Politikë

Ambasada amerikane reagon për Komisionin e Venecias: Ruani konfidencialitetin deri sa të jetë finalizuar opinioni

Ambasada amerikane reagon për Komisionin e Venecias: Ruani

Pas njoftimit të Komisionit të Venecias mbi draftin paraprak që u është dërguar palëve dhe se finali do të publikohet me datë 22 mars, mediat nxorën pjesë të shkëputura nga drafti për çështjen e Gjykatës Kushtetuese e nga ku thuhej se Komisioni nuk gjen baza që Parlamenti të hetojë e shkarkojë presidentin.

Por ambasada amerikane ka postuar një mesazh në rrjetet sociale ku u bën thirrje palëve të ruajnë konfidencialitetin deri në publikimin final të opinionit dhe përshëndet vendimin e njoftuar edhe nga kreu i grupit parlamentar të PS, i cili tha se nuk do të ndërmerret asnjë hap në Kuvend për legjislacionin derisa të finalizohet opinioni.

Njoftimi i plotë: 

Nxisim të gjitha palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet. Mirëpresim vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet. Po ashtu mirëpresim deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi – sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Evropë.

-Kujtojmë se Kuvendi kërkoi një opinion lidhur me përplasjen Presidencë- Kuvend- KED për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni Hetimor Parlamentar ka nisur procedurat e shkarkimit.