Aktualitet

Po, jam kundër Shën Valentinit dhe mos më paragjykoni

Po, jam kundër Shën Valentinit dhe mos më paragjykoni

Më poshtë është përshtatur një shkrim i Caroline Ferry për Bazaar, brenda të cilit do gjejnë veten shumë njerëz, që nuk e kanë qejf Shën Valentinin.

Romancën nuk e mësojmë nga prindërit tanë. Të mitë të paktën nuk i kanë dërguar kurrë ndonjë pusullë njëri-tjetrit, as lule, as çokollata, të paktën jo në këto tre dekadat e fundit që unë kam qenë rreth e rrotull tyre. Ashtu si unë, edhe ata mund të jenë njerëz anti-Shën Valentin, po kjo s`do të thotë që janë anti-dashurisë. Ata kanë mënyrën e tyre të romanticitetit.

Babi nuk i blen kurrë dhurata mamit, ama ia shpreh dashurinë me gjeste të vogla, të ëmbla, gjithnjë e më shumë të çuditshme. Janë gjëra që kërkojnë kohë dhe mendim.

Njëherë kur mami ishte jashtë shtetit për një udhëtim pune, ai shkroi në çimenton e garazhit datën e kthimit të saj. Kurse njëherë tjetër bëri të njëjtën gjë, por e shkroi në tullat e murit jashtë kopshtit të shtëpisë dhe vuri me bojë të gjithë shenjat e duarve tona.

Njëherë tjetër bëri një kalendar prej letre nga e cila hiqte çdo ditë nga një datë, derisa mami të kthehej. Atë e vuri në oborrin jashtë shtëpisë që ta shikonin dhe fqinjët, se mendonte që kthimi i mamit ishte shumë i rëndësishëm dhe për ta. Dukej si një kalendar nga ata që mbajmë datat deri sa të vijnë festat. Se mami për të është Krishtlindje. Ama nëse dikush përmend në shtëpinë tonë Shën Valentinin përballet me ca sy që rrotullohen pa qejf.

Edhe unë kam krijuar përshtypjet e mia për këtë ditë. Nuk e kam fort qejf. Së pari mbasi lidhet me fakti se të 20-tat e mia i kalova beqare. Dhe në të 30-tat kur nisa një marrëdhënie, mbase më kishte mbetur shija e Shën Valentinit vetëm. Pastaj lidhet edhe me historinë e kësaj dite. Ajo daton nga periudha e lashtë Romake, kur Perandori Klaudus ekzekutoi dy burra të quajtur Valentin.

Çfarë është Shën Valentini? Një darkë e programuar, një dhuratë e programuar, një natë në shtrat e programuar, siç shumë çifte të tjerë po bëjnë në të njëjtën kohë? Seç ka një bukuri efekti surprizë: një darkë apo dhuratë pa asnjë datë të rëndësishme.

Në fakt kam të njëjtën ndjesi edhe për festat e programuara të ditëlindjeve. Dikush mund të të surprizojë edhe në ditë të zakonshme, s`ka pse pret ditën që ke lindur.

As të dashuruarit që bien një vit në rutinë, nuk kanë përse presin mesin e muajit shkurt për të dalë prej saj. Nuk ka datë fikse për të festuar dashurinë.

*Artikulli i Bazaar u përshtat në shqip nga Fabjola Hije