Politikë

Akuzat ndaj meje, një Big Brother pambarim! Rama në Twitter për zyrtarin e FBI

Akuzat ndaj meje, një Big Brother pambarim! Rama në Twitter për

Kryeministri Edi Rama e ka quajtur të denjë për një Big Brother skenarin e opozitës për ta përfshirë atë me arrestimin e një ish zyrtari të FBI në Shtetet e Bashkuara.

Rama shprehet përmes një postimi në Twitter se nëse akuzat e politikës dhe qëndrimet e disa portaleve që e implikojnë kreun e qeverisë do ishin të bazuara, ato do të dilnin nga hetimi amerikan.

Postimi i Kryeministrit Edi Rama në Twitter:

Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!

Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur.

Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë.

Një ditë më parë, FBI arrestoi ish-drejtuesin e zyrës së kundërzbulimit në Nju Jork, Charles McGonigal për disa aktivitete që nuk i kishte raportuar në Departamentin e Drejtësisë.

Sipas opozitës ish-zyrtari i FBI-së, i cili rezultonte të kishte një aktivitet biznesi në Shqipëri, është mik me kryeministrin Edi Rama dhe ka lobuar për të në Shtetet e Bashkuara.