Politikë

Papunësia gjatë pandemisë, Rama: Projektet e rindërtimit do të krijojnë 15 mijë vende pune

Papunësia gjatë pandemisë, Rama: Projektet e rindërtimit do

Kryeministri Edi Rama foli sot për situatën ekonomike dhe programin e rindërtimit në një konferencë për mediat.

Rama u shpreh se përpara tërmetit të 26 nëntorit dhe më pas Covid-19-ës, projeksionet e ekonomisë shqiptare ishin shumë pozitive, papunësia e cila për vitin 2019 ishte më e ulëta në rajonin tonë me 11%, pritej të shkonte dhe më poshtë.

Kryeministri tha se aktualisht rezultojnë 13 mijë persona të pa integruar nga 33 mijë që humbën punën gjatë karantinës. Ai shtoi se 70 projektet e rindërtimit si pasojë e tërmeteve do të krijojnë 15 mijë vende pune.

“Kemi 13 mijë persona të pa integruar nga 33 mijë që humbën punën gjatë karantinës. Flas për persona konkretë të regjistruar. Do të hapen 70 projekte rindërtimi do të hapin 15 mijë vende pune. Projektet nga Bashkia e Tiranës për hapjen e kantiereve të ndërtimeve, ku vetëm BE fillon në ditët në vijim injektimin e 100 milonë eurove. Deri këtu kini parasysh impaktin në punësim. Rindërtimi i pallateve është në një kohë shumë ambicioze dhe gjithë kjo e bën rindërtimin një proces rimëkëmbje ekonomike. Një gjë është e sigurt që në dy vitet e ardhshme Shqipëria ka paketën më të madhe të investimeve në historinë e saj”, tha Rama.

Kryeministri gjithashtu shtoi se vendi ynë hyn tek vendet që ka humbur më pak vende pune.

“Krahasuar me vendet e tjera, hyjmë tek vendet që kemi humbur më pak vende pune. Mjafton t’ju them se jemi sot në kushtet kur numërohen 1 milionë në Rumani, 45 mijë në Kosovë, Serbia 200 mijë, edhe Kroacia po ashtu. Qëllimi është që në harkun e një viti ta tejkalojmë shkurtin e këtij viti ku në 11% papunësi, kemi arritur nivelin më të ulët të papunësisë që nga vitit 1991. Nuk do ketë më pagë minimale nën 300 mijë lekë të vjetra”, shtoi kryeministi.