Si Ricky Martin i tha të gjitha me një koncert në Tiranë
Nga Zefina Hasani/ Dy ishin gjërat që më çuan drejt koncertit të Ricky Martin mbrëmë: fakti që do të këndonte i shoqëruar nga orkestra jonë simfonike e TKOB-së (për të cilën ashtu si dhe për orkestrën e RTSH-së do të shkoja edhe në fund të botës, për ta dëgjuar) dhe nostalgjia e fortë e kohës, kur ai na mahniste nga ekrani i televizorit.
Pastaj kur koncerti filloi, ndjeva që në sekondin e parë se në fund, do të kisha shumë më shumë arsye, për të mos dashur që të largohem nga ai shesh…
Detajet e qëndisura me një mjeshtëri artistike (në simfoni perfekte) të përthithnin mendjen e shpirtin në vorbullën e së tërës, aq sa syri s’ndalonte dot tek anjëra prej tyre në veçanti, pasi ja kishte ënda për të shijuar gjithë gjendjen që krijohej (magji që mund të ta ofrojë vetëm një produksion perfekt). Ritmi, energjia merrej me mend që s’do të mungonte në një koncert si ky, por skaleta, dinamika e renditjes së këngëve krijoi kurbën çmendurake, së cilës i dha jetë (dhe ngjyrën e flamurit kuq e zi) jo vetëm Ricky por edhe banda e tij, edhe orkestra jonë edhe dirigjenti i italianëve. Ishin të gjithë bashkë, uniform, të qeshur, të mahnitshëm, të përfshirë me valën e emocionit që po përhapej… duke na ndezur zjarr neve, sheshin, rrjetet sociale e gjithë Tiranën.