Politikë

A ishte Sandër Lleshaj jo komod për të punuar në Lezhë, dhe pse Lindita Nikolla rimori Lezhën

A ishte Sandër Lleshaj jo komod për të punuar në Lezhë,

Qarku i Lezhës nuk do të ketë më drejtues politik nga PS ministrin e Brendshëm Sandër Lleshajn, por ish ministren e Arsimit Lindita Nikollën, një rikthim i saj pasi drejtoi qarkun në vitin 2017.

Por pse ndodhi ky ndryshim? Nikolla në Abc News përballë gazetarit Endri Xhafo nuk tregon më shumë përveçse thotë se mund të jetë një ngarkesë në atë qark pas pasojave të tërmetit dhe një moment që forcat në kohë fushate masin veten ku janë dhe mund të bëjnë më mirë.  

Por dy momente prek Endri Xhafo dhe ja si përgjigjet ajo:

Endri Xhafo: Si e morët vesh lajmin për caktimin tuaj si drejtuese politike e qarkut Lezhë, si ju është komunikuar?

Lindita Nikolla: Kur ripërcaktoi gjithë skuadrën përcaktoi ndryshimet që lidheshim me Lezhën, Shkodrën, Durrësin, nuk e dija më parë, po kjo s'ka rëndësi.

Endri Xhafo: Flitet për një rikthim të kryeministrit për disa figura si ju, Ahmetaj. Ju kaluat në Lezhë. Ka pasur përplasje publike mes kryebashkiakut të Lezhës Pjerin Ndreut dhe Sandër Lleshajt, për ndërtimet. A ishte Lleshaj le të themi jo shumë komod si figurë për të bashkëpunuar me pushtetin lokal?

Nikolla: Nuk mund ta them këtë dhe sinqerisht s'ështe për komoditet, patjetër ai plotësoi gjithë detyrat e kryesisë. Është përsëri kryesia dhe kryetari i PS që në momentin e krijuar të fushatës elektorale të ketë një sinergji. Unë kam drejtuar në 2017 si drejtuese politike qarkun Lezhë. Ndoshta është menduar ngarkesa për shkak të tërmetit, situatës atje.

Endri xhafo: A do ishte keq në sytë e partnerëve ndërkombëtarë që ministri i Brendshëm të ishte i deleguar në një qark, a ishte ky vendim për ta mbajtur larg betejës elektorale?

Nikolla: Nuk kemi parë ministra të Brendshëm të jenë larg proceseve politike apo forcës politike, s'besoj se ka qenë problem që ndërkombëtarët ta shihnin pozicionin e ministrit të Brendshëm thellësisht politik se i tillë është. Mendoj që është thjesht një moment që forcat masin veten ku janë më mirë.