Opinion

U arrestova teksa isha me Pizhama. Si u bëra një e burgosur politike në moshën 23-vjeçare

Pse Putin ka kaq shumë frikë nga të rinjtë?

U arrestova teksa isha me Pizhama. Si u bëra një e burgosur politike

Nga Alla Gutnikova

Në orën gjashtë të mëngjesit të 14 prillit më zgjoi zilja e derës dhe të bërtiturat. "Hape, ose do ta thyejmë derën!" Përgjumësh dhe e frikësuar, hapa derën. Dhjetë apo më shumë burra hynë në banesën time, me armë, të veshur me kapuç të zi dhe jelek antiplumb. Unë kisha veshur një palë pizhame dhe një xhup.

A jam ende në gjumë dhe po shoh një makth? Kshu u ndjeva. Më shtynë në një dhomë dhe më morën telefonin dhe pasaportën. Më pas më pyetën: " Alla Gutnikova, a po filmonit një video?"

Ata i referoheshin një filmi që kam bërë disa muaj më parë. Në janar, shumë të rinj rusë si unë morën pjesë në protesta kundër Vladimir Putinit pas arrestimit të Alexei Navalny, disidentit më të shquar të Rusisë. Disa u përjashtuan nga universiteti për rolin e tyre në demonstrata.

Punoja si redaktor në DOXA, një revistë online studentore në Moskë. Tre redaktorë të tjerë dhe unë publikuam një video tre minutëshe në të cilën kritikonim universitetet për përjashtimin e paligjshëm të protestuesve. Unë thashë, “qeveria u ka shpallur luftë të rinjve. Por ne do të fitojmë patjetër.” Ne ua treguam skenarin avokatëve, të cilët thanë se nuk kishte përmbajtje kriminale.

U arrestova teksa isha me Pizhama. Si u bëra një e burgosur politike

Ligji këtu është një lloj rulete ruse

Por ligji këtu është një lloj rulete ruse. Autoritetet na dërguan një letër duke thënë se videoja ishte e paligjshme dhe se duhej ta fshinim. Ne e bëmë këtë. Megjithatë, disa muaj më vonë, disa njerëz të armatosur rrethuan shtëpinë time. Më thanë të vishem dhe më morën në pyetje. Do të lexoja se çfarë ndodh me të dyshuarit për krime lufte në Rusi: a do të më mbanin në një bodrum dhe do të më torturonin?

Atë mbrëmje pati një gjyq në gjykatën e rrethit Basmanny në Moskë. Prokuroria pretendoi se ne kishim përfshirë të mitur në aktivitete kërcënuese për jetën: ata thanë se adoleshentët që shikonin videon tonë mund të frymëzoheshin për të shkuar në një tubim, ku mund të merrnin koronavirusin dhe të vdisnin.

Gjykatësi më vendosi mua dhe redaktorët e tjerë në arrest shtëpie. Na ndaluan gjithashtu përdorimin e internetit dhe telefonatat. Dy javë më vonë, pasi apeluam, gjykata na la të dilnim për një shëtitje dy-orëshe çdo mëngjes.

Muajin e parë u mbajta mirë. U përpoqa të shihja anën qesharake të saj dhe një potencial për anekdota. Mendova ta ktheja përvojën time në një tregim, shfaqje apo këngë. Por pas pesë muajsh arrest shtëpie, jam paksa e thyer. Gjithçka është një mjegull ose një gjysmë ëndërr. Është sikur të jem në një film, por që në të vërtetë po më ndodh mua.

Fillimisht u interesova për politikën pas vrasjes në vitin 2015 të Boris Nemtsov, një politikan kryesor liberal. Por deri vonë, fokusi im kryesor ishte arsimimi. Unë isha duke u diplomuar për studime kulturore në Shkollën e Lartë Ekonomike në Moskë – teza ime ishte mbi filozofin Walter Benjamin. Kur nuk studioja, u mësoja fëmijëve anglisht dhe merresha pak me modelim dhe aktrim. Pas diplomimit, planifikova të punoja si mësuese ose të merresha me botime.

Ashtu si shumë të rinj rusë, unë u zhyta në politikë në verën e vitit 2019 pas arrestimit të Ivan Golunov, një gazetar investigativ që kishte raportuar për financat e nënkryetarit të bashkisë së Moskës dhe familjes së tij, mes temave të tjera. Autoritetet u përpoqën t'i vendosnin drogë në mes të ditës (akuzat u hodhën më vonë). Kishte një slogan popullor: "Unë, ne, Ivan Golunov" dhe një solidaritet i paparë mes gazetarëve dhe studentëve.

U arrestova teksa isha me Pizhama. Si u bëra një e burgosur politike

Të rinjtë vijnë dhe thonë: "Mbreti është i zhveshur"

Menjëherë pas kësaj erdhën ngjarjet e njohura si "Rasti i Moskës", kur të rinjtë u arrestuan pasi po protestonin kundër Putinit. Po përpiqesha të studioja, por gjithçka që mund të mendoja ishte se çfarë po ndodhte me këta demonstrues. Shoku im dhe unë krijuam “stickersa” ku thuhej "Rasti i Moskës duhet të ndalet" që njerëzit t'i vendosin në çantat dhe në laptopët e tyre. Isha mjaft naive sa shpresoja se kjo do të nxiste ndryshimin: imagjinoja këto “stickersa” të vërshonin në të gjithë qytetin.

Më pas, në janar, erdhi polemika për pallatin e Putinit. Navalny, i cili ishte helmuar nga agjentët e sigurisë ruse disa muaj më parë, publikoi një film për rezidencën e Putinit në Detin e Zi. Të gjithë po e diskutonin - madje edhe njerëz që nuk ishin të interesuar për politikën. Ishte sikur të kishte dalë një Harry Potter i ri. Më kujtohet se mendoja: kush mund ta dëshironte Putinin në pushtet duke ditur nivelin e mahnitshëm të korrupsionit? Rusët nuk kanë asgjë për të ngrënë, por zyrtarët kanë pallate dhe avionë privatë.

Filmi shkaktoi disa protesta. Ishte e rrezikshme të shkoje në to: të gjithëve na kujtoheshin arrestimet e vitit 2019, videot e policisë duke rrahur protestuesit me shkopinj, gruaja me kokë të përgjakur. Por unë ende shpresoja se diçka do të ndryshonte. Kishte një ndjenjë uniteti dhe entuziazëm të gjerë. Ishte shumë emocionuese, kjo ndjenjë e fjetur që ishte bërë e dukshme papritmas.

Në të gjithë Rusinë, nxënësit e shkollave dhe studentët e universitetit shkuan në mitingje. Pesëmbëdhjetë vjeçarë morën autobusat në qytetet e afërta vetëm për të protestuar. Disa u ndaluan. Një fëmijë u pyet: "A i dini planet e ardhshme të Navalny?" Disa u kërcënuan me përjashtim nga shkolla. Prindërit filluan t'u thonë fëmijëve të tyre: "Më mirë të mos shkoni në protesta, mund të jetë e rrezikshme". Ata mbyllën sytë para korrupsionit dhe pretenduan se gjithçka ishte në rregull.

Prindërit dhe gjyshërit tanë e shohin Putinin si një sundimtar të fortë: ata mendojnë se nëse ai tërhiqet, gjithçka do të shembet. Është e vështirë të debatosh me njerëzit që shikojnë mbulimin e njëanshëm në kanalin televiziv shtetëror të Rusisë nga mëngjesi deri në mbrëmje. Ku thuhet se të jesh homoseksual do të thotë t'i shesësh zemrën djallit, se feministët duan të vrasin burra, se Navalny po spiunon për amerikanët. Gjithashtu thuhet se Rusia ka gratë më të bukura dhe se Perëndimi është dekadent. Dikur ishte propagandë sovjetike; tani është propagandë ruse.

Të rinjtë vetëm me këtë mund të qeshin. Ne i marrim lajmet tona në internet. Është si "Truman Show": ti e kupton se Rusia nuk është ashtu siç e përshkruajnë propagandistët. Ne shikojmë në mënyrë kritike atë që na rrethon; ne nuk mund të mos shohim se sa të keqe janë gjërat. Ne vijmë dhe themi: “Mbreti është i zhveshur. Rendimentet e qumështit nuk po rriten. Jeta nuk po bëhet më e mirë. Gjithçka është e keqe në Rusi”.

U arrestova teksa isha me Pizhama. Si u bëra një e burgosur politike

Problemi kryesor nuk është frika, është një ndjenjë pafuqie

Pasi të shihni padrejtësitë, që mund t'i nxirrni në dritë përmes gazetarisë dhe rrjeteve sociale. Filmi i Navalny-t ka më shumë se 100 milionë shikime në YouTube. Telegrami, një aplikacion mesazhesh, është shumë i rëndësishëm për aktivistët: kanali DOXA, ku ne postojmë në lidhje me historitë tona, ka 15,000 abonentë. TikTok është gjithashtu i rëndësishëm, disa njerëz e përdorin aplikacionin për të ndarë video rreth protestave.

Shpresa ime se Rusia do të ndryshonte mori fund në shkurt. Pas mitingjeve dhe videove, gjërat disi u qetësuan. Frika i bën të gjithë të tremben aq shumë sa sakrifikojnë mendimin e tyre për sigurinë mitike. Ata mendojnë: nëse e mbyll gojën tani, ndoshta nuk do të lëndohem. Por nuk funksionon në atë mënyrë. Ju mund të burgoseni për asgjë edhe nëse nuk ju pëlqen ajo që po bëni, shkruani apo thoni.

Problemi kryesor nuk është frika, është një ndjenjë pafuqie. Në fletën e votimit mund të shkruani gjithçka që dëshironi, por zgjedhjet do të jenë të manipuluara. Disa nga miqtë e mi kanë pushuar së lexuari lajme për arrestime dhe tortura. Më vjen turp që nuk kam lexuar pothuajse asgjë për njerëzit që u arrestuan për protesta kundër Putinit, energjia ime ishte shteruar nga Çështja e Moskës. Shqetësimi për muaj i ka lodhur. Njerëzit janë të rraskapitur.

Autoritetet shpresojnë se ata thjesht mund të mposhtin të gjithë kundërshtarët. Ata njerëz do të largohen nga vendi, siç po bëjnë në Bjellorusi, dhe siç bënin këtu në kohët e vjetra. Kam lexuar ditarët e njerëzve që u detyruan të largoheshin nga Bashkimi Sovjetik: ata flasin për ëndrrat e tyre për t'u kthyer një ditë dhe për të ecur në qytetin ku u rritën. Është e frikshme.

Për aktivistët, të jetosh në mërgim të paktën të jep mundësinë të flesh i qetë gjatë natës dhe të mos dridhesh në çdo shushurimë dhe trokitje në derë. Shumë të rinj duan të shpërngulen në Evropë dhe Amerikë; për të jetuar diku me një standard jetese më të lartë, më shumë të drejta dhe liri, perspektiva më të mira karriere.

E kuptoj pse njerëzit duan ta braktisin këtë anije që po fundoset, por nëse të gjithë shkojnë, Rusisë nuk do t'i mbetet asgjë. Me të vërtetë do të fundoset. Ne kemi nevojë për njerëz që janë të gatshëm të sakrifikojnë rehatinë, nervat, kohën dhe gjendjen emocionale të tyre për të luftuar për diçka. Nëse të gjithë aktivistët largohen, do të mbeten vetëm apatikët. Rusia ngadalë do të kalbet dhe do të shpërbëhet.

Pastaj qesh me veten që kam shpresë. Shumica e të rriturve që njoh nuk shpresojnë më për asgjë, sepse janë zhgënjyer shumë herë më parë.

Unë jam në shtëpi me familjen time, fle në shtratin tim, ha ushqim të mirë, miqtë e mi vijnë. Kur bëhet e mërzitshme gjej mënyra për të argëtuar veten: lexoj shumë; një artist ka pikturuar portretin tim; Kam bërë disa foto-sesione. Por arresti shtëpiak është i frikshëm, të shkëput nga jeta. Ju bini në depresion, sepse ai vazhdon dhe vazhdon. Ndonjëherë unë thjesht shtrihem dhe shikoj tavanin; Nuk kam energji për të parë mysafirë, për të bërë asgjë. Është paksa si karantinë, thjesht pa internet, apo shpresë.

Të gjithë miqtë e mi po vazhdojnë jetën e tyre. Ata po udhëtojnë, po e gjejnë veten, po shkojnë në shkollë pasuniversitare, po ndërtojnë karrierë dhe po largohen. Unë thjesht jam ulur në shtëpi, në këtë lloj gjendjeje fëmijërore. Kam frikë se nuk do të mund të kthehem në jetën time të vjetër, se nuk do të jem në gjendje të diplomohem apo të punoj, se diçka në mua është prishur, se nuk jam i njëjti person që kam qenë më parë.

Por nuk jam penduar që e bëra atë video. Autoritetet donin t'u dërgonin një mesazh të rinjve: rrini të qetë dhe heshtni, përndryshe do të viheni në arrest shtëpie. Përkundrazi, pati efektin e kundërt. Videoja jonë na shndërroi në super yje. Kjo i bëri të rinjtë të kishin besim, mendoj se shumë prej tyre na shihnin si model. Duke na arrestuar, qeveria i frymëzoi më shumë të rinjtë për t'u bashkuar me lëvizjet opozitare: kur shohin bashkëmoshatarët e tyre në gjykatë, ata kanë më shumë gjasa të thonë: "Nuk mund të hesht".

DOXA vazhdon të publikojë padrejtësinë ndaj studentëve në Rusi, thjesht njerëz të tjerë po i shkruajnë historitë. Ne jemi një nga shumë botimet që janë vënë në shënjestër: autoritetet janë përpjekur gjithashtu të mbyllin gojën “Insider” dhe “Meduza”, dy media investigative. Gazetarët individualë janë cilësuar si agjentë të huaj. Çdo media është nën kërcënim. Të gjithë janë të shqetësuar.

Po ashtu edhe Putini: ai ka frikë nga të rinjtë. Pse? Ne kemi më pak frikë prej tij sesa të moshuarit. Unë isha dy vjeç kur ai erdhi në pushtet; tani unë jam 23 dhe ai është ende atje. Por rinia fiton gjithmonë. Është thjesht ligji i natyrës.

*Alla Gutnikova është redaktore në DOXA, foto credits: Alexander Gronsky, përktheu dhe përshtati Tiranapost.al.Z.B