Turistët mund të vijnë në Shqipëri, pasi të kenë shëtitur gjithë Gjermaninë me 9 euro një biletë treni
Nga Fabjola Hije/ Revista gjermane “Stern” i ka kushtuar një shkrim Agroturizmit në Shqipëri, që ka marrë një nxitje vitet e fundit. “Im bioland”, “Jam biovend”, kështu e ka titulluar revista shkrimin, ku u sugjeron qytetarëve gjermanëve të vizitojnë këto agroturizme në Shqipëri.
Sigurisht, nëse gjermanët (dhe jo vetëm) do të kenë kohë të dalin një shëtitje nëpër Shqipëri, pas nismës që shteti gjerman ka marrë për ta. Për 3 muaj vere, qershor, korrik, gusht, çdokush mund të shëtisë të gjithë Gjermaninë, nga Liqeni i Konstancës e deri në Hamburg e më tutje, në Salzburg të Austrisë apo Çeki, me vetëm 9 euro. Kaq do të kushtojë bileta e trenit, që të çon rreth e rrotull zonave turistike.
Një iniciativë kjo për t`i dhënë frymë turizmit, një nxitje ekonomisë, por edhe për të ndihmuar qytetarët që sapo dolën nga një pandemi që i la mbyllur, gjetën një çmim karburanti e shumëçkaje tjetër në stratosferë. Për 9 euro, me një supertren me kushte, kush nuk do të shkëputej për ca ditë?
Pastaj mund të vijnë nëse dëshirojnë edhe në Shqipëri. Jo me tren, se nuk kemi një transport të tillë, por me linjat ajrore që për hir të së vërtetës, janë më ekonomike nga sa kanë qenë më parë.
Ia vlen të vizitojnë agroturizmet e shumta që janë hapur në zonat rurale, ku hahet mirë, shëndetshëm dhe ka ajër të pastër. Vitet e fundit agroturizmit i janë dhënë disa duar ndihma për shkak të programeve mbështetëse shqiptare dhe të huaja, siç janë IPARD apo Programi i 100 fshatrave. Në fund të fundit, agroturizmi dhe veriu i Shqipërisë mbeten ndoshta opsioni më i lirë, në një kohë që jugu është bërë pothuajse i gjithi pronë private dhe i paaksesueshëm.