Albin Kurti i përgjigjet Ramës përmes këshilltares: Heshtja e tij ndihma më e madhe për Kosovën

Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp me gazetarët propozoi që KFOR të merrte në kontroll Veriun e Kosovës pas sulmit terrorist të së dielës ndaj Policisë.
“Shpresoj që shpërthimet në Veri të Kosovës mos ta kthejnë atë në një Donbas. Dialogu mes dy vendeve duhej të ngrihej në një konferencë ndërrajonale. Sot mimialisht formati i Brukselit, ku venë e vinë dy burra nga këtej, hynë e dalin dy burra atje, s’ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Bashkë me stokun e të gjitha marrëveshjeve, të pazbatuara, mund të sjellë largqoftë një stok viktimash të një konflikti të armatosur. KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Është propozim që e kam bërë më parë dhe në samitin e NATO-s”, pohoi Rama.
Një orë më pas ka ardhur përgjigja nga Kosova. Albin Kurti përmes këshilltares së tij, Dejona Mihali, i është përgjigjur duke thënë se heshtja e kryeministrit shqiptar për disa ditë do të ishte ndihma më e madhe për Kosovën.
“Mbase heshtja e Kryeministrit të Shqipërisë për disa ditë do të ishte ndihma më e madhe, në këto momente, dhënë Kosovës. Po ashtu, Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar që KFOR të marrë kontrollin në veri. E as nuk do ta bëjë. Këtë e di dhe çdo fëmijë i vogël. Këtë e kërkon vetëm Serbia. Qeveria e Kosovës ka kërkuar vitin e fundit kryesisht shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë referuar kërcënimit dhe akteve të vazhdueshme të agresionit nga ushtria e Serbisë në kufi me Kosovën”, ka shkruar Mihali.