YouPost

Për Shqipërinë që duhet të duam!

Kombi është i joni dhe bashkohet nëse ka një shtet të fortë, dhe për këtë duhet të punohet fort. Problemet e brendshme nuk i sjellin askujt të mira, as qeverisë, as studentëve dhe as qytetarëve por zgjidhja e problemeve bëhet me veprime konkrete dhe nëse veprohet atëherë dialogu është prapa derës.
Për Shqipërinë që duhet të duam!

Nga Endri Mërtiri/ Sot vendi gëlon nga pakënaqësitë dhe në qendër të vëmendjes është protesta e studentëve, e cila vërtetë po sjell shpresë te shumica e popullsisë. Ky popull u gënjye njëherë në vitin e mbrapshtë ’90 dhe s’duhet të ripërsëritet më ajo ngjarje ku të gjithë dolën të shitur të pushtetit. Edi Rama i zgjedhur me votë popullore sot ka në dorë t’i japë njëherë e mirë fund këtij tranzicioni të lodhshëm e rraskapitës për Shqiptarët të dalë i fituar nga kjo betejë dhe vërtetë të hyjë në histori siç edhe ka pasur dëshirën e madhe.

Pika e parë nga duhet t’ia fillojë kryeministri është të mos kërkojë aspak dialog por të fillojë të veprojë, studentët i kanë publikuar me emër e mbiemër dhe I kanë futur me rreth të kuq të gjithë abuzuesit e sistemit shoqëruar me fotografi . Edi Rama ka bërë edhe më herët kurban edhe pa qenë nevoja ndonjëherë për të shpëtuar “kokën” e tij politikisht por sot ai kurban e ka kërkuar të jetë i tillë. Senatet dhe organizmat e tjerë të pushtetit brenda hierarkisë që ruan autonominë universitare kanë dështuar, janë të kalbur. Është koha për ndërhyrje nga qeveria. E ashtuquajtura autonomi universitare duhet cenuar, studentët nuk po i drejtohen universitetit për zgjidhje por qeverisë sepse janë të pakënaqur, u ka shkuar thika në palcë duke paguar pa fund ryshfete për provime të detyruar nga nevoja të përfundojnë studimet. Kushtet i kanë vërtetë skandaloze dhe trajtimin çnjerëzor. Sot duhet të ulen në bankën e të akuzuarit si të pandehur të gjithë ato emra që studentët i kanë nxjerrë publikisht se marrin ryshfete, se presionojnë se kërkojnë favore seksuale etje etj.

Akuzat e studentëve ndaj atyre emrave janë reale nuk janë të qëllimshme, çdo Shqiptar është i vetëdijshëm për këtë. Sot lipset zgjidhje dhe kjo bëhet nëpërmjet masave konkrete. Akademikë të aftë sot mund të përgatitjen pa fund që të zëvendësojnë këta kalbësira që kanë vrarë shpresën. Studentët rrezikojnë të përçahen si është përçarë përherë kombi. Kombi është i joni dhe bashkohet nëse ka një shtet të fortë, dhe për këtë duhet të punohet fort. Problemet e brendshme nuk i sjellin askujt të mira, as qeverisë, as studentëve dhe as qytetarëve por zgjidhja e problemeve bëhet me veprime konkrete dhe nëse veprohet atëherë dialogu është prapa derës.