Aktualitet

Pezullohet nga puna polici që ofendoi publikisht blogerin Olti Curri

Polici që ofendoi publikisht Olti Currin për shkak të një postimi që blogeri bëri në mbrojtje të aktores Eliona Pitarka, është pezulluar zyrtarisht nga detyra.

Ndaj Emiljano Vashës, punonjës policie pranë komisariatit numër katër në kryeqytet, janë marrë masa administrative pas një komunikimi që Olti Curri ka pasur me vetë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako. “Po u kontaktova nga drejtori i policisë Haki Çako, i cili më tha se fjalori i përdorur nga oficeri i policisë kalon etikën e komunikimit të një punonjësi policie dhe ndaj tij është marrë masa e pezullimit. Drejtori i Policisë konfirmoi partneritetin e policisë së shtetit me mediat dhe etikën që duhet të kenë punonjësit e policisë dhe kjo është një shenjë e mirë e reagimit të menjëhershëm të strukturave ndaj personave që duan të cënojnë figurën dhe dinjitetin e policit”, ka thënë Olti Curri.

“Sherri” në Facebook nisi pas kërkesës publike të Olti Currit që Policia e Shtetit të merrte masa ndaj krimit informatik, duke pasur parasysh publikimin e bisedave intime të Eliona Pitarkës. Por menjëherë pas kësaj, Emiljano Vasha ka shpërthyer në fyerje ndaj Currit. Sipas dëshmive të komentuesve, ai është edhe nipi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Haki Çako.

“Ja edhe Emiljano na lodhi kot...kujtova se ai lume sharjesh per mua erdhi pasi permenda policine dhe ai deshi te mbroje edhe pse me ofendime koleget, madje nuk i behej vone per keto ofendime publike, por jo. Thjesht sipas mesazheve qe erdhen inbox mesova se ai eshte nipi (familjar) i Drejtorit te Pergjithshem te Policise Z.Haki Çako...Kjo i sqaron te gjitha. Emiljano ti je me i miri, je polici shembullor, polici qe duam, une jam obez ti je yll, rrofte meritokracia...

P.S. Sqaroje Hakiun qe obez e kishe per mua...”, shkruante Curri në një postim të dytë. Për më shumë shihni pjesë nga debati i sotëm online, që solli edhe pezullimin e efektivit të policisë./Tiranapost.al