Opinion

Teatri? E duam Shqipërinë si Europa, por s’duam të mësojmë prej saj

Teatri? E duam Shqipërinë si Europa, por s’duam të

Kryetarë të partive politike opozitare mësoj se “bëjnë dezhurn” në ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe se do ta mbrojnë atë ndërtesë “me trupat e tyre”. Kështu u shpreh dje znj. Kryemadhi për A2CNN në emisionin e gazetares së njohur Alba Alishani. Çfarë heroizmi! Sa shembull i lartë vetmohimi për militantët e partisë së saj! Të flijohesh për një ndërtesë të vjetër në qendër të Tiranës, me të cilën këtë zonjë nuk e lidh asgjë—as e shkuara, as e sotmja, as e ardhmja, as profesoni, as dashuria për artin teatral. Dhe as partia që ajo drejton.

Deri dje, kjo ndërtesë ka qenë streha e Teatrit kryesor të këtij vendi, por ja që nuk mund të shërbejë më si e tillë. Prospekti i shembjes së asaj ndërtese të vjetër me kohë ka provokuar një “rrebelim qytetar”, për të mos thënë protesta të “shoqërisë civile”, sepse ky tog fjalësh është shpërdoruar gati deri në absurd në ktë vend.

Pjesë e këtij “rrebelimi” duket se janë edhe një numër aktorësh, ndër të cilët, kërkoj ndjesë, unë njoh me emër vetëm disa prej tyre por, kryesisht z. Edmond Budina. Nuk jam i sigurt nëse ky aktor vazhdon të luajë role në teatër ose në ndonjë film, por di që, në periudhën e veprimtarisë më intensive të tij si aktor, ai nuk shndriti kurrë, as në skenë, as në ekran. Tani është bërë një ndër liderët e qëndresës “spartane” për mbrojtjen e ndërtesës së vjetër të Teatrit, kur kjo ndërtesë, në fakt, do të duhet t’ia lerë vendin një Teatri Kombëtar modern.

Shumë aktorë të shquar, shumë më të shquar sesa z. Budina, nuk e kanë kontestuar dhe nuk e kontestojnë shembjen e kësaj ndërtese të vjetër dhe ndërtimin në vend të saj të një ndërtese moderne për Teatrin Kombëtar, siç e kërkon koha dhe, unë besoj, siç e kërkojnë masa më e madhe e qytetarëve të Tiranës. Në radhët e tyre bëjnë pjesë Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Viktor Zhusti, Luftar Paja, Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Eva Alikaj, Drita dhe Fatos Haxhiraj, Petrit Malaj dhe shumë aktorë të tjerë të shquar, emrat e të cilëve janë të njohur për të gjithë ne.

Mua personalisht më lidhin shumë kujtime me Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar), pasi jam rritur në Tiranë duke parë çdo premierë në sallën e tij. Kam, natyrisht, shumë nostalgji për atë Teatër, por kjo nostalgji nuk lidhet me ndërtesën e vjetër të tij, por me aktorët e mëdhenj, që për dekada me radhë kanë luajtur në skenën e tij, kanë argëtuar, edukuar dhe inspiruar qytetarët dhe rininë e Tiranës dhe të mbarë vendit. Teatri Popullor nuk ishte skena e vogël, salla e ngushtë, ato pak lozha dhe holli i tij, por mjeshtrit e mëdhenj të skenës së atij Teatri—Naim Frashëri, Mihal Popi, Kadri Roshi, Prokop Mima, Violeta Manushi, Marie Logoreci, Sulejman Pitarka, Sandër Prosi, Roland Trebicka, Agim Qirjaqi, Ndrekë Luca. Këta artistë të shquar, si dhe Pirro Mani e regjizorë të tjerë të talentuar ishin Teatri Popullor. Për ta, kushdo që e do vërtet kulturën kombëtare dhe teatrin shqiptar, ushqen respektin më të madh. Regjistrimet radiofonike të zërave të tyre, regjistrimet filmike të shfaqjeve të tyre në skenë, fototeka e pasur e roleve të tyre në skenë dhe në kinematografi, duhen ruajtur si një thesar i çmuar kulturor i këtij kombi. Këto janë tradita kulturore e vërtetë e Teatrit Kombëtar, jo ndërtesa e vjetër, e amortizuar, e padenjë për shekullin e 21-të, që një grup njerëzish, të quajtur “Aleanca për mbrojtjen e Teatrit”, duan ta mbajnë në këmbë si një relikë të së shkuarës.

Pyetja ime është fare e thjeshtë? Përse? Përse insistojnë ky grup njerëzish që të ruhet ndërtesa e vjetër e Teatrit (të cilën disa, si znj. Kryemadhi, janë të vendosur ta mbrojnë me “jetën” e tyre), ndërkohë që pjesa dërrmuese e qytetarëve të Tiranës (sipas disa sondazheve të fundit) kërkojnë shembjen e saj dhe ndërtimin në vend të saj të një Teatri Kombëtar modern, pikërisht në të njëjtin vend, në zemër të kryeqytetit?

Në Hagë, një qytet në të cilin kam jetuar dhe e njoh shumë mirë, aktualisht është në fazën e fundit ndërtimi i Teatrit të famshëm Hollandez të Baletit (Nederlands Dans Theater), pikërisht mbi rrënojat e ndërtesës së vjetër të atij teatri. Në të njëjtën hapësirë, në qendër të Hagës. Nëse kështu vendosi Këshilli Bashkiak e atij qyteti historik, origjina e të cilit daton në shekullin e 13-të, që është edhe kryeqyteti administrativ i Mbretërisë së Hollandës, dhe qytetarët e Hagës, që jetojnë në një shoqëri shumë më demokratike sesa e jona dhe që kanë një shoqëri civile të vërtetë e shumë vibrante, e mirëpritën këtë transformim në qytetin e tyre, pa u rrebeluar, përse një grup njerëzish në Tiranë janë gati “të japin jetën” për të mbrojtur ndërtesën e vjetër të Teatrit Kombëtar?

Nëse meraku i tyre eventualisht ka të bëjë me dyshime mbi praktika korruptive, kjo është një çështje, me të cilën, nëse provohet, merren organet e drejtësisë. Drejtësinë nuk e bëjnë ne, qytetarët, por organet e drejtësisë.

Nëse meraku është që Teatri Kombëtar të shndërrohet në një “mausoleum”, ku të ruhen e të prehen në paqe shpirtrat e artistëve të mëdhenj të skenës së tij, siç shprehej disa kohë më parë Roza Anagnosti, një ndër aktoret më të shquara dhe më të vlerësuara nga unë, ky argument nuk më bën kuptim. “Shpirtrat” e tyre nuk mbeten në atë ndërtesë si hije të së shkuarës. Ata shpirtra janë bërë një me shpirtrat tanë, pjesë e kujtesës dhe e ndërgjegjes artistike kolektive të këtij kombi, për të mbetur me ne për një kohë shumë të gjatë.

Një ndërtesë e re moderne për Teatrin Kombëtar të këtij vendi është një kërkesë e kohës, një kërkesë e Tiranës kozmopolitane dhe e qytetarëve të saj.

I kujtoni protestat që u bënë për të mos e prishur stadiumin “Qemal Stafa”? A nuk është shumë herë më i mirë stadium i ri që u ngrit në vend të tij mbi të njëjtin truall? Wembley legjendar në Londër u prish në themel në vitet 2002-2003 dhe në vend të tij, në po atë truall, katër vite më vonë u ngrit Wembley i ri, shumë herë më i mire se i vjetri.

E duam Shqipërinë si e gjithë Europa, por nuk duam të mësojmë prej saj dhe të bëhemi si ajo! Sepse mes nesh, në këtë fazë të vonë të modernitetit, ka ende njerëz që vazhdojnë të jenë folklorikë.

Teatri? E duam Shqipërinë si Europa, por s’duam të

Teatri? E duam Shqipërinë si Europa, por s’duam të

Në dy fotot më lartë është teatri Holandez i Baletit në Hagë. (Foto e parë, pamje e ndërtesës së vjetër të atij teatri; foto e dyte, pamje të ndërtesës së re, ngritur mbi të njëjtin truall në qendër të Hagës./ Botuar në DITA