Politikë

Amendamentin e Taulant Ballës e voton opozita dhe mazhoranca

Amendamentin e Taulant Ballës e voton opozita dhe mazhoranca

Amendamenti i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla për buxhetin shtesë për Komisionin e Posaçëm të Apelimit është votuar si nga deputetët e mazhorancës, ashtu edhe nga ata të opozitës këtë të enjte.

Në seancën e sotme maratonë, amendamenti i propozuar nga Balla u votua me 87 vota pro, 22 kundër dhe 2 abstenime.

Kreu i grupit parlamentar socialist tha se kërkesa ka ardhur nga vetë KPA, por edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) për të rritur kapacitetet e burimeve njerëzore dhe për të përshpejtuar punën e Kolegjit.

“Në fakt edhe nga ana e opozitës që ka pasur disa diskutime që e kanë mbështetur nevojë për të rritur mbështetje buxhetore të këtyre institucioneve dhe për të shkuar tek amendamenti që kam depozituar, ka të bëjë me një kërkesë që ka ardhur nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit. Në fakt që të jem korrekt ka qenë një kërkesë që ka ardhur edhe nga ONM. Të dyja së bashku kanë kërkuar në funksion të rritjes së kapaciteteve dhe përshpejtimit nga ana e KPA”, tha Balla.

Gjithashtu, u miratua buxheti për vitin 2022, me 77 deputetë pro ndërsa 46 deputetë votuan kundër.

Nga ana tjetër, amendamentet e ish-zëvendës Kryeministrit dhe deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, për paketën fiskale nuk kanë gjetur mbështetjen e Kuvendit me vetëm 8 vota pro.

Pas votimit reagoi edhe deputeti socialist, duke theksuar se rrëzimi i propozimeve është në dëm të bujkut shqiptar.

Po ashtu, amendamenti i LSI-së për rimbursimin e ilaçeve të përdorura gjatë pandemisë së Covid-19 nuk u miratua, pasi nuk iu dhanë vota të mjaftueshme.

Tiranapost.al