëndin gjelbërimit si dhe një serie veprash inxhinierike të cilat bëjnë ndarjen e mbetjeve për ripërdorim ose për riciklim, asgjesimin e fraksioneve nëpërmjet insinerimit dhe depozitimin në deponi të mbetjeve në fund të ciklit. Insineratori me teknologji të avancuar mundëson zgjidhjen e problemit në afatgjatë për mbetjet e qarkut të Tiranës. Deponia e re ku do të depozitohen mbetjet e padjegëshme falë insineratorit do të funksionojë të paktën për një kohë 10 herë më shumë duke rritur jetëgjatësinë e funksionimit të parkut.

Parku respekton standartet bashkëkohore të sigurisë mjedisore referuar emetimit të gazrave të cilat grumbullohen dhe ricikohen për energji si dhe pastron ujrat e ndotura nëpërmjet një sistemi të posaçëm. Në park po ndërtohet impianti i trajtimit të ujrave të ndotura dhe prodhimit të ujit të pastër nëpërmjet osmozës, ekuivalent me ujin e distiluar.

Funksionimi i “Parkut të Trajtimit të Mbetjeve Urbane“ në Sharrë bën të mundur trajtimin e mbetjeve urbane me koston më të ulët në Europë dhe ndër më të lirat në botë.

Po i referohem të dhënave “për prodhimin dhe koston e trajtimit të mbetjeve urbane“ të mara nga 1000 qytete të botës. Studimi i ndan qytetet në tre grupe sipas të ardhurave duke marrë si tregues të ardhurat për frymë. Tirana sipas studimit bën pjesë tek qytetet me të ardhura mesatare nga 1500-4000 Euro për frymë në vit, ndërkohë që qytetet me të ardhura të larta konsiderohen ku kanë  më shumë se 12000 euro për frymë në vit.

Aktualisht Tirana trajton rreth 700 ton në ditë mbetje urbane që do të thotë se banorët e Tiranës krijojnë mesatarisht 1 kg mbetje në ditë e barabartë kjo me mesataren e mbetjeve që krijojnë qytetet me të njëjtin nivel ekonomik në të gjithë botën.

Referuar studimit kosto mesatare e trajtimit të mbetjeve për qytetet si Tirana varion nga 30-80 euro për frymë dhe vetëm insinerimi i mbetjeve kushton nga 40 – 100 euro për ton. Sipas këtyre të dhëave një familje me 4 anëtare nqs duhet të paguaj sipas numërit të personave në banesë duhet të paguajë 160-400 euro në vit për mbetjet ndërkohë që Parkui Sharrës do të paguhet me më pak se 30 euro për ton ose nën mesataren botërore që paguajnë qytetet si Tirana.

Banorët e Tiranës duhet të dinë se pagesa për mbetjet është detyrim ligjor i bazuar në parimin “kush ndot paguan koston“. Të gjithë, dhe në çdo vend të botës janë të detyruar të paguajnë koston e shërbimit të menaxhimi të mbetjeve. Shërbimi i menaxhimit të mbetjeve blihet ashtu si malli, buka, uji ose energjia elektrike.

Fatkeqësisht, “pagesa për mbetjet“ në Shqipëri është trajtuar si “taksa për mbetjet“ dhe varet nga dëshira e politikanëve ose qeveritarëve lokalë duke u neglizhuar ose falur. Për pasojë, pushteti lokal “duke bërë bamirësi me interesin publik“ dhe në mungesë të burimeve financiare për administrimin e mbetjeve ka krijuar një nga problemet më të ndjeshme mjedisore për vëndin.

Pagesa për mbetjet për çdo qytet në Europë dhe në botë llogaritet dhe ndryshon sipas rastit, qytetit apo fshatit dhe kushteve në të cilat ofrohet shërbimi. Në disa qytete arrin deri në 1000 euro për frymë në vit. Trajtimi i mbetjeve është një sipërmarrje private në shumë vënde, një shërbim i cili ofrohet në treg dhe taksohet si gjithë sipërmarrjet e tjera.

Fatmirësisht, kompleksi i Sharrës bën të mundur ofrimin e shërbimit të trajtimit të mbetjeve urbane nën mesataren e kostos të qyteteve si Tirana për faktin se parku është pronë publike, në afësi të Tiranës dhe zgjidhja e dhënë krijon mundësi për rikuperimin e vlerës përmes shitjes së materjaleve të riciklueshme, energjisë dhe ujit të pastër. Unë e quaj fat dhe shpëtim për Tiranën.

*Prof. Seit SHALLARI, Përgjegjës i Departamentit të Agromjedisit dhe Ekologjisë

Universiteti Bujqësor i Tiranës