Opinion

Zv/kryeministri Artan Grubi: Integrimi europian është e vetmja alternativë

Zv/kryeministri Artan Grubi: Integrimi europian është e vetmjaFjala Zv/kryeministrit të Maqedonisë, e mbajtur Artan Grubi, në panelin “Rajoni, Europa, Siguria” në Kongresin e Partisë Socialiste:

Ju falenderoj shumë për ftesën dhe mundësinë që të bëhem pjesë e punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste dhe ju sjell të fala vëllazërore nga Kryetari im, Ali Ahmeti, me uratat më të sinqerta për Kongres të mbarë.

Gëzohem që na mblodhet në Tiranë gjithë neve, nga Shkupi, Prishtina, Presheva, Mali i Zi, rajoni dhe Europa.

Padyshim se politika e jashtme, marrëdhëniet me Europën, siguria dhe raportet e ndërsjella të vendeve të Europës juglindore, janë tema akute për të cilat me ndodhitë e fundit në Europën Lindore duhet shumëfishuar aktivitetet dhe trajtuar këto çështje më syçelë se kurdoherë.

Bashkëpunimi më i intensifikuar në mes forcave tona politike përbrenda Ballkanit Perëndimor, synim të vetëm e ka eliminimin e disonancave rreth qëllimit të pakontestueshëm dhe të rrugës ose rrugëve që do të na çojnë drejt qëllimit të përbashkët, integrimi në BE dhe NATO.

Zëri i bashkuar i shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë palca kurrizore e frymës euroamerikane të rajonit tonë, me qasje konstituive dhe thelbësore në formimin e prioriteteve strategjike të vendeve tona për rajonin dhe për përfaqësimin e rajonit në politikat e integrimit të plotë.

Në çdo projekt të bashkëpunimit rajonal, njëri nga ne, është së paku vet i treti, e në raste edhe vet i katërti, dhe rrjedhimisht asnjë vendim për tërësinë e rajonit dhe gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor nuk mirret dot pa pajtueshmërinë tonë andaj dhe nuk duhet t’i druhemi iniciativave dialoguese dhe bashkëpunuese.

Është e qartë se secili nga vendet tona ka dhe veçoritë e veta, por në këtë kontekst do të kisha nënvizuar se koordinimi institucional dhe kombëtar ose këshillimet permanente si ky i sotmi janë më se të domosdoshme, para se të shtrohen qëndrimet tona para institucioneve të BE-së ose subjekteve tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

Megjithatë, për ne, integrimi europian është e vetmja alternativë.

Alternativë tjetër nuk ka as Bashkimi Europian, përveç se ta integrojë rajonin urgjentisht.

Perspektiva e qartë për anëtarësimin në BE është e domosdoshme për stabilitetin e rajonit prandaj zgjerimi duhet të realizohet tash, menjëherë, pa asnjë vonesë dhe pa asnjë hamendje.

Sa më shumë largohet Brukseli, aq më shumë afrohet Moska.

Sa më pak Europë në Ballkan, aq më shumë fushëveprim për Rusinë.

Ukraina nuk është larg dhe pasojat po i ndjejmë të gjithë.

Solidarizimi sot me Ukrainën nënkupton padyshim edhe integrim pa asnjë vonesë të vetme të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut, bashkë, të pandarë.

Me që konfliktet e Ballkanit nuk ishin sinjale të mjaftueshme për nevojën e integrimit europiane të rajonit, atëherë Ukraina është zile alarmi për të gjitha vonesat dhe mungesën e konsolidimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian.

Të nderuar,

Në vitin 2008 në Bukuresht, kontesti bilateral me Greqinë na ndau nga rrugëtimi jonë i përbashkët me Shqipërinë dhe Kroacinë drejt NATOsë.

Kjo derë e mbyllur dhe mungesë perspektive, na shpiu drejt togfjalëshit “shtet i kapur” dhe një krize të pashembulltë.

Bëmë sakrifica si asnjë vend tjetër për tu bërë pjesë e NATOsë me 11 vite vonesë, por ia vleu.

Sot, në shekullin 21, një tjetër kontest absurd i shekullit 18, po na mban derën e Brukselit të përplasur në fytyrë.

Po ndodhin Mariupoli, Bucha, Kievi, Lugansk, Donjetsk, lufta, kriza shëndetësore, ekonomike, ushtarake, çmime marramendese dhe pasiguri gjithandej, e ne në vitin 2022 duhet të zgjidhim se kush çfar ka qene dhe në çfar gjuhe ka folur deri në vitin 1945.

E shoh që Bashkimi Europian ka humbur fjalëkalimin për zbërthimin e lëmshit dhe nuk po e gjen dot sepse dikush e ka ndryshuar dhe në 50 ditët e fundit e këtej, fjalëkalimi është Ukraina, me U të madhe.

Të dashur drejtues dhe të pranishëm, vëmendja juaj më nderoi.

Ju faleminderit.