Si të sundoni mbi emocionet tuaja, këshilla e një mbreti-filozof
Nga Kevin Dikinson
Mark Aureli e sundoi Romën në një kohë të trazuar. Murtaja Antonine e dërrmoi perandorinë. Dy luftëra në kufi dëmtuan rëndë ushtrinë dhe e boshatisën arkën perandorake. Një gjeneral i besuar, Avid Kasi, udhëhoqi një rebelim kundër tij. Dhe në fund vetë Marku pati jo pak probleme shëndetësore, ndërsa djali i tij Komodo ishte një njeri shumë i lig.
Pavarësisht këtyre sfidave, historia e vlerëson lart Mark Aurelin dhe udhëheqjen e tij. Sepse ai shmangu ndarjen e perandorinë, miratoi ligje për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe skllevërve, dhe madje mund të ketë dërguar një mision diplomatik në Kinë për të krijuar një rrugë tregtare disa shekuj përpara udhëtimit të famshëm të Marko Polos.
Për arritjet e tij, ai konsiderohet i fundit nga Pesë Perandorët e Mirë, dhe një simbol i Epokës së artë të Romës. Po si ia doli vallë? Si çdo figurë historike, përgjigja është e shumëanshme. Sigurisht, një rol të madh luajti përkushtimi i tij personal ndaj arsimit, filozofisë dhe punës së palodhur.
Një element tjetër ishte temperamenti i tij ndaj politikës dhe ligjit. Por sipas meje, avantazhi iMarkut ishte kultivimi i inteligjencës së tij emocionale, dhe aftësia e tij për ta përdorur atë në momentin më kritik. Siç përcaktohet nga Daniel Goleman, inteligjenca emocionale (EI) është “aftësia për të njohur ndjenjat tona dhe ato të të tjerëve, për të motivuar veten dhe për të menaxhuar mirë emocionet në vetvete dhe në marrëdhëniet tona”.
Ajo përfshijnë aftësi të tilla si vetëdija, motivimi, vetë-rregullimi emocional dhe ndërgjegjësimi social. Ndërsa është e sigurt se Mark Aureli nuk do të ketë menduar në terma kaq modernë, ai e kuptoi gjithsesi vlerën e aftësive të tilla në aspektin e etikës praktike.
Siç vëren Kristofer Xhill, profesor i mendimit të lashtë në Universitetin Ekster:“Vetëkontrolli dhe vetë-reflektimi ishin tipare standarde të praktikës filozofike në atë kohë, dhe metodat e etikës praktike të evoluar në atë periudhë, i inkurajuan njerëzit të ecin përpara me vetë-përmirësimin e tyre.”
Prania e inteligjencës emocionale tek Marku, është e qartë në menaxhimin që i bëri rebelimit të lartpërmendur. Në vitin 175, Kasi përhapi zëra mbi vdekjen e Markut, për të grumbulluar mbështetje në provincat lindore dhe për ta shpallur veten perandor. Në atë kohë, Mark Aurelipo luftonte në veri, por kur mësoi për kryengritjen, bëri menjëherë paqe me fiset gjermane dhe e ktheu vëmendjen drejt lindjes.
Megjithatë, të dy nuk do të luftonin kurrë, pasi ambiciet mbretërore të Kasit u ndërprenë nga kama e një vrasësi. (Mos e nënvlerësoni rolin që luan fati në histori). Ashtu si shumë monarkë para dhe pas tij, Marku mund të kishte shfrytëzuar rastin për të shtypur armiqtë e tij dhe nënshtruar me dhunë provincat.
Por në vend të kësaj qasjeje, ai tregoi vetëpërmbajtje. I fali bashkëpunëtorët e gjeneralit rebel. Në këtë mënyrë tregoi një vetëdije të pabesueshme për një lider të epokës së tij, si dhe një ndërgjegjësim shoqëror për mënyrën e rinovimit të besnikërisë. Një shembull tjetër është vendimi i tij për të sunduar së bashku me vëllain e tij të birësuar, Lucius Verus.
Kur Senati i dha Markut titullin perandor, mbreti-filozof refuzoi ta pranonte atë nëse Luciusinuk emërohej bashkë–perandor me të. Sipas historianit Frenk Meklin, Marku bëri këtë zgjedhje si një mjet për të “zhdukur mundësinë e një grushti shteti nga klani rival Seionius”
Po si kultivoi ai inteligjencën emocionale? Një nga metodat që përdori ishte ditari, dhe ne e dimë këtë nga fletoret e tij që i mbijetuan kohën atij në formën e “Meditimeve”. Sot ato lexohen shpeshherë si një tekst i rrymës së stoicizmit. Por dëshmitë sugjerojnë se Marku nuk i shkroi për t’u botuar ose mësuar të tjerët.
Xhill thotë se ato nuk kanë ndonjë renditje të veçantë. Temat përsëriten shpeshherë, ndërsa në disa raste Marku grupon bashkë citate nga autorë të ndryshëm. Këto dhe shenja të tjera tregojnë se vepra ishte një ditar personal, të cilin e mbante gjatë fushatave të tij ushtarake në Evropë.
Ashtu si shumica e njerëzve, Mark Aureli e kishte të vështirë të ngrihej nga gjumi herët në mëngjes. Por duke u përballur me kohëra të trazuara, e kuptoi nevojën për ta bërë zakon këtë gjë. Por përveç eksplorimit të inteligjencës së tij emocionale, ai mund të ketë pasur përfitime shtesë nga zakoni i mbajtjes së ditarit.
Studimet moderne tregojnë se shkrimi ekspresiv, pra ditari, mund të rrisë mirëqenien psiko-fizike rë njeriut. Një përmbledhje e hulumtimeve klinik e publikuar në “Advances in Psychiatric Treatment”, zbuloi se kjo praktikë lidhet me përmirësimin e humorit, një mirëqenie më të madhe psikologjike dhe përmirësim të gjendjes shëndetësore, siç është presioni i ulët i gjakut.
Edhe pse studiuesit nuk mund të përcaktojnë një arsye të saktë për këto përfitime, ata supozojnë se ditari i ndihmon njerëzit të zhvillojnë një narrativë koherente, e cila “i ndihmon në riorganizimin dhe strukturimin e kujtimeve traumatike, duke prodhuar skema të brendshme më përshtatëse”.
Por inteligjenca emocionale nuk ndërtohet brenda një dite. Ju nuk keni nevojë të shkruani ditar për orë të tëra çdo ditë, derisa të keni “Meditimet” tuaja si Mark Aureli. Ekspertët rekomandojnë disa hapa të vegjël gradualë.
Vendosini vetes synimin që të shkruani ditar çdo ditë për 30 ditë, por kufizohuni të shkruani për vetëm 5 minuta maksimumi, apo edhe një fjali të vetme. Kjo strategji mund t’ju ndihmojë të ndërtoni zakonin dhe vrullin. Pas kësaj, mund ta rritni kohën, të themi në 10 minuta ose disa fjali.
Dhe kështu me radhë. Por kini kujdes, sepse vetë-reflektimi mund të ketë edhe anën e tij të errët. Psikologia organizative Tasha Eurih thotë se përpjekja për të kuptuar pse ndihemi ose veprojmë në një mënyrë të caktuar, mund të na çojë në kuptime të gabuara.
Për shembull, një prind që reflekton mbi një incident, në të cilin i bërtiti fëmijës së tij, mund të supozojë se e bëri këtë sepse ai është një person i keq, në vend se të arrijë në përfundimin se është një njeri i mirë që ka pasur në përgjithësi një javë të keqe në punë.
Për të shmangur këtë prirje, Eurih rekomandon heqjen dorë nga eksplorimi i pyetjeve emocionale që nisin me “Pse”, dhe fokusimin më tepër tek pyetjet që nisin me “Çfarë”.
Për shembull, në vend se të nisni një shënim në ditar me pyetjen “Pse i bërtita fëmijës tim?”, do të ishte më mirë të pyesnit “Cila ishte situata që ju bëri të zemëroheni kaq shumë me fëmijën tuaj? Çfarë mund të bëni për të parandaluar ndodhjen e një situatë të ngjashme në të ardhmen?”.
Një mënyrë tjetër për të marrë një distancë emocionale nga një situatë e caktuar, dhe që ditari të mos përforcojë emocionet negative, është të përfshiheni në biseda të distancuara me veten. Biseda me vetveten në distancë është kur i flisni (ose shkruani) vetes sikur po flisni (ose shkruani) një personi tjetër.
Në një studim të kryer nga psikologu Etan Kros, pjesëmarrësve iu kërkua të shkruanin mbi frikën dhe shqetësimet e tyre përpara se të mbanin një fjalim publik. Njëri grup u udhëzua të shkruante duke përdorur “unë” në vetën e parë, ndërsa grupi tjetër shkroi duke përdorur “ju” në vetën e dytë.
Rezultatet e treguan se pjesëmarrësit në grupin e dytë, përjetuan më pak siklet dhe menduan më pak për performancat e tyre më pas. Këtë praktikë e përdori dikur edhe Mark Aureli. Pjesa më e madhe e “Meditimeve” është shkruar në vetën e dytë.
Publikuar fillimisht te bota.al