25 Rreshtat e Mirës

Patriotët dhe patriKotët

Patriotët dhe patriKotët

Për herë të parë në Francë kam qenë në vitin 2009. Kam qëndruar në Strasburg, qytetin e hijshëm diplomatik në kufi me Gjermaninë. (E kam thënë edhe në një shkrim tjetër, por këtë herë ka vlerë përsëritja).

Qëndruam me motrën në familjen e shoqes sonë. Familje emigrantësh nga lufta, të cilët kanë historinë e tyre libër për ikjen nga Mitrovica e Veriut, histori që s'më takon ta rrëfej por që personalisht me ka lënë një gjurmë të fortë në memorie, bashkë me mësimet franko-gjermane.

P.sh. shumë qytetarë të Strasburgut pazarin e ushqimeve e bënin në Gjermani dhe kur thua Gjermani njeriu kujton se duhet të marrë avionin, por pas 20 minutash aty ishe në qytetin e vogël gjerman, aq larg sa ç'kemi ne Tiranë-Teg. Franca dhe Gjermania ishin një ajër, një mot, një orë, një tip njeriu, i çelët e bjond kryesisht, por jo i njëjti çmim në supermarket. Ishin më lirë dhe kështu bëhej pak ekonomi familjare.

Unë mezi kisha marrë vizën në Ambasadën franceze dhe bashkë me motrën silleshim mirë dyfish (siç ndodh ende) me policinë e kontrollit, nga inferioriteti i një vendi jashtë BE-së e me probleme tërë kohën.

Por asnjë nuk të pyet tek 'check in'-i nëse je patriot i madh, nëse zihesh për fe e flamur në Facebook. Ata të shohin vetëm nga vjen dhe nëse nuk je qytetar i një shteti të fortë, shkurt s'ta fërshëllejnë dhe në jo pak herë sillen vrazhdë e fyes.

Më vonë kam shkuar edhe në Mitrovicën e Veriut. Në album janë ende fotot me sytë e kuq nga lotët kur ecëm në këmbë dhe shkuam poshtë pallatit të fëmijërisë së shoqes. Nga Kosova në Serbi është i njëjti ajër, i njëjti mot, i njëjti tip njeriu, të gjatë e të bezdisur nga kurioziteti, madje edhe e njëjta varfëri, por ndryshe nga Gjermania e Franca, që e kanë mbytur kujtimin e zi të luftës dhe kanë mësuar si të bashkëjetojnë, udhëtojnë pa vënë re kush është njëri e tjetri, ne këtej nga Ballkani kemi ushtarë dhe urat i shohim si pika ndarëse dhe jo takimi. Ato ende na ndajnë, s’na bashkojnë.

Pse?

Ka shumë përgjigje dhe e mira e do që ato të nisin me pranimin e krimeve të luftës siç bëri Gjermania. Kur?

Nesër? Nuk ka një datë dhe kjo si çdo gjë do marrë kohën e vet historike.

Ndërkohë?

Ta ndalim Vuçiç qelbësirën! Ta kriposim Edi Ramën, të ndalojmë Zaev të hyjë në Tiranë, të mbajmë gjallë urrejtjen e të pimë nga lëngu i saj i vjetër ballkanik. Nuk flitet për plagët e tjetrit por një gjë është e qartë si drita e diellit, se patriot është një gjë dhe patrikot një tjetër. Këta të dytët, që fshihen pas flamurit dhe na mësojnë të mos zhvillohemi, të mos e takojmë fqinjin dhe të jetojmë krenar e të ndarë, janë dëmi më i madh që i bëjmë jetës sonë.

Të parët, patriotët, janë ata që e duan Shqipërinë e Kosovën me zemër por sidomos edhe me mendje dhe mendja është si parashuta, që po s'e mbajte hapur...

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]/ Tiranapost.al.